Nëse ju lind dëshira të bëni disa ditë pushime, po ju japim disa ide udhëtimesh të shkurtra. Kemi përzgjedhur për ju 10 vende udhëtimi në Europë, destinacione të lehta për të shkuar, origjinale dhe plot me surpriza kulturore. Nëse ju pëlqejnë dhe nëse keni mundësi, provojini!

foto 1-porto1. Porto, Portugali
Porto është një nga qytetet më të vjetra të Europës, megjithatë, ai është një qytet kulturor shumë modern, ndryshe nga klisheja e qytetit të vjetër. Do t’ju pëlqejnë rrugët e tij plot gjallëri, dyqanet e vogla me ushqime të shijshme, gastronomia fine dhe pritja e ngrohtë e banorëve të tij. Qyteti është ndërtuar në lartësi dhe është plot ngjyra, duke ju ofruar kështu një përzierje të arkitekturës tradicionale të pazakontë, me artin bashkëkohor. Do të shëtisni nëpër lagjet e qytetit me ritmin e tramvajit dhe do të shijoni verërat e luginës së Douros, në baret me emër. Do të provoni çajin aromatik dhe ëmbëlsirat me kanellë në një atmosferë tipike Art-Deco (stil arkitektural i viteve ‘30).
Disa arsye për të vajtur në Porto:
– Do t’ju pëlqejë zotërimi i qytetit, duke e parë nga kodrat përqark. Qyteti ndodhet në deltën e lumit Douro (një nga lumenjtë më të mëdhenj të Gadishullit Iberik) dhe ka një vendndodhje të privilegjuar, me doket e saj të mbushura plot me restorante.
– Do t’ju pëlqejë edhe qetësia e jetës së natës, më e qetë se në Lisbonë, duke pasur kështu mundësinë të bëni më shumë vizita kulturore ditën.
– Ja disa ide të tjera vizitash: Mund të pini një çaj aromatik në “Majestic”, të kaloni nëpër librarinë Lello (vend historik), ose të shihni qytetin nga lart, pasi të keni ngjitur 225 shkallaret e Torre de Clerigos (Kullës së Klerikëve), apo të përshkoni qytetin të hipur mbi tramvajin 18…
– Mund ta përdorni Porton si qytet bazë dhe të bëni udhëtime drejt qyteteve historike e mesjetare aty pranë, si Guimaraes, Braga, etj.

foto 2-rome2. Romë
Janë të shumta imazhet e Romës që të vijnë ndërmend; fasadat baroke të Sheshit Navona, Fontana di Trevi, motorrët Vespa dhe taksitë që i bien borisë në qytet, tarracat e bareve të mbushura plot, Vatikani… Roma është një qytet kulturor, por edhe shumëngjyrësh, që e kultivon historinë e saj brenda të njëjtit qytet, që prej 28 shekujsh! Jo më kot e quajnë “qyteti i përjetshëm”. Në Romë, historia e qytetit lexohet në tavanet e kishave, mbi skulpturat e shatrivaneve, në Forumin mbresëlënës ku ka lindur republika, por edhe në rrugicat e ngushta (njëra prej të cilave mban emrin e Skënderbeut). Kështu, pra, ju këshillojmë të bëni një udhëtim disaditor në Romë, për të parë bukuritë e saj.
Disa arsye për të vajtur në Romë:
– Mund të zbuloni Kodrën e Palatinit, në lartësitë e Forumit, sepse në këtë vend e ka zanafillën edhe qyteti, në “prehërin“ e një ujkonje…
– Dehuni me spektaklin e shkallareve të Koloseut, mbushur me aromat e dikurshme dhe me luftimet e gladiatorëve.
– Kënaquni duke shëtitur nëpër rrugicat e qytetit, të mbushura me dyqane. Mrekullohuni me një fasadë, një statujë, një shatrivan…
– Thithni atmosferën unike të këtij kryeqyteti të zhurmshëm dhe moskokëçarës, të zhytur në ritmin e zhurmës së borive të motorrinove dhe veturave…

foto 3-malte3. Malta
Malta ndodhet vetëm 1 orë e 30 minuta larg Romës me avion, në zemër të Mesdheut, mes Siçilisë dhe bregut tunizian (316 km2, afro 450 mijë banorë). Është një vend i bukur për t’u vizituar nëse keni pak kohë, për shembull, një fundjavë, ose 3 netë. Nuk është një destinacion turistik shumë i njohur, janë të paktë njerëzit që e njohin këtë vend, megjithatë, të vizitosh Maltën, është sikur të shkelësh historinë në çdo hap! Në këtë ishull-muze kanë kaluar fenikasit, kartagjenasit apo kalorësit e Shën Gjonit, para se Bonaparti t’ua jepte ishullin anglezëve.
Nëse qëndroni një javë në arkipelag, mund të bëni një udhëtim të kombinuar Maltë-Gozo (ishull tjetër i madh i arkipelagut), për gjallërinë dhe pasurinë kulturale të të parit dhe për bukurinë e qetë e fshatareske të të dytit. Malta do t’ju kënaqë me portet e saj të vogla plot ngjyra, ku është mirë të shijosh nëpër restorante peshqit e skuqur dhe lepurin me salcë (gjella nacionale). Mund të bëni edhe shëtitje të bukura më këmbë, apo me biçikletë. Ndërkohë, në ishullin e Gozos, të njohur për fundin e mrekullueshëm të detit, mund të bëni zhytje në ujërat e kaltra dhe të pastra të Mesdheut. Maltezët janë një popull mikpritës, frut i përzierjes së të gjitha kombësive dhe Mesdheut, shoqëruar me pak humor britanik, sepse kanë qenë anglezët që ia ridhanë pavarësinë ishullit më 1974. Nuk është çudi, pra, që maltezët kanë vënë sahatë fallco në ballinat e kishave të tyre, që djalli të mos e njohë orën dhe të mos vijë t’i shqetësojë kur bëjnë meshë!

foto 4-prage4. Praga, Çeki
Në Pragë, asgjë nuk ka ndryshuar që prej shekullit XVII! Ai është një qytet tipik bohemian, që përmbledh të gjitha stilet. Mund të shohësh aty këmbanare gotike dhe të periudhës së Rilindjes, të stilit rokoko dhe barok, Art Nouveau dhe bile edhe me tendenca kubiste… Në afërsi të lagjes çifute të qytetit mund të zbuloni rrugicat e vogla, sheshin e Qytetit të Vjetër dhe sahatin astronomik, sinagogat dhe varrezat çifute. Në mes të labirinthit të rrugëve me kalldrëm, të mbushura me dyqane antike apo muze, mund të shijoni arkitekturën e mrekullueshme të qytetit, me pallatet e zbukuruara me skulptura gjithfarësh.
Dijeni që Praga zbulohet më mirë me anë të shëtitjeve, por nuk duhet të lini pa parë gjërat e domosdoshme, kështjellën dhe kopshtet e saj baroke, Josefovin, Urën e Karlit të mbushura me statuja, të bëni një shëtitje me anije nëpër lumin Vltavë, etj. Mos harroni të darkoni në njërën prej tavernave të famshme, aq të dashura për Kafkën! Ju mund të uleni rrotull një tavoline, nganjëherë me tingujt e një fizarmonike apo një kënge cigane dhe të shijoni medoemos birrën e famshme çeke. Siç e thotë proverbi, “çekët kanë lindur me një violinë nën jastëk”! Në darkë, skena muzikale e Pragës ofron një përzgjedhje koncertesh klasike dhe operash. Hotele shumë të rafinuara gjenden në lagjen baroke të Mala Stranas…

foto 5-edimburg5. Edimburgu
Mbase nuk e dinit, por Edimburgu njihet si një nga qytetet më joshëse dhe më mikpritëse të Europës. Qyteti shfaqet me një ndërthurje të rrugëve mesjetare, rrugicave dhe oborreve. Të gjitha hapen në High Street, rruga më e gjatë dhe e gjerë e qytetit të vjetër, të ndërtuar në vitet 1767-1890, që paraqet një kompleks ndërtesash prej guri, të stilit neoklasik. Nëse dëshironi, pas Edimburgut, mund të vazhdoni shëtitjen në malet e Skocisë, Highland-et e njohura. Do të shihni që është një nga vendet e fundit të egra të Europës.
Në Edimburg, do të shkoni për…
– …të shëtitur në këmbë dhe për t’u mrekulluar me historinë e tij.
– …të zbuluar muzetë e shumta, ndër të cilat Galerinë Kombëtare të Skocisë që ka një koleksion të pasur veprash të përhershme (Velazkez, Gogin, Mone, Rembrandt…).
– …të shijuar dashamirësinë e skocezëve, të cilën e dëshmon edhe atmosfera e pabeve.#

 

foto 6- s petersburg6. Shën Petersburgu
Duke vajtur në Shën Petërsburg, do të zbuloni fytyrën e një qyteti që është rinovuar më 2003-shin, me rastin e 300 vjetorit të tij. Është një qytet që mund ta vizitosh në çdo stinë, por janë të paharrueshme “netët e bardha” të verës. Me rrezen më të vogël të dritës, pallatet ndriçohen nga shkëlqimi i kristaleve dhe arit.
Vizitat që mund të bëni janë xhiroja e qytetit, vizitë në apartamentin-muze të Pushkinit, një vizitë në Pavlosk dhe Petrodvorec, një vizitë në muzeun e Ermitazhit, në Pallatin Peterhof, etj.

 

 

 

foto 7- lisbone7. Lisbona
Në këtë qytet do të zbuloni shtëpitë e zbardhura nga dielli, me pllakëza majolike ngjyrë blu karakteristike, tramvajet tipike dhe këngët popullore portugeze (fado). Ky kryeqytet joshës evropian do t’ju rezervojë plot surpriza nëpërmjet vizitës së lagjeve të vjetra, vende ku është gjithmonë mirë të humbasësh rrugën. Do të shëtisni edhe nëpër kodrat e qytetit, për të parë perëndimin e diellit nga maja e tarracave. Do të shihni ndryshimin e shkëlqimit të dritës mbi lumin Tezhu, që është aq i gjerë, sa duket si det.

 

 

 

 

foto 8- sevilje8. Sevilje
Po sikur të vizitonit Andaluzinë? Në këtë krahinë me arkitekturë maure, mund të vlerësoni atmosferën e veçantë të Seviljes, Granadës, apo Kordobës. Myslimanët dhe kristianët kanë lënë aty gurë të çmuar arkitekturalë, ndërkohë që ciganët kanë zhvilluar sensin festiv. Mund të vizitoni Xhaminë e Madhe të Kordobës, të eksploroni lagjet seviljane me fasadat e bukura, ose të shijoni verën Xeres. Nën qiellin blu, ku dielli ndriçon pa re, do të rrini nëpër tarracat e bareve ku shërbehen tapat (mezetë spanjolle), vende që gjallërohen vonë natën me muzikën e flamenkove. Aty ndërthuren arti romak, arkitektura muslimane, apo Rilindja spanjolle. Ju mund ta plotësoni triptikun klasik Sevilje-Kordoba-Grenada, duke bërë shëtitje edhe në provincën andaluziane. Kështu, mund të zbuloni qytetet joshëse Ronda, Arcos, Jerez, Vejer de la Frontera, Benalup, etj.

 

 

 

foto 9-marakesh9. Marakesh
Maroku është destinacioni ideal kur dëshirës për t’u larguar nga rutina e përditshme i shtohet nevoja për ngrohtësi. Duke shkuar në Marakesh, mund të qëndroni në një riad (janë vila të vjetra tipike të shekullit XIX, me hauzë, etj). Do të shëtisni nëpër rrugët e Medinës (pjesa e vjetër e qytetit që ndodhet brenda mureve rrethues), të shihni xhamitë, të vizitoni tregun e qytetit të mbushur plot e përplot me produkte vendase me shije orientale apo me erëza ekzotike, ose të shkoni të relaksoheni në ndonjë hamam. Mund të dilni jashtë mureve të qytetit, ku do të zbuloni kopshte me lule dhe vila të bukura në sfondin me borë të majave të maleve Atlas. Gjithashtu, mund të bëni një shëtitje me gamilje nëpër shkretëtirë…

 

 

 

foto 10-venecie10. Venecia
Venecian do ta dashuroni pasi është unike në botë! Një ishull jashtë kohës, një qytet i ngarkuar me histori. Në Venecie do të zbuloni ndërtesa të stilit gotik, të Rilindjes apo barok. Ky qytet drite përmendet nga të gjithë estetët e botës si referenca absolute e bukurisë dhe e rafinimit. Aty mund të eksploroni sheshet legjendare, rrugët sekrete, restorantet popullore dhe të lundroni në kanalet e saj mitike.
Pse të zgjidhni Venecian?
– Që të kundroni Sheshin e Shën Markut përsëri e përsëri, të kaloni nëpër urën e Rialtos dhe të humbisni nëpër rrugicat e qytetit, të eksploroni misteret e Pallatit të Doxhëve.
– Për të bërë patjetër një udhëtim romantik me gondolë me partnerin/en, si dy të dashuruar nëpër kanalet që i bien qytetit kryq e tërthor.
– Për të parë një opera, në teatrin e famshëm Fenice.
– Për të parë Pallatin Grassi dhe Punta della Dogana (të ndërtuara nga arkitekti japionez Tadao Amado), ku mund të admironi koleksionin e artit bashkëkohor.
Nëse doni, mund të zgjidhni të shkoni në Venecia me mënyrën më elegante të mundshme, hipur në trenin mitik Orient Ekspres.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *