Të nderuar lexues, e di që do të më paragjykoni që kam qenë e dobët, apo që kam qenë nënë e keqe, por nuk kisha zgjidhje tjetër…
Fatkeqësia ime filloi kur bashkëshorti im pësoi një aksident dhe unë mbeta vetëm me vajzën 4 vjeçe. Isha shumë e re kur mbeta e ve, pastaj edhe jeta nuk kalohet vetëm, sepse do vinte një ditë që vajza do të shkonte në shkollë, do martohej dhe unë nuk doja t’i bëhesha barrë.
Kur vajza u bë 9 vjeçe, vendosa të martohesha sërish dhe bashkëshorti im i dytë ishte një i zgjedhur i familjes sime. Me të vërtetë dukej djalë i mirë, kishim dymbëdhjetë vite diferencë, por nga pamja nuk e tregonte moshën. Ishte natyrë e rregullt, shkonte në punë, në shtëpi më ndihmonte me ndonjë punë të vogël, merrej goxha edhe me vajzën për mësimet. Pas dy vitesh martesë, ne u bëmë me një djalë. “Edhe vajzën e kemi, tha ia, edhe djalin na e dhuroi Zoti..”. U lumturova nga kjo që dëgjova, që vajzën po e quante si të vetën. Edhe pse e shikoja që merrej vazhdimisht me të, gjithmonë kisha pak frikë se sot, çfarë s’po na dëgjojnë veshët. Vajza po rritej e vëllai i vogël e donte. Djali ishte kopja e të atit dhe të dy fëmiljët dilnin e loznin poshtë pallatit bashkë, ndërkohë që im shoq pinte kafe përballë. Por, siç janë fëmijët e sotshëm, që kanë zhvillim tjetër, jo si ne, vajza kishte hedhur shtat, ishte shumë më e lirshme sesa unë në rininë time të hershme. Kur kishte mbledhje prindërish në shkollë, te vajza shkonim herë unë e herë bashkëshorti im dhe ai thoshte gjithmonë që “është vajza ime” dhe e thoshte me plot gojën, aq sa edhe ato frikërat e mia të pashprehura shuheshin.
Në pushimet verore, fëmijët i çonim në plazh, një herë me motrën time dhe kur ishte radha për të shkuar unë me burrin, merrnim edhe fëmijët e saj. Kur vajza ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe, sigurisht ishte plot hire, njomështi dhe bukuri. Një djalë që ishte në plazh sikur filloi t’i vardisej dhe bashkëshorti im ndërhyri. Në fakt, ndërhyrja ishte shumë e patakt dhe përfundoi e dhunshme sepse ia dha ca shpulla të mira atij djalit. Sapo u kthyem në shtëpinë që kishim marrë me qira, iu hakërrye vajzës dhe un nuk isha e zonja ta mbroja sepse pozicioni ishte i tmerrshëm.
– Të kam dashur si vajzën time, – i tha, – dhe ti më hargalisesh me djemtë e tjerë në sytë e mi?!
– Edhe unë të dua si babain që nuk e pata kurrë, por nuk zgjidhen gjërat as me të bërtitura, as me shpulla e grushta, – i tha ajo. – Unë jam në lule të moshës, baba i dashur… – tha ajo, por u thartua në fytyrë, kur tha fjalën “baba”.
U përpoqa të ndërroja muhabet, sa për t’i qetësuar, u thashë se “latë nam e po ju dëgjojnë të gjithë”, por kjo do të ishte dita ime e fundit e lumtur. Ato pushime mbaruan ashtu, pa ndonjë sherr apo incident tjetër. Erdhi shtatori e vajza shkoi në shkollë, kurse djali filloi klasën e parë. Me djalin merreshim me radhë, herë vajza e herë i ati, që ta ndihmonin me detyrat.
Sapo filloi dimri i ftohtë, mamaja ime pësoi një hemorragji cerebrale dhe mbeti e shtruar në spital në Tiranë, për tre javë. Nusja e vëllait ndenji javën e parë, por barra kryesore më ra mua. Në fakt, ishte e drejtë; ajo i kishte fëmijët më të vegjël, pastaj ishte nëna ime, jo e saja.
Ndenja në spital me mamanë për 13 ditë rresht, sigurisht, pa e ditur që në shtëpinë time ishte bërë gjëma. Të dielën e parë që unë isha në spital, djali i kunatit tim kishte patur ditëlindjen dhe kishin ftuar djalin tonë, sepse fëmijët i kishim moshatarë. Në shtëpi kishte mbetur vetëm im shoq dhe vajza. Ajo kishte qenë nata e tmerrit për vajzën time dhe nata e turpit, për tim shoq. Ai e kishte përdhunuar, nuk e kishte lënë as të bërtiste që të kërkonte ndihmë dhe ajo nuk kishte mundur të dilte.
Kur u ktheva nga spitali pas 8 ditësh, gjendja m’u duk si e nderë. Vajza nuk fliste, ishte dobësuar e tretur… E pyeta si ishte e më tha “mirë”, por ajo “mira” e saj, sikur më vrau. Nuk më shkoi mendja aq larg, se nuk mund ta mendoja se njeriu mund ta bëjë një gjë të tillë. Djali ishte mirë, vetëm pak i acaruar sepse i ati dhe e motra i flisnin dhe e ndihmonin shumë pak.
Erdhi Viti i Ri dhe vajza më tha që donte të shkonte të festonte të halla e vet, sepse nuk kishte shkuar asnjëherë për festë. Nuk e kuptova këtë dëshirë të saj, sepse ajo asnjëherë nuk ishte bërë me hallat e saj, por gjithsesi fola në telefon me ish-kunatën time. Më tha që do të vinte ta merrte vetë vajzën në shtëpi dhe se do të kujdesej për e të mos kisha merak.
Im shoq nuk bëri asnjë koment, siç e kishte zakon të ankohej se “po del shumë, po vonohet shumë” dhe unë mendoja “s’ka faj, se ai do që ta ruajë” sepse ishte në moshë delikate adoleshente.
Ai Vit i Ri m’u duk më i ftohtë pa të dy fëmijët aty, pa hargalisjen e ëmbël të sime bije dhe akoma nuk dija asgjë për atë që kishte ndodhur. Im shoq ishte bërë shumë i zymtë, por nuk sillej keq as me mua, as me fëmijët. Thjesht, nuk fliste shumë. Kaloi festa dhe vajza erdhi më e ngrysur në shtëpi. U shqetësova dhe u përpoqa të flisja me të.
– Se mos ke rënë në dashuri… – i thashë. – Ne duhet të flasim me njëra-tjetrën. Duhet ta dish që mua më ke krah, do të përpiqem t’i mendoj gjërat me kokën tënde. Nuk dua që të bësh gabime, nuk dua që të vuash… je shumë e re.
– Do që të mos vuaj? – më tha, por ai shikimi i saj më trembi. – Atëhere, më lër të mësoj.
Uli sytë mbi libër dhe nuk më foli më gjatë. U largova për të mos e acaruar, po më sëmboi në zemër. Kështu vazhdoi gjithë kohën, nuk fliste, nuk hante në të njëjtin orar me ne. Mbaroi shkolla dhe me notat ishte po aq mirë sa vitet e tjera. Kjo më qetësoi disi. Nëse do të kishte patur të dashur apo probleme të tilla, do të kishte rënë në mësime. Në pushimet e verës, nuk pranoi të vinte me ne.
– Dua të shkoj me hallën me pushime, nuk kam shkuar asnjëherë me ta! – më tha dhe u largua menjëherë. Nuk na la kohë as mua e as tim shoqi që të reagonim, të miratonim apo kundërshtonim. Në fakt, im shoq, pothuaj nuk i fliste më fare, por në atë moment i bënë sytë xixa nga nervi.
Edhe në verë, ime bijë nuk fliste, rrinte e mbyllur në vetvete, ishte dobësuar dhe një ditë, ndërsa po lexonte një roman, më tha:
– Mezi pres të mbaroj gjimnazin e të iki në shkollë të lartë, të iki në konvikt dhe të mos ia shoh më surratin asnjërit.
– Ç’është kjo që po thua? Çfarë të kam bërë që të më thuash këto fjalë? Edhe unë, edhe babi të duam e kujdesemi për ty që mos të të mungojë asgjë.
– Po ti më do se të bëj punët, ai më do se shfryn testosteronin mbi mua se ti nuk i pëlqen më. Kjo është dashuria juaj!
– Çfarë? – Mua m’u duk sikur më iku ajri, nuk po gjeja më oksigjen për mushkëritë, o Zot çfarë i ishte ndodhur vajzës! Nisa të qaja, por nga ana tjetër, lutesha me vete se ajo që po mendoja nuk ishte e vërtetë…
– Të lutem më thuaj çfarë ka ndodhur, – i thashë – unë nuk di asgjë. Prandaj nuk flisni ju me njëri-tjetrin? Kur ka ndodhur? Si ka ndodhur? Ku dreqin isha unë? Oooo, hapu tokë e më përpi, me ç’mostër paskam jetuar!
Pas pesë minutash që më shihte si e shastisur nga reagimi im, vajza më tha:
– Po ti, nuk e di, nuk të tha ai?
– Si e ditkam dhe paskam ndenjur kaq qetë?! – i thashë.
Ajo më liroi pak vend anash saj dhe më tregoi fill e për pe ç’kishte ndodhur. Me siguri e reflektoja alarmin, tmerrin, përçmimin për të, sepse im shoq, sapo erdhi, ngriu në vend.
– O Zot, – i ulërita sapo e pashë në derë, – Përse vdesin njerëz të pafajshëm dhe jeton ti që je një ndyrësirë e vërtetë?
I kuq si speci, ai erdhi e u ul në gjunjë para meje. Pa i ngritur sytë, më tha: – Nuk kam guxim ta vras veten, po ja ku më ke. Bëje të lutem dhe të shpëtoj edhe unë. Do të lë një letër për policinë që e ke bërë me dëshirën dhe këmbënguljen time, që as ti të mos kesh pasoja, vetëm të lutem, bëje!
Vajza u ngrit menjëherë e iku, kurse ai u ngashërye në lot para meje. Lotët e tij për mua nuk kishin asnjë vlerë, por ishin një premtim që, të paktën, nuk do të ndodhte më. Nuk dija ç’të bëja, të ikja nga shtëpia me fëmijët, s’kisha ku të ikja, të rrija, ishte e tmerrshme ta shihja me sy me atë që mora vesh.
Atë natë fjeta në kuzhinë me vajzën, më saktë, u shtriva, se nuk mund të flija. E nesërmja në punë po zvarritej, nuk më rrihej, nuk më shkohej gjëkundi, isha në një gjendje të tmerrshme. Sado që të mundohem ta them me fjalë, nuk do të arrij.
Kur arrita në shtëpi, vajza më tha krejt qetësisht:
– Ma, e kuptoj që ti nuk mund të ndryshosh asgjë në këto momente, por të lutem, mos ma shto mërzinë me këtë ankthin tënd. Nuk të duroj dot që vetëm shfryn nëpër shtëpi. E kuptoj që s’ke ku të shkosh as ti e as unë, prandaj mblidh mendjen.
Dhimbja ime sa vinte e rritej, burrin nuk doja ta shihja më me sy, vajza nuk donte të na shihte asnjërin me sy. Djali kërkonte përkujdesjen e përhershme, por tashmë, gjithçka ishte krisur në këtë familje. Ai ishte i vogël, nuk kishte faj për maskarallëkun e të atit, por edhe vajza ishte krejt e pafajshme që të përballonte krejt e vetme atë që i kishte ndodhur. Me këtë gjendje në shtëpi ku asnjë nuk fliste, vetëm plotësonim detyrimin tonë si prindër për djalin, kurse vajza mbaroi edhe vitin e fundit të gjimnazit. Më e lumtura në këtë mes dukej të ishte vajza dhe na e shprehte shumë hapur të dyve që do të largohej nga shtëpia.
– Do mbetem ndonjë ditë pa ngrënë, se pensioni i babait tim është shumë i vogël, por do të jem më mirë… – thoshte dhe plaga ime rritej e thellohej.
Një natë, im shoq erdhi në shtëpi shend e verë, kishte blerë një tortë dhe na thërriste e bërtiste nga koridori të treve me emra.
– Duhet të festojmë, duhet të festojmë… – thoshte ai, po a kishte vend për festë në këtë shtëpi ku çdo gjë kishte marrë rrokopujën?
– Vajza ime e dashur, surpriza është për ty, por të lutem më jep edhe një buzëqeshja e pastaj le të vdes! – tha ai me një frymë.
Djali u hodh menjëherë nga gëzimi, kurse ne të dyja e shikonim krejt ftohtë sepse nuk ishim të interesuara për surprizat e tij. Ndërsa hoqi këpucët, ai erdhi e ul në divan dhe këmbënguli që të tre t’i afroheshim. Sigurisht që u ula në mes të vajzës dhe atij.
– Jo, dua vajzën time këtu, t’ia them tërë atë që kam për të. Një shoku im, – filloi të tregonte, – punon në një ambasadë (nuk po e them në cilën, për efekt anonimiteti) në Tiranë. Para katër vitesh i kam bërë një nder dhe një ditë ma kujtoi e më tha që nëse do të kisha nevojë për të, t’i telefonoja. Sigurisht, më erdhi në kohën e duhur dhe ia kërkova në vend nderin që duhet të më bënte. I kam kërkuar të më rregullojë një bursë për shkollë të lartë për vajzën tonë në Europë.
Të dyja, nënë e bijë, ngrimë. Ishte e pabesueshme që, ai që kishte bërë maskarallëkun më të madh, tani po përpiqej të kërkonte falje në këtë mënyrë.
– Dhe meqë vajza ime është më e mira, më e zgjuara e shkollë dhe ka mesatare të lartë, ka fituar të drejtën e studimit në shkollën më të mirë të Europës. Gjysmën e bursës e paguan ambasada dhe gjysmën, familja.
– Po si do ia bëni? Bursat janë të shtrenjta andej dhe ju nuk jeni biznesmenë që të paguani, – u përgjigj menjëherë vajza.
– Do bëjmë diçka, – tha ai, – e rëndësishme është që ti do të shkollohesh në universitetin më të mirë të Europës, do bëhesh vajza më e aftë dhe më e mira, siç ke qenë qysh ditën e parë që të kam njohur, pavarësisht makabritetit tim… – tha ai dhe i rrodhën lotët…
Fatmirësisht, djali nuk kuptoi asgjë, se ishte i vogël. Pas një muaji e gjysëm, vajza u nis për në shkollë. I dhamë gjithë paratë që i duheshin për t’u sistemuar dhe i thamë që shumë shpejt do t’i nisnim edhe të tjera. Tashmë, bashkëshorti im punon në dy punë sepse paguajmë shkollën e vajzës dhe ai nuk ankohet asnjëherë. Ajo ka edhe një vit për ta mbaruar, por kam frikë se gjendja nuk do të kthehet kurrë siç ishte në fillim. Nuk di a do të jemi aq të forta sa ta falim unë dhe ime bijë, që e kaloi në kurriz…
Advertisement