Kaso Kosa: – Përshëndetje, shoku Enver dhe gëzuar ditëlindjen!
Enver Hoxha: – Faleminderit, mo djalë, se vetëm ti u kujtove të më urosh për ditëlindje! Ata që u’ i kam rritur e veselitur e që u futën në partinë time me lutje e me betime se do të jepnin jetën për partinë, as e vunë ujin në zjarr të më bënin një urim të thjeshtë. Harram e paçin bukën e partisë dhe mësimet e mia!
– Qenkeni shumë i revoltuar, shoku Enver…
– Si të mos jem, mo Kaso, djali?! U’ luftova dhe punova dyzet e pesë vjet për ata njerëz që sot gëzojnë të mirat që i solla Shqipërisë dhe atyre vetë. Në mos të gjithë, të paktën komunistët, që nga Saliu, Gramozi, Namiku, Tritani apo Kaçi, duhej të më keshën uruar që në mëngjes, por po vjen darka dhe akoma nuk kam asnjë mesazh. Inatin e kam sidomos me Sali Berishën që e kam rritur me fëmijët e mi e merrja kudo që veja me pushime, e hoqa nga gërxhet e Viçidolit, nga kakërdhitë e dhive dhe e bëra doktor. E dërgova në Francë edhe për specializim, edhe me detira të veçanta partie. Porosita Ramizin ta vinte në krie të Partisë Demokratike. Atë të mos e zinte gjumi, por të më dërgonte që pa gdhirë urime.
– Nuk duhet të jeni kaq i ashpër me Doktorin sepse është ca si i hutuar që nga 23 qershori i vitit të kaluar, kur i morën pushtetin…
– Mirë ia bënë që ia morën, se vetë i ka fajet. Edhe u, bëja zgjedhje në çdo katër vjet, po asnjë nuk guxonte të më dilte kundra. Fletët e votimit i numëronim siç donim ne dhe rezultatet delnin 99,99%. Pse nuk e bëri si në vitin 2009, kur rezultatin e vendosi vetë, apo si në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, kur i dha urdhër Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të fitonte me çdo kusht ai djali që më ngjan mua kur jesh i ri, Lulzim, a nuk mbaj mend se si e quajnë?!
– Në fakt, kanë ndryshuar shumë gjëra që nga koha juaj, shoku Enver dhe nuk mund të bëhen më votime si në ato vite, sepse jemi në demokraci.
– Përralla më thua mua, mo djalë? Komunistët nuk duhet të bëjnë tolerime me mësimet dhe vijën e partisë. Ai e nisi mirë në vitet e para kur mori pushtetin dhe futi në burg Ramizin e Nexhmijen time, sepse edhe unë e futa në burg dhe e pushkatova kunatin tim Bahri Omari pa m’u dridhur siri, vetëm e vetëm për t’u treguar armiqve se për vijën e partisë, shkojnë në litar të gjithë ata që i kundërvihen asaj. Sa jeshë në pushtet, i mora të gjitha nën kontroll, që nga gjykatat, prokurorinë, sigurimin e shtetit. Në këtë pikë, Saliu ka zbatuar mësimet e mia se vuri mbi të gjitha partinë, emëroi një president që nuk ia kthen fjalën partisë, Bujar Nishanin, burrë të urtë e me mustaqe, siç emërova u’ Haxhi Lleshin që rrinte tërë ditën nëpër bahçen e vilës së tij dhe hante gështenja të pjekura, ama firmoste ç’i thosha unë.
– Doktorin e akuzojnë pikërisht se ka mbajtur dhe ka ende nën kontroll shumë pushtete dhe sidomos SHISH-in, të cilin e ka përdorur për të përgjuar kundërshtarët e tij.
– I lumtë! Nga u’ ka mësuar! Pushteti mbahet me diktaturë dhe duke marrë nën kontroll të gjitha levat e tij, sidomos Sigurimin e Shtetit që është syri vigjëlent i partisë. Edhe u’ e kesha në pëllëmbë të dorës ç’flitej kundër partisë e kundër meje, pikërisht duke i përgjuar skutë më skutë e shtëpi më shtëpi dhe u preva kokat të gjithë armiqve të partisë, përpara se të ma prisnin mua. Edhe Nako Spiru apo Mehmeti deshën të më hanin kokën, po ua hëngra unë më përpara, ndaj qëndrova dizet e pesë vjet në krie të shtetit e të partisë.
– Diplomacia perëndimore është e mendimit se Berisha kishte marrë shumë pushtet në kushtet e demokracisë…
– Për këtë e kam dashur Sali Berishën, se ka ditur t’ua thiejë hundët imperialisto-revizionistëve duke ua vënë kufirin te thana e jo si ki djali i Kristaqit që u rri në këmbë si kamerier me lepe e peqe. Ja, po ta thom u’, po vazhdoi edhe ca kohë me këtë lloj politike ki Rama, dijeni se brenda pesë vjetëve, Shqipëria bëhet koloni e Gjermanisë dhe nuk do të ketë turp më të madh që na t’u nënshtrohemi atire që na kanë pushtuar më 1943 dhe të cilët unë nuk i qasa…
– Veteranët, ama, ju kujtuan, erdhën te varri juaj dhe sollën tufa me lule…
– Leri mor veteranët! Kush i piet ata tani që janë bërë si tutkunë, janë ndarë në dhjetë parti e nuk mbajnë mend përse kanë vajtur te varri im? Këta, këta të rinjtë të më keshën nderuar siç më takonte! Por mos harro se po u mblidhet litari dhe kur të vijnë këtu, zbor kam për t’u bërë, siç po i bëj Mehmetit, Nakos, Koçi Xoxes, Beqir Ballukut dhe qindra të tjerëve anëtarë e kandidatë të Birosë Politike.
– Besoj e morët vesh se ç’ndodhi në Beograd, në një ndeshje futbolli, mes nesh e serbëve…
– Nuku jam dakord me atë që u bë atje. Ne kemi detyrime ndaj miqve serbë. Serbët më bënë mua krietar të Partisë Komuniste më 1941 dhe më mbrojtën e më mbajtën derisa pata frymën gjallë. Ato mosmarrëveshjet me Titon ishin pjesë e politikave të mëdha që i luajtëm për të mbajtur secili postin që kishte në vendin e vet dhe, siç e dini nga historia, ia dolëm më sukses. Ata më rekomanduan edhe Ramizin për ta ngritur në detyra partie qëkur ishte fëmijë 20 vjeçar dhe unë i zbatova, megjithëse e pashë që nuk ishte kushedi çë! Edhe Saliun, ata na e rekomanduan si kuadër të aftë e që premtonte shumë në ruajtjen e diktaturës së prolletariatit e të vijës komuniste të partisë. Bile, bile, edhe këtë djalin e qeshur e që më ngjan mua kur jesha në moshën e tij, Lulzim a ç’e quajnë, ata e rekomanduan që të marrë në dorë stafetën e partisë, tani që Saliu u plak. Ndaj u thom se të gjithë ne kemi detyrime ndaj miqve serbë…

Bisedoi me shaka KASO KOSA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *