Juli është pa dyshim “I fundmi i Mohikanëve” të apartamentit më të famshëm në Shqipëri. Julian Deda, Gentjan Zenelaj dhe Ermal Mamaqi kanë qenë tre aktorët bazë, të parët “mikpritës” të Apartamentit 2 XL, por tashmë, këta dy të fundit kanë nga një strehë të re, në televizione të tjera. A e ndjen Juli mungesën e tyre, a është i mërzitur për këtë fakt? “Do të doja që të ishin Genti dhe Ermali, por nuk kam ndonjë mërzi profesionale”, shprehet ai. 

Një tjetër “arratisje” nga Apartamenti 2 XL është edhe ajo e Xhodës, i cili tashmë është pjesë e trupës së “Portokallisë”… Të gjitha këto lëvizje, i analizojmë bashkë me Julin, në këtë intervistë…

 

Enkeleda Kurcani: – Juli, sapo ka nisur sezoni i ri i Apartamentit 2XL dhe disa banorë të rinj janë bërë pjesë e tij. Si shkon bashkëjetesa me ta?

Julian Deda: – Bashkëjetesa nuk shkon keq. Qëllimi i audicioneve ishte të përftonim ndonjë talent të ri dhe mendoj se gjetëm elementë të rinj të mirë. Ne, domethënë të vjetrit e Apartamentit, duhet të sillemi mirë dhe t`i pranojmë me dashamirësi, për t`i bërë ata të ndihen mirë dhe kësisoj, ata japin më të mirën e vet. Ne nuk përpiqemi të zëvendësojmë asnjë emër konkret. Apartamenti e ka të nevojshme të rifreskohet herë pas here me aktorë të rinj. Mendoj se bashkëjetesa do jetë e mirë, e vazhdueshme, e rehatshme. Apartamenti ynë është tashmë më i njohuri në Shqipëri dhe, në qendër jemi unë e Albanoja; ne jemi mikpritësit!

– Sezoni i kaluar shënoi edhe ikjen e Gent Zenelajt nga Apartamenti. U ndje mungesa e tij?

– Ç`është e vërteta, çdo ikje është një mungesë… Jo vetëm e Gentit; edhe ikja e Xhodës është mungesë. Unë nuk jam natyrë që e kthej kokën mbrapa, nuk bëhem melankolik. Për mua, jeta artistike vazhdon, duhet t`i përkushtohesh më shumë asaj që ke përpara. Ajo që është bërë, është bërë. A ndjej mungesë? Nuk kam përgjigje për këtë… Edhe nëse ndjej, nuk i jap llogari askujt. Në Apartament nuk ka vende bosh, shfaqja vazhdon dhe ka shumë energji. Jam shumë i kënaqur me të gjithë vajzat dhe djemtë e Apartamentit. Do të doja të ishin Genti dhe Ermali, por nuk kam ndonjë mërzi profesionale. Jeta vazhdon, arti vazhdon. Këto janë sprova që të bëjnë mirë, të çojnë në rezultate që nuk i kishe parashikuar.

– Vazhdon ta ruash miqësinë me Gentin dhe Ermalin?

– Arti e profesioni është një gjë, kurse jeta është një gjë tjetër. Sigurisht që miqësia mbetet, por oraret e punëve nuk janë aq të favorshme, për t’u takuar shpesh. Nuk na del kohë për t`u takuar as me familjen…

– Po Xhoda, që iku nga Apartamenti pa gjetur zogun e Tunës!… Do ta marrë përsipër ndonjë tjetër këtë mision?

– Zogu i Tunës ishte një element që Xhodës iu dha që ta përdorte, linjë që kishte suksesin e vet. Jo, nuk do ta kërkojë dikush tjetër zogun; ishte mision ekskluziv i Xhodës! Uroj ta gjejë një zog Tune atje ku ka shkuar, por s`e besoj, se zogjtë e Tunës i kanë vrarë… (Qesh) Sigurisht që çdo lloj largimi krijon boshllëk, por jo të pariparueshëm. Apartamenti funksionon si një trup, që nga koka e deri te këmbët, që nga drejtori, Turi e deri te punët e skenës. Përderisa është kështu, nuk shqetësohem. Dy sezonet e fundit ka pasur shumë interesim për Apartamentin, nuk gjen bileta. Kjo është meritë e trupës dhe e njerëzve që janë dashamirës ndaj nesh, një sinergji shumë pozitive. Jam shumë i kënaqur…

– Je i fundmi nga të parët e Apartamentit. Çfarë do të bëje ti Jul po të të vinte një ofertë, do largoheshe?

– Apartamenti është një projekt për të cilin, bisedën e parë e kam bërë unë me Turin, pra, projekt që ka nisur nga ne të dy. Ndjehem pak a shumë si pjesë e ngritjes së Apartamentit. Të them të drejtën, më dhemb të largohem, por jemi njerëz të gjallë, profesionistë. Unë jam i hapur ndaj çdo oferte, si çdo profesionist, por që të largohem, do të duhet një ofertë më shumë se e turpshme, siç ka thënë Krasta. (Qesh) Është shumë e vështirë të largohem që aty, por do tregohesha i ngurtë nëse do thoja se nuk pranoj asnjë lloj bisedimi. Nuk ka njerëz që të mendojnë kështu!

– Cilat kanë qenë për ty, temat e nxehta që keni trajtuar në Apartament?

– Temat më të nxehta janë gjithçka që është aktuale, ato me karakter social e politik. Përgjithësisht, ne mundohemi të gjemë anën ku publikut i dhemb. Humori është gjithnjë në opozitë, përpiqemi të jemi gjithnjë në krah të popullit.

– Sa dakord je me shprehjen: “Kush nuk di të qeshë, nuk është njeri serioz”?

– Humori është pjesa më e rëndësishme e seriozitetit. Të dish të qeshësh do të thotë se bën pjesë te njerëzit inteligjentë, imagjino të dish të bësh për të qeshur. Humori, ironia e sarkazma, lindin nga drama, nga një shqetësim që ti ke. Absurdi është se ti qesh me një dramë sociale, për shembull. Është një lloj loje e dyfishtë. Ne shqiptarët jemi të tillë, e kuptojmë humorin.

– Cila ka qenë shprehja më e bukur që ke lexuar apo dëgjuar për humorin?

– Kjo që thashë më lart: Humori është pjesa më e rëndësishme e seriozitetit.

– Me sa po spiunoja në profilin tënd në Facebook, rezulton që mirë je edhe ti me përdorimin e këtij rrjeti social…

– Po, më pëlqen, pse ta mohoj?! Është media më e pavarur që ekziston. Te faqja ime apo faqja e fansave, mund të them çfarë të dua dhe si ta dua; ashtu bëjnë edhe të tjerët. Ky është një komunikim i drejtpërdrejtë dhe i lirë. Mund të ketë sjellë dëme, por ka edhe këtë të mirë, është një media e mirë, një komunikim efiçent.

– “Le të shpërthejnë kukullat”, një status yti në Facebook. Sa i shikon dhe cilët janë serialet e tu të preferuar?

– Epo, duke pasur fëmijë në shtëpi, e para kam mësuar çdo film vizatimor përmendësh. Fëmijët, përveçse bllokojnë televizorin, bllokojnë të gjitha mjetet teknologjike në shtëpi; lap top, telefona, Ipad e detyrohesh të shohësh ç`shohin ata. (Qesh) Unë vazhdoj të jem besnik i “Tomi dhe Xherrit”, më pëlqejnë Kung Fu Panda dhe VVallee… (Qesh) Dhe, meqë jemi te statuset, kam shkruar edhe një status të tillë “Filmat vizatimorë shprehin më shumë sesa filmat me njerëz realë, edhe skenarist, edhe regjisori, ka shumë dorë për të ideuar shumë gjëra.”

–  Veçse aktor, ke dhe një mision tjetër shumë të vështirë, je baba. Besoj se kanë filluar tashmë pyetjet pa fund nga fëmijët. Mund të na tregosh një ToP 5?

– Oh, fëmijët e mi bëjnë shuuuuumë pyetje. Falë Zotit, unë dhe bashkëshortja ime jemi në gjendje t`u kthejmë përgjigje. “Si krijohet era?”, më pyetën një ditë. Ka pyetje për të cilat ua jap shpjegimin, por ka edhe të tjera të cilat ata duhet t`i mësojnë kur kanë momentin…

– Tashmë është bërë modë që, kur je VIP, ke edhe një biznes tëndin. Si të lindi ty ideja për “Trikotazhin”, për modë apo…

– U bë kjo sepse në Shqipëri je i rëndësishëm vetëm po pate biznes dhe po të merresh me politikë. (Qesh)

– A ka pasur veprimtari të mjaftueshme “Trikotazhi”?

– Në këto momente krize globale, jo keq.

– Ke qenë imazh i një pijeje energjike. I dhe ti energji pijes apo të dha ajo ty?

– Ishte Genta Ismajli që na dha energji edhe mua, edhe pijes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *