Jam Mirela. Sot jam 30 vjeçe dhe dua të them se ne femrat jemi shumë të dobëta para një mashkulli, madje unë arrita deri aty sa shkatërrova familjen time, duke menduar se kisha gjetur dashurinë e vërtetë. Kur isha 14 vjeçe, u dashurova me një djalë nga fshati im. Ai jetonte në Greqi dhe i kishte bërë shtëpitë në Tiranë. Ai u bë “qen e mace”, kur thotë populli, derisa më mori mua. Jo se nuk doja unë, po nuk donin prindërit e tij, pasi unë isha e vogël dhe nuk isha nuse për në shtëpinë e tyre sepse isha pak tip i shkathët dhe çapkëne. Ata donin një nuse të pjekur që t’i respektonte dhe të bënte punët e shtëpisë ashtu si bëhej dikur. Edhe pse ata nuk donin, Danieli, burri im, bëri gjithçka derisa ne u fejuam. Ata nuk më lanë që të vazhdoja shkollën e mesme, por edhe Danieli nuk ishte dakord. Ai, ngaqë shkonte për të punuar në Greqi, kishte frikë se nuk më ruante dot. Ndenjëm dy vjet të fejuar dhe më pas bëmë dasmën. Jetuam gjashtë vjet në fshat, ku lindi edhe djali ynë. Kur djali u bë katër vjeç, ne vendosëm të shkonim në Tiranë. Djalin e çoja në kopsht, ndërsa Danieli ndenji një vit në Tiranë me ne, por e kishte të pamundur të gjente punë, kështu që vendosi të ikte përsëri në Greqi. Ditën kur ai më tha se do të shkonte të punonte në Greqi unë bëra fjalë me të, i thashë se nëse do të ikte, duhet të iknim bashkë. Nuk doja të rrija vetëm me prindërit e tij, duke e ditur se ata nuk më trajtonin mirë. Në fshat, sa herë që zihesha me ta, kur nuk ishte Danieli, shkoja te prindërit e mi, kurse aty në Tiranë nuk mund të rrija gjithë ditën me ta duke e ditur se ata ishin njerëz që më flisnin vetëm me thumba. Por Danieli nuk kishte ndërmend të ndryshonte mendim në lidhje me këtë çështje. Atëhere i thashë: “Nëse ti do ikësh në Greqi, edhe unë do futem në ndonjë punë këtu, gjithë ditën me prindërit e tu, nuk mundem që ta shtyj”. Atëhere ai ra dakord. Vetë Danieli u interesua për të më gjetur punë dhe si përfundim, më gjeti punë në një fabrikë të prodhimit të qumështit. U tha edhe prindërve të tij për këtë vendim që morëm, por ata nuk e pritën mirë fare këtë gjë. Vjehrra tha: “Ç’është kjo nuse që shkon të punojë në mes të Tiranës?!”.
Javën e parë Danieli më shoqëroi vetë për në punë, më çonte dhe më merrte. Më pas ai u largua për në Greqi. Jeta pa Danielin më dukej shumë e vështirë. Sikur të mos kisha djalin që të kaloja kohën do të më ikte mendja. Më dukej sikur prindërit e tij më urrenin dhe mezi prisnin të më ngrinin ndonjë kurth. Danieli iku në Greqi dhe filloi të më merrte shumë rrallë në telefon. Edhe kur më merrte, vetëm sa më pyeste për djalin. Kjo gjë po më acaronte shumë. E ndjeja se ai nuk më donte më si më parë. Mërzia ime i kishte rënë në sy edhe përgjegjësit që kishim në punë. Ai ishte vëllai i pronarit dhe kujdesej për mbarëvajtjen e punës duke kontrolluar çdo punëtor. Unë e kisha fillimin dhe sigurisht që, si në çdo punë, edhe unë bëja gabime, mirëpo kjo ra në sy të përgjegjësit i cili një ditë ai më thirri në zyrë duke më thënë se përveç shkathtësisë, këtu kërkohej edhe cilësi. “Këtë ngulite mirë në mendje!”, më tha.
Unë u largova shumë e mërzitur. Mbas tre ditësh ai më thirri përsëri në zyrë dhe më tha: “Ti vazhdon të jesh njësoj. Më jep numrin e telefonit që unë të të njoftoj se çfarë duhet të bëjmë me ty. Do të flas me pronarin dhe ai do të më udhëzojë nëse do të vazhdosh të punosh, apo do të largohesh nga puna”.
Unë fillova të qaja se ndjehesha e pafuqishme kundrejt atij vendimi që do të merrnin. Ai m’u afrua, më kapi nga krahët dhe më tha: “Mos u mërzit se unë do të bëj të pamundurën që ti të mos largohesh nga kjo punë”.
Fjalët e tij sikur më qetësuan. Ai më pyeti se pse nuk më shoqëronte më burri dhe unë i thashë se ai kishte shkuar në Greqi. Më pas më pyeti nëse kisha të ardhura të tjera dhe me kë jetoja. Unë iu përgjigja në mënyrë të sinqertë të gjitha pyetjeve që ai më bënte. Atë ditë, në orën dhjetë të darkës, më ra vetëm një zile në telefon. Ishte një numër i panjohur. Unë isha vetëm në dhomën time duke vënë djalin në gjumë. I bëra një zile pa m’u dridhur qerpiku. Ai i ra telefonit prapë dhe nga ana tjetër, dëgjova një zë shumë burrëror, i cili më pyeti:
“Mirela, si je?”.
Zëri i tij sikur më shkoi drejt e në zemër. I thashë: “Mirë jam, po ju kush jeni?”. Ai më tha se ishte përgjegjësi, më tha se e kishte rregulluar me pronarin dhe ai nuk do të më përzinte nga puna. Ai vazhdonte më pyeste a ndjehesha e lumtur edhe unë vazhdoja t’u përgjigjesha pyetjeve të tij, pa hezituar për asnjë lloj pyetjeje. Nuk e di, po ajo situatë më dukej shumë e ëmbël, më dukej sikur aty pranë kisha një njeri i cili po interesohej për mua. Telefonatat e tij filluan të bëheshin më të shpeshta me mua, madje arritëm deri aty sa ai më hiqte nga puna dhe më thërriste te zyra. Ai ishte rreth të pesëdhjetave, por ishte një burrë i pashëm që të jepte shumë siguri. Fjalët dhe sjellja e tij më bënin të mos ndjehesha e vetmuar. Për të mos e zgjatur më shumë, po ju them se, nga vetmia që ndjeja, unë rashë pre e mashtrimeve të përgjegjësit. Ai më merrte në çdo çast të ditës dhe të natës dhe, kur unë kisha nevojë për të, ai më ndodhej gjithmonë pranë. Nuk e di se si e gënjente gruan e tij, por sa herë që unë e kisha kërkuar, ai ishte i gatshëm të më përgjigjej për çdo gjë. Edhe unë nga ana ime isha e gatshme të bëja çfarë të më kërkonte ai dhe për Danielin as që më binte fare ndërmend, ashtu si edhe ai nuk kujtohej fare për mua. Fillova të vishesha me rroba firmato, ai më merrte nga orari i punës të paktën dy-tre herë në javë dhe shkonim ku të kishim dëshirë. Brenda orarit mundohesha të kthehesha në shtëpi, por ai më merrte orar pa orar në telefon dhe më dërgonte mesazhe nga më të ndryshmet. Të njëjtën gjë bëja edhe unë, por me sa duket sjellja ime i ra në sy vjehrrit dhe vjehrrës.
Mbas dy muajsh, u kthye Danieli pa më njoftuar fare. Unë e mora vesh vetëm kur e pashë në derë në orën nëntë të darkës. Më dukej shumë i hutuar dhe sikur nuk kishte fare dashuri për mua, vetëm djalin e puthte fort. E para gjë që bëri ishte që më mori telefonin dhe më tha:
“Nesër do shkojmë të takojmë prindërit e tu në fshat”.
Unë kisha frikë se përgjegjësi do t’i binte telefonit ose do më dërgonte mesazhe. E kuptova se ky ishte fundi im dhe në të vërtetë, ashtu ishte. Ditën tjetër u nisa për në fshat te prindërit, por Danieli nuk deshi që ta merrnim djalin me vete. “Është ftohtë”, më tha. E ndjeja se diçka po ndodhte, por nuk po e kuptoja se pse Danieli ishte aq i qetë. Kur mbërritëm në shtëpinë time Danieli takoi prindërit e mi dhe pashë që nga xhepi nxori telefonin tim, e ndezi dhe ia tregoi tim eti: “Ja, kush është vajza juaj! Unë nuk kam më punë me të”.
Babi i shkretë nuk kishte ç’të thoshte më, mbeti i habitur. Më pas, Danieli iku dhe hapi gjyqin e ndarjes me mua, i rregulloi gjërat sipas dëshirës, duke e hedhur djalin mbi veten e tij sepse ai mua më akuzonte si një femër të përdalë, duke u bazuar në mesazhet që përgjegjësi më kishte dërguar në telefon. Unë, edhe sot e kësaj dite jetoj në fshatin tim dhe nuk kam mundur të lidhem asnjëherë me njeriun që më shkatërroi jetën sepse nuk e mbaja mend numrin e tij. Im atë më dënoi duke ndenjur në fshat dhe duke pritur që ndonjë fat tjetër të më trokasë në derë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *