Ajo është një nga zërat më të mirë në muzikën shqiptare dhe sapo ka sjellë projektin e saj më të ri, një bashkëpunim mes saj, Gold Ag dhe Ilirët, me titull “Fjalët e qiririt”, shoqëruar me një video mjaft interesante. Ganimete Abazi apo Ganja, siç e thërrasin të gjithë, rikthehet pas një mungese në ekranet shqiptare dhe tregon sa ia ka vlejtur ky bashkëpunim. Ajo është një këngëtare me zë shumë të veçantë dhe kjo e ka bërë t’i rezistojë kohës dhe të jetë kaq të dashur për publikun. Me nëntë albume në treg, Ganja mbetet një ikonë në muzikën shqiptare.
Fabjola Kuburi: – Ganimete apo Ganja, si të pëlqen të të thërrasin?
Ganimete Abazi: – Më shumë më thërrasin Ganja, por për mua është njësoj, nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Më thërrisni si të doni! (Buzëqesh)
– Një rikthim i bukur pas kaq kohësh! Çfarë ke për të na thënë nga ato që nuk janë thënë në këngën “Fjalët e qiririt”?
– E kam menduar gjatë që rikthimin tim, ta bëj ashtu si duan adhuruesit e mi. Nuk mbetet asgjë për të thënë, kur vetë kënga i thotë të gjitha.
– Ku ka qenë Ganja për kaq kohë?
– Në periudhën që kam qenë jashtë skenës kam udhëtuar nëpër vende të ndryshme në Europë e më gjerë, edhe pse kam qenë gjithmonë bashkudhëtare me këngën.
– Çfarë nuk dimë ne për Ganimete Abazin?
– Mendoj se adhuruesit e mi i dinë të gjitha rreth meje, sepse unë mundohem të jem sa më transparente me ta.
– Çfarë të bashkon ty, Gold Ag dhe Ilirët?
– Me Ilirët kam bashkëpunuar që nga vitet ‘94-‘98, me shumë koncerte të mëdha në të gjithë diasporën dhe me shumë suksese, që i kemi arritur në atë kohë. Sot e kësaj dite dëgjohen akoma duetet tona, si për shembull “Xhamadani vija-vija”, që vlen të veçohet, si edhe shumë duete të tjera, kurse sa i përket Gold Ag, kam një simpati të veçantë për muzikën e tij, sepse është një artist me vlera të mëdha. Projekti “Fjalët e qiririt” ishte ideja e tij, që na bashkoi dhe rezultoi diçka e bukur dhe e veçantë.
– Dallohesh për paraqitje dhe interpretim të veçantë… Është e lehtë të jesh Ganimete Abazi?
– Faleminderit për komplimentin! Jam gjithmonë vetvetja në paraqitjet e mia; për këtë arsye është edhe e lehtë.
– Si u realizua ky klip? A pati vështirësi?
– Klipi u realizua në Shqipëri, konkretisht, në Krujën legjendare, punuar nga Max Production, që e falënderoj për punën e përkushtuar, me të cilën na e bëjnë edhe neve punën më të lehtë.
– Cila është skena apo ngjarja më e bukur që ka ndodhur gjatë xhirimeve të këtij klipi?
– Skena që u xhirua në një lartësi të papërjetuar ndonjëherë nga unë. Atje kishte një pamje të mrekullueshme; bregdeti dhe perëndimi i diellit i jepnin një magji Shqipërisë sonë.
– Pse Ganja shfaqet kaq rrallë?
– Sepse mundohem të sjell muzikë me vlerë tek adhuruesit e mi, në mënyrë që të mos i zhgënjej asnjëherë. Për këtë arsye, projektet e mëdha marrin më shumë kohë. Mundohem përherë të jem Ganja, pa bërë shumë lëvizje në stilin tim.
– E mban mend cili ishte momenti që të dha famë?
– Momenti kulminant i famës sime ishte balada “Mirupafshim në Kosovën e lirë”, projekt i realizuar në vitin 2001 nga kompozitori ynë i mirënjohur Ilir Berani, me orkestrim të Nexhat Mujovi-Virusit, që i falënderoj shumë për këtë këngë të mrekullueshme.
– Ke disa albume në treg. Sa kohë duhet për një album?
– Kam realizuar gjithsej nëntë albume solistike, katër nga të cilët në bashkëpunim me Ilirët dhe një bashkëpunim që vlen të përmendet, me Elita 5. Që një album të jetë në nivele të larta artistike, kërkon shumë kohë dhe unë ia kam dhënë atë kohë. Nevojitet shumë kohë për të realizuar një album me vlera të larta muzikore.
– Çfarë ke parasysh kur zgjedh këngët për një album të ri?
– Së pari, përzgjedh kompozitorin. Fatmirësisht, punoj me kompozitorë shumë të mirë dhe artistë në kuptimin e plotë të fjalës, që sjellin tek unë dhe unë më pas te publiku, gjithmonë këngë të mirëfillta.
– Cila është kënga jote, që nuk ngopesh duke e dëgjuar?
– Të gjitha këngët më pëlqejnë, por do të veçoja këngën “Kërkoj gjysmën tjetër”, në bashkëpunim me Kristin, të cilin e falënderoj për këtë bashkëpunim.
– Këndon gjithnjë live?
– Preferoj performancën live, sepse nga ajo përçoj te publiku ndjenjën e këngës.
– Është kënga, përveçse pasion, edhe një biznes i mirë?
– Për mua, kënga është një pasion të cilit i përkushtohem me tërë qenien time.
– A ka xhelozi profesionale si kudo apo kjo është më e fortë në muzikë?
– Xhelozi ka kudo e në gjithçka dhe nuk besoj se është më e fortë në muzikë.
– Vitet kalojnë, por ti sa vjen e bëhesh më e bukur. Ke ndonjë recetë për këtë?
– Ju falënderoj për këtë mendim! Receta ime për këtë është: Rri gjithmonë e lumtur, që të reflektosh bukur!
– Çfarë kujton gjithnjë me nostalgji?
– Ngjarja më e këndshme që e kujtoj gjithmonë me kënaqësi dhe që më sjell një nostalgji për atë kohë, ishte koncerti i parë i mbajtur në Tiranë në vitin 1996. Ka qenë një koncert i mrekullueshëm, që nuk do ta harroj kurrë.
– Je më shumë një mikeshë apo një partnere e mirë?
– Besoj se jam edhe mike, edhe partnere e mirë.
– Çfarë të tërheq te një gazetë apo revistë?
– Nuk diskutohet që gjithçka që ka të bëjë me kulturën, por edhe ngjarjet kryesore që kanë ndodhur, dua t’i lexoj.
– A ka diçka të pamundur për ty?
– Nuk mendoj gjëra të pamundura, gjithmonë i mendoj ato gjëra që mund t’i arrij.
– Çfarë do të kishe dëshirë të bëje në një ditë si kjo e sotmja?
– Të kaloja sa më shumë kohë me familjen dhe miqtë e mi.
– Për çfarë mund të justifikohesh ti?
– Nëse më thërrasin miqtë e mi dhe nuk kam shumë kohë të jem me ta, atëhere gjej justifikim për të mos shkuar, pa i lënduar ata.
– Çfarë të bën të ndihesh mirë?
– Çdo gjë e mirë më bën të ndihem mirë.
– Çfarë mund të ta prishë humorin?
– Jo, sinqeriteti dhe moskorrektesa e njerëzve.
– Kishte edhe pushime në axhendën tënde këtë verë që kaloi?
– Këtë verë kisha shumë pak kohë për pushime, por gjithsesi, gjeta pak kohë për t’u çlodhur.
– Shumica e miqve dhe mikeshave të tua, janë të martuar apo singëll?
– E kam shoqërinë të përzier, kam të martuar e gjithashtu, edhe singëll. (Buzëqesh)
– Mes mikeshash, mblidheni shpesh në shtëpitë e njëra-tjetrës?
– Si zakonisht, i kam mikeshat me të cilat jam rritur dhe ato përherë i ftoj në shtëpi. Gjithashtu, edhe ata mua.
– Për çfarë ke shpenzuar më shumë kohët e fundit?
– Kohët e fundit, më shumë kam shpenzuar për realizimin e projekteve të mia. Gjithashtu, edhe në garderobë.
– Je një shofere e mirë?
– Mendoj se po, pasi ka kohë që drejtoj makinën.
– Po kuzhiniere e mirë?
– Nuk e di, them se po.
– Mëngjesi është koha kur zgjohesh apo shkon për të fjetur?
– Jeta e artistit është më shumë jetë e natës. Ndodh që ndonjëherë ngelim deri vonë në mbrëmje të ndryshme, por kur nuk i kam këto obligime, mundohem të vë në rend edhe gjumin.
– Me ç’mendim shkon për të fjetur në darkë?
– Gjithmonë me mendime pozitive!
– Cila është arma jote më e mirë në raport me të tjerët?
– Sinqeriteti!
– A na mbeti gjë pa thënë?
– Ju falënderoj dhe ju uroj suksese të mëtejshme!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *