Në kohët e sotme, lidhjet dashurore idealizohen, ato i duam të përkryera dhe secili prej nesh ka pritshmëri që nganjëherë janë kontradiktore. Këto pritshmëri shpesh janë tepër të larta, paralajmërojmë specialistët… Secili prej nesh kërkon siguri, të jetë i realizuar në shoqëri, të jetë i kënaqur në seks, etj. dhe çifti, që nganjëherë e ka të vështirë t’i plotësojë të gjitha, lëkundet nga themelet, aq më tepër që disa prej këtyre pritshmërive nuk ka pse i përmbush ai… Bëjini edhe ju këtë pyetje vetes për të zbuluar profilin tuaj dominues dhe përgjigjjuni sa më sinqerisht të mundeni pyetjeve të bëra nga psikologu…

1. Deviza juaj mund të ishte:
a. Të ekzistosh do të thotë të gëzosh të gjitha kënaqësitë e jetës.
b. Të ekzistosh do të thotë të transmetosh
c. Të ekzistosh do të thotë të fitosh
d. Të ekzistosh do të thotë të shërosh

2. Përballë kërcënimit të krizës, ju keni tendencë të:
a. Shumëfishoni seancat e nxehta në shtrat që nuk kushtojnë asgjë.
b. Bëni kujdes për buxhetin familjar.
c. Shtoni përpjekjet në punë.
d. Qetësoni ankthet tuaja me partnerin/en.

3. Në kinema, sapo ka dalë një film i ri, që flet për problemet në një lidhje dashurore:
a. Ju vraponi për ta parë, sepse i adhuroni këta lloj filmash.
b. Ju shkoni sepse të gjithë flasin për të.
c. Ju i evitoni historitë fatkeqe të dashurisë.
d. Sikur të mundnit, do të shihnit nga një përnatë.

4. Sipas jush, lumturia në çift:
a. Kërkon intensitet.
b. Ndërtohet me punë
c. Është një koncept
d. Është e brishtë.

5. Në një çift, qortimet lindin atëherë kur nuk e pret: Çfarë qortimesh bëni ju?
a. Ti nuk më do më!
b. Ti mund të merrje pjesë më shumë në punët e familjes.
c. Ti mendon vetëm për vete.
d. E ke parë në ç’orë kthehesh në shtëpi?

6. Me të, ju ndodh shpesh të ndjeheni:
a. Në qiellin e shtatë
b. Një familje e bashkuar
c. I/e mbështetur në aspiratat tuaja
d. I/e sigurtë

7. E diela nuk është një ditë si të tjerat. Ju ia dedikoni…
a. Fantazive dhe erosit
b. Shkoni në treg, pastaj drekoni në familje.
c. Jetës suaj shoqërore, daljeve me miq.
d. Shërimit të plagëve tuaja.

8. Nëse do t’ju duhej t’i shkruani një letër dashurie, do ta fillonit:
a. Ti më josh me thellësinë e syve dhe me formën e të pasmeve…
b. Ti ma mbush zemrën me butësi kur sillesh si baba/nënë e dhembshur.
c. Ti më kënaq me sigurinë tënde.
d. Ti më plotëson çdo ditë e më shumë.

9. Zemra juaj rreh më shpejt, bebet e syrit janë hapur. Kjo ju ndodh…
a. Kur ai ju ka lënë takim në një hotel.
b. Kur vajza e vogël është plagosur duke luajtur me vëllezërit e mëdhenj.
c. Kur ju lajmërojnë një ngritje të shumëpritur në detyrë.
d. Kur ai/ajo është me vonesë dhe nuk kapet në telefon.

10. Admironi më shumë te tjetri:
a. Instiktin e tij/saj gati kafshëror.
b. Talentin që ka për të zbutur konfliktet
c. Karizmën e pamohueshme
d. Durimin që ka për t’ju ngushëlluar

11. Ju mund të grindeni me të dashurin/ën për:
a. Qëndrimin e dyshimtë me një të tretë
b. Edukimin e fëmijëve.
c. Problemet ekonomike
d. Datën e përvjetorit tuaj, që e ka harruar.

12. Ju e vlerësoni shumë heshtjen:
a. Pas një seance seksi, kur të dy ndjeheni të kënaqur.
b. Kur gjithë pjesëtarët e familjes janë nisur për t’u marrë secili me punët e tij.
c. Pas një mbledhjeje pune, kur ju është dashur të mbroni me dhëmbë pikëpamjet tuaja.
d. Shenjë e dëgjimit nga ana e terapeutit tuaj.

13. Për një darkë si dy të dashuruar:
a. Ju riktheheni në restorantin ku jeni takuar herën e parë.
b. Gatuani një herë për fëmijët, pastaj për ju të dy.
c. Shkoni në të restorant të modës dhe të mirë.
d. Prisni propozimin e tij/saj.

14. Në majë të listës së vendimeve të mira që keni marrë sivjet është:
a. Të gjeni një patch kundër xhelozisë.
b. Të jetoni në mënyrë të shëndetshme dhe sa më gjatë, që të shihni të rriten edhe nipërit.
c. Të mësoni anglisht dhe spanjisht; në fund të fundit janë gjuhë biznesi.
d. Të mos e merrni për psikologun/en tuaj personal/e.

Përgjigjet
Nëse keni më shumë përgjigje a. Nga çifti, prisni intensitet
Në çiftin tuaj, pritshmëritë janë të tipit pasional. Ju kërkoni kënaqësinë e shqisave, festat, surprizat dashurore. Duket sikur kërkoni të jeni dashnorë të rinj, ndërkohë që mbase nuk është ky rasti juaj! Jeta juaj dashurore duhet të jetë intensive që ju të kënaqeni. Jeni dakord të jeni në çift, me kusht që ai të përmbushë dëshirat tuaja për pasion, bashkim, për të vibruar së bashku. Duke kërkuar vazhdimisht emocionet e fillimit, ju kërkoni pa dyshim, në mënyrë të pandërgjegjshme, të rikrijoni këtë gjendje dashurore, kaq të këndshme. Mbase nuk keni përjetuar etapat e ndryshme të procesit të intimitetit dhe njohjes së tjetrit, që bëjnë pjesë në një lidhje dashurore. Jeni mësuar t’i digjni këto etapa, besnik/e ndaj temperamentit tuaj, pa dyshim, të zjarrtë.
Rreziku: Nëse doni të përjetoni fillimet romantike të takimit dashuror, të përbërë nga joshja sensuale dhe kënaqësia narcizike, me kalimin e kohës do të lodheni dhe zhgënjeheni. Tjetër është të shkundni rutinën për të mbajtur gjallë flakën e pasionit dhe tjetër, të konsumoheni në këtë proces.
Këshillë: Pranoni që lidhja dashurore transformohet dhe hiqni dorë nga çifti i fantazisë suaj. Nëse keni natyrë pasionante, përpiquni më mirë të kërkoni ndjesi të reja në fusha të tjera. Merrni përsipër rreziqe, duke u ekspozuar në aktivitete si teatri, apo sportet ekstreme, sesa t’i vini çiftit përsipër një barrë kaq të rëndë mbi supe, për të pasur ndjesinë se po “ekzistoni”.

Nëse keni më shumë përgjigje b. Nga çifti, prisni mbrojtje
Pritshmëritë tuaja ndaj çiftit janë përqendruar rreth vatrës familjare, një vlerë e sigurtë, në të cilin ndjeheni i/e mbrojtur. Në praktikë, pa dyshim që u kushtoni kohë nevojave të gjithësecilit dhe mbase bëheni copë për të afërmit tuaj, për të përmbushur këtë objektiv që i keni vënë vetes. Ndjeni nevojën që jetën tuaj të përditshme ta sillni rrotull familjes, përfshi këtu edhe pushimet… Pritshmëritë tuaja tregojnë se çifti juaj duhet të përmbushë funksionin e tij si mbrojtje ndaj ashpërsisë së jetës, një lloj foleje. Ju doni të plakeni së bashku, të bashkuar, në të mirë e në të keqe dhe të shihni t’ju vijnë rrotull nipërit dhe mbesat e shumta. Mbase doni të riparoni familjen tuaj jo të bashkuar, apo të përsërisni një model…
Rreziku: Pritshmëria juaj e lumturisë në familje është krejtësisht legjitime, me kusht që të mos harroni veten tuaj. Mënyra juaj për t’i bërë gjërat, mund të shoqërohet nganjëherë me një nevojë të madhe mirënjohjeje për «gjithçka që bëni për ta», gjë që nganjëherë është iluzion. Butësia, mbështetja dhe siguria që i ofroni familjes, shpesh perceptohet si diçka e natyrshme, gati-gati një detyrë… Kur të tjerët nuk jua “dinë” këtë, ju zhgënjeheni.
Këshillë: Pritshmëritë tuaja përmbushin pa dyshim anën tuaj “prindërore”, por çfarë bëni ju për anën tuaj bashkëshortore? Çfarë janë bërë ata dy personat që u takuan në fillim? Që të mos ndjeni një boshllëk të madh pasi fëmijët të jenë larguar nga foleja, kushtojini vëmendje edhe vetes suaj e çiftit.

Nëse keni më shumë përgjigje c. Nga çifti, prisni vlerësim
Në çiftin tuaj, pritshmëritë kryesore janë të tipit «vlerësues». Lidhja duket si një pasqyrë, në të cilën secili do ta shohë veten në mënyrë pozitive. Nëse shohim më mirë, komunikimi ka shpesh për objektiv të parë të nxjerrë në pah vlerat dhe sfidat tuaja… Kredoja juaj mund të ishte «arritja e majave». Me një fjalë, ju investoni në familje dhe doni që ky investim t’ju shpërblehet. Ju kërkoni nga partneri/ja që t’ju kushtojë vëmendje e t’ju inkurajojë në aspiratat tuaja. Sido që të jetë, ju mendoni se keni të drejtë të keni sukses, t’ju mbështesin. Pa dyshim që keni luftuar shumë për të arritur aty ku jeni.
Rreziku: Ky lloj çifti funksionon mbi bazën e admirimit, një vlerë shumë pozitive, por që sjell me vete edhe konkurrencën. Janë dy aspekte stimuluese, por mbajtja vazhdimisht e kësaj situate është njëkohësisht e ankthshme dhe shumë e lodhshme. Nga ana tjetër, këto pritshmëri mund të shkaktojnë shumë vetmi.
Këshillë: Lidhja juaj sentimentale nuk është një vlerë e caktuar në bursë, që duhet vlerësuar pa pushim. Përpiquni të ulni presionin dhe të prisni më pak nga bashkimi juaj dashuror. Përpiquni më mirë të jeni intimë. Ndani me njëri-tjetrin ëndrrat e fëmijërisë e, pse jo, edhe dyshimet dhe dhimbjet tuaja. Përpiquni edhe të njihni më mirë anët tuaja të brishta.

Nëse keni më shumë përgjigje d. Nga çifti, prisni shërim
Nganjëherë ju prisni nga çifti që të riparojë plagët e jetës suaj. Pa dyshim që kaloni shumë kohë së bashku, duke u përkëdhelur e duke i dhuruar njëri-tjetrit butësi, mbështetje dhe prova dashurie. Ju duket normale të kërkoni mendimin e tij/saj për problemet tuaja. Bota, me dramat dhe lumturitë e saj, ndërhyn pak në kukulen tuaj. Pritshmëritë tona dashurore janë shpesh në funksion të historisë sonë. Mbase ju prisni nga çifti diçka që nuk e keni pasur kurrë: Një dashuri të pakushtëzuar. Ai/ajo duhet t’ju dojë ashtu si jeni dhe t’jua provojë. Nganjëherë ju investoni shumë në fuqinë për të qenë të lumtur.
Rreziku: Na pëlqen të besojmë që dashuria i zgjidh të tëra! Shpesh, kjo nuk është e vërtetë. Ju ndani me partnerin/en gjithë fiksimet tuaja, për t’u dhënë fund plagëve të fëmijërisë e depresioneve tuaja dhe kjo përbën rrezik. Çifti juaj, që ka vetëm një mision, atë që t’ju shpëtojë, mund të lodhet nga kjo. Pastaj, të kërkosh te tjetri atë që mbase nuk e keni pasur kurrë, ju bën të ndjeheni vazhdimisht jo aq i/e dashur sa duhet.
Këshillë: Kjo dëshirë për t’u plotësuar nga tjetri, krijon një mungesë në çift, një formë varësie, me bindjen se ju nuk mund të jeni i/e lumtur pa të. Për plagët intime është mirë të bëni terapi. Çifti mund të ketë një projekt të ri, atë të autonomisë. Kjo rrugë mund të nisë duke kultivuar dashurinë për veten…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *