E lexuat gazeten Intervista sot? Kishte shume intervista interesante apo jo? Por e dini se kishte edhe shume personazhe qe nuk i intervistuam dot? Ata kishin te benin me ngjarjen me te bujshme te javes, me ndeshjen Serbi-Shqiperi, që degjeneroi në një “shesh lufte” mes tifozëve serbë dhe lojtarëve shqiptarë. Pikërisht për këtë ngjarje deshëm të bënim disa intervista këtë javë…

EDI RAMA
Një intervistë për këtë ngjarje deshëm t’i merrnim edhe kryeministrit tonë Edi Rama, por nuk mundëm, se ai ishte në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, na pëlqeu qëndrimi që mbajti ai për këtë incident. Vetëm një gjë nuk kuptojmë: Pse duhet të jetë gjithnjë në pozicion mbrojtës diplomacia jonë? A nuk mund ta bënim ne të parët deklaratën për fishkëllimën e hymnit tonë kombëtar, për thirrjet antishqiptare, apo djegien e flamurit tonë në stadium? E di zoti Rama se si reagoi homologut i tij anglez, David Kameron në një rast të ngjashëm pasi serbët ushtruan dhunë mbi ekipin e të rinjve të Mbretërisë së Bashkuar? Të nesërmen pas ndeshjes, ai u shpreh se ishte “tmerruar nga skenat” dhe kërkoi që UEFA të vendosë “sanksione të ashpra” kundër Serbisë. A e shikoni si deklarohet kur tjetri të dhunon?! Ndërsa jemi të sigurtë, se, sikur serbët të mos kishin bërë notë proteste kundër flamurit, Kryeministri ynë e Ministria jonë e Jashtme, as nuk do të ishte kujtuar të protestonte, as kundër veprimeve raciste të serbëve e as kundër djegies së flamurit të Natos, si vend anëtar i së cilës jemi. Jemi dakord që të tregohemi modernë e europianë, por jo gjithnjë mbrojtja është pozicioni më i mirë. Se, ndodh që, kur luan vazhdimisht në mbrojtje, “ha” edhe gola, siç rrezikohemi të hamë ne nga UEFA… Ndofta kryemnistri ynë niset nga parimi i tij “zero probleme me fqinjët”, por serbët nuk janë më fqinjët tanë, zoti Rama. Ne, në Verilindje kufizohemi tashmë me Kosovën. Mos e harroni këtë, që të mos shkruani prapë në Facebook, siç shkruajtët këtë javë: “Krenar për Kuqezinjtë që, për sa pati futboll, fituan me lojë e me raste. Keqardhje për fqinjët, që lanë nam botërisht me shfaqjen …”

MISHEL PLATINI
I pari që deshëm të intervistonim ishte Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini. Na habiti deklarata e tij se “droni me flamurin e Shqipërisë etnike të lëshuar mbi stadium, ishte një veprim që mund të cënonte jetën e lojtarëve në fushë, se… droni mund të ishte një bombë, gjë që do të kishte pasoja tepër të mëdha…”. Kaq deklaroi Platinia i famshëm. Nuk tha asnjë fjalë, as për klithmat raciste “Vritini shqiptarët!”, as për rrahjen e lojtarëve tanë nga personat që ishin ngarkuar për sigurinë në stadium, as për fishekzjarret që ranë mbi kokat e futbollistëve tanë e as për fuçinë e madhe, ndoshta mbushur me benzinë, që serbët kishin arritur ta fusnin në stadium… Ne deshëm ta pyesnim, zotin Platini: Këto që përmendëm më lart, nuk janë “bomba”? Por e zëmë se droni kishte bombë, siç thoni ju, zoti Platini, se ai ishte futur aty nga terroristët… A nuk e mbajnë përgjegjësinë për këtë organizatorët serbë? Pse duhen gjykuar shqiptarët? Terroristët nuk kanë atdhe…

ALEKSANDËR VUÇIÇ 

As kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk mundëm ta takonim dot. Ai deklaroi këtë javë se “një grup ekstremistësh shqiptarë kishin si qëllim ta shfaqnin Serbinë si një vend intolerant dhe të poshtëronin të gjithë qytetarët e Serbisë. Përfaqësuesit e BE-së, shtoi ai, ishin këtu tre orë para ndeshjes dhe unë personalisht u thashë atyre se shqiptarët po përgatisnin një incident serioz”. Ju lumtë, zoti kryeministër, që e kishit zbuluar komplotin, por nuk mund të rrimë pa ju pyetur: Kur e dinit që po bëhej një komplot, pse nuk reaguat, pse nuk e ndaluat atë?! Kush ju pengoi për këtë, shqiptarët?! Mos ishit të interesuar edhe ju për këtë incident? Apo e kishit organizuar vetë komplotin?!

MAJA KOÇIJANÇIÇ
Maja Koçijançiçin, zëdhënësen e shefes së politikës së jashtme në BE, Katerinë Ashton, deshëm ta takonim e ta intervistonim gjithashtu këtë javë. Mes të tjerave, deshëm ta pyesnim edhe për opinionin e saj shprehur në një konferencë shtypi, menjëherë as ndeshjes, se “autoritetet serbe vepruan me përgjegjshmëri”. Ku e pa “përgjegjshmërinë” zonja Koçijançiç?! Te rojet e stadiumit që bënin sikur nuk shikonin tifozët që hynë në fushë?! Te gangsteri Ivanoviç që ishte mes atyre që rrahën lojtarët shqiptarë, edhe pse me vendim gjyqi e ka të ndaluar të futet në stadium?! Apo te deklaratat e tyre të gënjeshtërta për vëllain e kryeminsitrit tonë që kishte fluturuar dronin me flamur?! Nëse sheh ajo ndonjë veprim tjetër të përgjegjshëm, mund të na e thotë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *