Ingranazhi i rrotave me dhëmbëza, që transmeton lëvizjet mekanike deh që është konsideruar dikur si shpikja më e madhe e mekanikës, është përdorur natyrshëm nga insektet për të siguruar lëvizjet sinkrone të këmbëve, sidomos gjatë kërcimeve… Mirëpo këtë fenomen, shkenca nuk e njihte. Atë e zbuluan për herë të parë specialistët Malkol Berouzi, pedagog në Universitetin e Kembrixhit dhe inxhinieri Gregori Saton, gjatë vëzhhgimeve të bëra te larvat e insekteve “Issus coleoptratus” që janë mjaft të përhapur në Evropë dhe në Amerikën Veriore. Në dallim nga karkalecët e zakonshëm, ata i kanë këmbët e tyre jo ndanë trupit, por në fund të tij, nën ije. Ky pozicion kërkon që këmba e djathtë me të majtën të jenë në sinkron të plotë, sepse në rast se insekti do ta hedhë njerën këmbë qoftë edhe paksa përpara tjetrës, atëhere do të pengohet dhe trupi do të kalojë në anën tjetër… Sikronizimi i përpiktë atyre iu duhet sidomos për të kërcyer nga një vend te tjetri (ato insekte që nuk janë veçse 5 milimetra të gjata, mund të hidhen në një distancë deri në një metër) sepse në të kundërtën ato do të rrëzohen. Secili nga këta “ingranazhe” ka 10-12 dhëmbëza, përmasat e të cilave nuk i kalojnë të 30 mikron. Kur larvat rriten, “ingranazhet” zhduken vetvetiu. Shkencëtarët e lidhin këtë fenomen me faktin se insektet e rritura nuk kanë nevojë më për to, sepse mund të ecin dhe të hidhen pa ndihmën e tyre. Në fakt, prania e “ingranazheve” në këmbët e insekteve është përshkruar që në vitin 1957, por nuk dihej funksioni i tyre dhe kjo u zbulua vetëm me ndihmën e disa kamerave të posaçme, të cilat xhirojnë me një shpejtësi 5 mijë kuadro në sekondë. Lëvizja e këmbëve gjatë kërcimeve, kur janë në veprim “ingranazhet”, zgjat gjithsej vetëm 30 milisekonda. Sipas speciallistëve, “ingranazhet” i transmetojnë impulset më shpejt sesa këtë do ta bënin receptorët nervorë.
Interesante është se në rast se një këmbë do “t’ia kalojë” tjetrës, atëhere gjithë sistemi ndalon, bllokohet. Ky zbulim, nënvizon bashkautori tjetër, Gregori Satton, do ta ndihmojë më tej shkencën: Më parë mendohej se mekanizmat e këtij lloji nuk mund të kishin kurrë përmasa kaq të vogla për shkak të “forcës së fërkimit”, por shembullli i “ingranazheve” të këtyre insekteve tregon se ato mund të përdoren edhe kur janë shumë të vogla. Ne vetë u habitëm, nënvizon Satoni, kur zbuluam konstruksione të tilla, kaq të veçanta, pikërisht tek insektet që jetojnë në kopshtet tona…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *