Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us
10 destinacionet e rralla kulturore... ...që na ofron Evropa!
Lola Fejzo, ish-soliste e TOB-it: Shkolla ime e baletit, në Itali…
BARCALETAT E SE DIELES

Lola Fejzo, ish-soliste e TOB-it: Shkolla ime e baletit, në Itali…

Lola me familjenAjo eshte një personazh vërtet të rrallë. Ajo është Lola Fejzo, ish-soliste në TOB! Tashmë me shkollën e saj të baletit në Itali, Lola është nga ato shqiptare që na bëjnë të ndihemi krenare dhe, nga ato nëna që e meritojnë këtë emër… Lindur e rritur në Tiranë në një familje intelektuale, me nënën mjeke dhe babain profesor fizkulture, Lola u diplomua në Shkollen e Baletit në Tiranë në vitin 1983. Si soliste në TOB, ka luajtur në shumë shfaqje si “Gjergj Elez Alia” (rolin e gruas së Balozit), në “Arrëthyesin” e Çajkovskit (roli i Klarës), “Giselle” (roli i Mirtës) dhe “Duetit të Fshatarëve”, në baletin “Shqiponjat”, soliste në mbrëmjet gala me pjesë të repertorit botëror të baletit klasik: “Kujdesi i kotë”, “Flakët e Parisit”, “Lola”, “Laurencia”, “Arlekini dhe Kolumbina”, “Zogu i Kaltër”, “Bukuroshja e Fjetur”, “Don Kishoti”, “Halili e Hajria”, “Cuca e Maleve” e shumë balete të tjera nën kujdesin e Mjeshtrit dhe koreografit të paharruar Agron Aliaj e Panajot Kanaçi. Partnerë të ndryshëm e kanë pasuruar jetën e saj solistike, si: Hajdar Shtuni, Miltiadh Papa, Llaqi Nako, Ilir Kerni, Leonard Ajku (Xhokaxhi), Renis Kaceli etj. Në vitet 1990, u largua nga Shqipëria drejt Italisë, krejt rastësisht, për një vizitë turistike, por gjendet atje edhe sot, në një qytet turistik në brigjet e Adriatikut. Me bashkëshortin e saj, pianistin dhe kantautorin Joe Artid Fejzo, ajo krijoi bërthamën e parë të shkollës së baletit “GISELLE”. Diplomuar në Shkollën e Baletit të La Scalës në Milano për mësimdhënie në vitin 1998-2000, gjatë gjithë këtyre viteve ka marrë pjesë në kurse dhe seminare të ndryshme për ngritjen e saj profesionale në shërbim të mësimdhënies së baletit.
– Lola, çfarë ndjen kur je në majat e gishtërinjve?
– Ndjehem e lehtë, në mbizotërim të skenës dhe më e gjatë. Ju e dini që gjatësia është gjysma e bukurisë dhe ajo, në skenë, luan rolin e staturës sublime të personazheve. Në majat e gishtërinjve ndjehet një koktejl dhimbjeje dhe kënaqësie, pra, punë, mundim e rezultat.
– Një moment apo person i shtrenjtë i karrierës tënde…
– Është e vështirë t’i përmbledh vetëm në një emër… Në radhë të parë, mësuesit e Shkollës së Baletit: Zysh Piti (Nermin Strazimiri) Profesorët Petrit Vorpsi, Gezim Kaceli, Sadik Batku, Ganimet Vendresha, Agron Aliaj, Mjeshtri Zhaklin de Min, prindërit e mi e sidomos im atë që, me shumë durim, më ushtronte edhe ditët e pushimeve për të përmirësuar cilësinë e lëvizjeve dhe të elasticitetit personal.
– Me kalimin e viteve, cili aspekt profesional perfeksionohet në balet?
– Sigurisht, teknika dhe pjekuria e interpretimit. Ti, me kalimin e kohës, si në çdo profesion, nuk mendon më si të numërosh hapat, si të lëvizësh këmbën, si të ngresh duart dhe të shoqërosh lëvizjet, por si të harmonizosh çdo mënyrë me të cilën po jep një mesazh artistik, të lidhur me zhdërvjelltësinë e trupit.
– Kur të lindi idea e hapjes së shkollës suaj të baletit dhe përse “Giselle” emri i saj?
– Të them të drejtën, ishte një propozim i Artidit… Pas lindjes së vajzës sonë, Alina, unë nuk kisha kurajo për mësimdhënie dhe do të kisha patur dëshirë t’i dedikohesha vetëm vajzës, por në të njëjtën kohë, dëshira për t’u kthyer përsëri në sallën e baletit nuk kishte munguar, edhe pse jo më si balerinë, por për të transmetuar eksperiencën e përfituar nga shkolla e baletit dhe nga skenat e teatrove. Vendosëm ta quajmë “GISELLE” shkollën e parë të baletit të hapur në Marche, në Porto San Giorgio, për të kujtuar pikën më të lartë të karrierës sime si soliste, në të njëjtin balet.
– Tre rregulla apo cilësi për t’u bërë një balerinë profesioniste?
– Talent, pasion dhe shumë sakrifica.
– Si është Lola, në të përditshmen?
– Eh… do të doja të theksoja, së pari Nënë, Grua e pastaj Mësuese, por shpesh, në të vërtetë, ndodh e kundërta; mbizotëron mësimdhënia dhe pasioni i baletit, që zë pjesën më të madhe të jetës së përditshme. Përveç 7-8 orë mësimi çdo ditë me mosha nga më të ndryshmet, duke filluar që nga 3-4 vjeçaret e deri tek adultet, duke iu dedikuar edhe përgatitjes së koreografive, organizimit të mësimeve, veshjeve, regjisë dhe në bashkëpunim me Artidin muzikën, prerjet, ngjitjet… deri te ndryshimet e ritmeve apo kompozimet.
– Delikatesa dhe eleganca janë të lindura apo edhe mund të fitohen me kohë, në artin e baletit?
– Këto virtyte janë të lindura, perfeksionohen me kohë, por edhe mund të fitohen me shumë punë dhe këmbëngulje nga ai që nuk i ka të lindura.
– Ç’bën për të ruajtur fizikun tënd, që nuk ka pësuar asnjë ndryshim?
– Siç e thashë më parë, qëndroj shumë orë në sallën e baletit, ushtrohem me pilates dhe jam tepër e kujdesshme në regjimin e ushqimit, edhe pse me oreksin jam tepër mirë, duke ekuilibruar me masë karbohidratet dhe proteinat, duke mos harruar elementin kryesor të këtij ekuilibri: ujin, duke furnizuar trupin me gati dy litra ujë në ditë. Kjo gjë është e rëndësishme jo vetëm për të ruajtur linjat, por edhe sepse fiziku i një balerini është si instrumenti i një muzikanti, si violina, që nëse nuk e akordon dhe mirëmban, stonon.
– Anoreksia është një problematikë e sfilatave, por edhe e balerinave. Linja është një obsesion që të shpëton apo domosdoshmëri në balet?
– Anoreksia është një problem psiko-fizik. Me nxënëset e mia jam tepër e kujdesshme në këtë aspekt kaq delikat dhe personal. Deri tani, në këto 24 vjet kam patur vetëm dy-tre raste, ku urgjentisht kam ndërhyrë duke u këshilluar menjëherë me familjet e tyre. Është një aspekt që mund të shkatërrojë përfundimisht ose t’i rekuperojë ato, varet nga mënyra e trajtimit dhe sa në kohë e kap problemin…
– Një emocion i fortë, që të ka lënë pa frymë…
– Takimi i paharruar me Mikhail Barechnikov pas një shfaqjeje në Civitanova Marche, ku balerini i ëndrrave të mia kërceu për herë të fundit, duke i dhënë fund karrierës. Kisha imagjinuar shumë fjalë për t’i thënë prapa skene, pas spektaklit, po kur u gjenda përpara këtij gjiganti të skenës, ashtu i lodhur, i drobitur dhe i gatshëm për t’u tërhequr nga vendi më i shenjtë për ne, balerinët e skenës, lotët zunë vendin e fjalëve…
– Ndodh të rrëzohesh kur nuk je e kenaqur apo nuk realizon diçka? Si ngrihet Lola?
– Sigurisht, ndodh, por dashuria në familje, pasioni për mësimdhënien e këtij arti sublim, më ndihmojnë për kapërcimin e çdo vështiresie. Kur shoh hap pas hapi të realizohet ajo që unë lashë në mes të rrugës tek Alina, vajza ime, te çdo student apo studente që vazhdon në skena dhe kompani në botën e spektaklit, asgjë nuk më tremb!
– Të ka ndihmuar në karrierë fakti që edhe bashkëshorti është artist?
– Po, shumë… Artidi ka një rol shumë të rëndësishëm në karrierën time; si kolonë e shkollës në organizimin e gjithanshëm, menaxhimin dhe organizimin e spektakleve dhe manifestacioneve të ndryshme… Është konsulenti më i mirë për çdo ide që lind gjatë punës.
– Nëse do të zgjidhje një profesion tjetër, cili do kishte qenë më i përshtatshmi për natyrën tënde?
– Pianiste ose psikologe.
– Raportet familjare forcohen në një karrierë të realizuar. Ti, me eksperiencën dhe jetën tënde si nënë e shoqe jete, ç’mund të këshillosh?
– Sigurisht që forcohen. Këshilla ime është tolerimi dhe respekti i hapësirës, i ideve dhe pasioneve për çdo familjar. Diskutimi dhe gjetja e zgjidhjeve, brenda familjes.

Pergatiti Anila KADIJA

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

10 destinacionet e rralla kulturore... ...që na ofron Evropa!

Next Post

BARCALETAT E SE DIELES

Advertisement