Adelina Tahiri është një vajzë mjaft pozitive, me mendime të pjekura për jetën, të denja për dikë më të rritur se mosha e saj. Ka qenë për shkak të natyrës së saj, edukimit të prindërve apo klisheve të intervistave, nuk mund ta themi me siguri, por çiltërsia me të cilën shprehet, të shtyn të mendosh se ajo, e tillë është: E thjeshtë, e sinqertë, me atë timbrikën e veçantë, të ngrohtë dhe sensuale, njësoj si në “Heart on fire”, nis të flasë në këtë intervistë për këngën, familjen, përditshmërinë dhe gjithçka tjetër, derisa në fund kupton se të ka bërë për vete. Fakti se ajo ka dashur të qëndrojë sa më larg mediave të shkruara këto kohë, do t’jua bëjë kohën e leximit të këtyre radhëve, akoma më interesante…

– Si e ke zemrën, on fire si te kenga jote?
– Zemrën nuk e kam “on fire”, e kam shumë ok, por dua ta kem “on fire” se kur je në një gjendje të tillë, je edhe më e frymëzuar për gjithçka.
– Ato linja të bukura në klip janë rezultat palestrash, dietash apo të mamasë tënde dhe të nënës natyrë?
– Nëna natyrë mban numrin një sepse sado që të bësh palestër, nëse nuk i ke ato linja, nuk i ke. Por, unë e kam thënë gjithmonë që çdo femër është e përkryer në mënyrën e saj dhe nuk ekziston femër e shëmtuar. Madje, për mua, femra është qenia më e bukur njerëzore, por nuk jam lesbike, le të sqarohemi. (Buzëqesh)
– Çfarë e bën një vajzë si ti ta kthejë kokën pas në rrugë? Një njeri që kërkon lëmoshë ndoshta apo një veshje e bukur në vitrinën e një dyqani…
– Nuk pres të kthej kokën pas për t’i dhënë para një lypësi që më kërkon diçka. Nuk mund të qëndroj indiferente ndaj kësaj, nuk e kam bërë kurrë. Një veshje në vitrinë mund ta blej, por ajo që do të më bënte të ktheja kokën do të ishte një mashkull që ka stil dhe duket bukur, ashtu sikurse një vajzë me të njëjtat cilësi, që mund të ishte veshur edhe me një palë xhinse të vjetra, por që ka ditur t’i kombinojë dhe që i rrinë bukur në trup.
– Nëse shkon në dasmën e një shoqes tënde, mallëngjehesh ndopak?
– Unë besoj shumë në Zot e në fuqinë mbinatyrore dhe besoj se çdo vajzë apo çdo burrë e ka fatin e vet dhe martesën e bën kur e ndjen. Nuk lakmoj në diçka të tillë, edhe pse çdo femër e ëndërron fustanin e bardhë, por kur të vijë momenti për gjithçka. Unë e ëndërroj sinqerisht dhe ia dëshiroj çdo femre këtë sepse fëmija dhe fustani i bardhë janë ëndrra e çdo femre që lind.
– Cila është idea jote për veshjen në përgjithësi?
– Duhet të ketë stil, mbi të gjitha. Ok, jemi në një kohë kur fjalën modë e dëgjon gjithandej dhe e duan të gjithë, por nuk është e domosdoshme që një veshje të jetë në modë, aq sa është e nevojshme të përcjellë karakterin e njeriut. E vesh diçka jo se është në modë, por se më bën mua të ndihem mirë.
– Nëse je në dyqan dhe një vajzë blen përpara syve të tu xhaketën që të pëlqen kaq shumë, çfarë ndodh?
– Dëshpërohem dhe kaq. Është jashtë karakterit tim të reagoj. Më ka ndodhur disa herë, në fakt, jo një herë, po ç’mund të bësh? Do të përpiqem të gjej një xhaketë të bukur ose ta ëndërroj tërë natën, të bëj sikur e kam veshur diku dhe kështu, më kalon. (Buzëqesh)
– Cila ka qenë gjëja më ekstravagante që ke bërë së fundmi?
– Kur isha në Dubai këtë verë dhe bëra Skydiving (hedhje me parashutë). Më ka përmbushur vërtet. Është diçka që rrallë ka guxim ta bëjë njeri, pasi janë 10.000 metra lartësi dhe unë nuk kisha frikë nga vdekja. Mund të them se më pëlqejnë emocionet e forta; rreziku më pëlqen shumë.
– Atëhere, na thuaj cili ka qenë rreziku më i madh që ke ndërmarrë ndonjëherë?
– Ky ishte rreziku më i madh në jetë sepse nënshkrova që edhe nëse vdes, marr përgjegjësitë. Ishin 5 faqe kontratë dhe unë vetëm thosha: “Yes, yes, yes. I vvill do it!”. E vetmja gjë që ata të sigurojnë nëse diçka nuk shkon siç duhet, është kufoma.
– Adelina, cilat janë veset e tua?
– Unë nuk pi duhan, alkoolin pak dhe nuk kam provuar kurrë asnjë lloj droge në jetën time. I vetmi ves që i njoh unë vetes është egoja e madhe, por me këtë nuk besoj t’i bëj dëm askujt përveç vetes sime, nëse nuk i arrij qëllimet e mia.
– Si do ta përshkruaje Adelinën parë me syrin e Adelinës? Na thuaj diçka surprizuese për veten…
– Njerëzit që nuk më njohin, për shembull, nuk e dinë se unë jam shumë emotive, prekem lehtë dhe di të dua shumë, por po më preke në tel, mos prit asgjë të mirë. (Qesh) Mbi të gjitha, di të fal dhe jam njeri emocional.
– Ke bërë shumë bamirësi që kur je bërë e njohur?
– Kam bërë jo vetëm tani, por gjatë gjithë jetës. Prindërit e mi kanë bërë po ashtu dhe janë ata që le të themi, ma kanë bërë si traditë. I kam bërë gjithnjë fshehurazi dhe kurrë në jetë nuk kam tregu. Edhe sot e kësaj dite, askush nuk e di sepse e bëj për Zot dhe për vete. Madje, kur ndodh diçka e mirë, e para gjë që më bie ndërmend është se ndoshta janë të mirat që kam bërë që po më kthehen mbrapsht.
– Si është Adelina brenda mureve të shtëpisë?
– Jam shumë e afërt me prindërit, edhe pse nuk shihemi shumë, për shkak të kohës që më mungon. Kohët e fundit po dal shumë në Shkup, me shoqërinë time, që e kam prej vitesh. Më mungon Kosova e Tirana, por gjithsesi, jam shkupiane dhe jam lind e rrit në Shkup.
– Ke dashur që disa gjëra t’i bëje ndryshe në jetë apo gjithçka është si një pikë mbi i te ti?
– Do të ishte e pamundur! Ka shumë gjëra në jetën e gjithkujt që nuk janë ashtu si ai do të donte të ishin. Askush nuk e ka jetën të përkryer dhe askush nuk është pa probleme, por kjo është e bukura në jetën e njeriut. Po të mos kesh vështirësi në jetë, nuk ke si ta ndjesh veten të suksesshëm pas çdo arritjeje sepse suksesi përfshin edhe vështirësitë e mëdha. E rëndësishme është të dimë që, pas çdo shiu, ka gjithmonë diell dhe, pas çdo dielli, ka shi.
– Për t’iu larguar shiut dhe ditëve të ftohta, cilin prej vendeve me diell do të zgjidhje tani për të bërë pushime?
– Bora Bora, dhe nuk është rastësore. E kam menduar dhe ndoshta do shkoj, nëse ma lejon puna, sigurisht.
– Adelina, është kjo periudha më e artë e jetës tënde?
– Nuk mund ta them, se unë akoma e pres periudhën më të artë të jetës sime. Ndoshta sa herë që ka qenë, kam qenë unë e lodhur dhe nuk e kam shijuar. Ndoshta do ta shijoj siç duhet kur të jem në fund të karrierës, nja 60 vjeçe. (Buzëqesh)
– Çfarë mund të thuash se të pëlqen së tepërmi në profesionin prej këngëtareje, që edhe kur vë kokën në jastëk, thua: “Sa mirë që kam këtë profesion”?
– Vetë muzika! Është e vetmja gjë që më mbush. E dua artin. Ajo që pengon disi është mungesa e privatësisë, por sidoqoftë, unë do t’i kushtohem tërë jetën. Të paktën një këngë në vit, do ta bëj, tani sa jam e re, pa burrë dhe fëmijë. Asnjë burrë nuk e do gruan këngëtare dhe kjo është pak problem. (Qesh)
– Nëse i pyet zakonisht këngëtarët për këngën më të bukur, të thonë që i kanë të gjitha të bukura, por nuk besoj se do të ndodhë njësoj me ty…
– Unë e kam një që e dua më së shumti dhe kjo është kënga “Ti mos u kthe” që kam kënduar në Këngën Magjike. Sot e kësaj dite, kur e këndoj atë këngë, qaj.
– Mbaj mend që ke qarë edhe ndërsa e këndoje te Kënga Magjike…
– Të gjithë qanin nga ventilatorët atëherë, vetëm unë qaja nga halli. (Buzëqesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *