Enkeleda Kurcani: – Visjan, si u bëre banor i Apartamentit 2XL?

Visjan Ukcenaj: – Epo, në fillim kërkova shtëpi me qira, sepse ajo që kisha nuk më mjaftonte dhe shpresova për një gjë të mirë. Mirë që gjeta shtëpi, por gjeta edhe një rrogë, gjeta edhe disa aktorë, miq, shokë… gjeta Tring-un, Vizionin dhe, mbi të gjitha, gjeta Turin, që më dorëzoi një kopje të çelësave të Apartamentit 2XL. Ka qenë Turi arsyeja e ardhjes sime në Apartament, ka qenë ai që ka pasur gjithmonë besim tek unë. Shpresoj t’ia shpërblej besimin që më ka ofruar. Më parë kam qenë pjesë e Skeç Shou. U shkëputa për disa arsye personale dhe të arsimimit, sepse pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Arteve, ndoqa masterin. Pas një takimi me Turin u ktheva prape

– Cili prej banorëve të vjetër ka qenë i preferuar yt, pa u bërë ti pjesë e tij?

– Unë kam pasur njohje dhe kontakte me pjesën më të madhe të aktorëve. Me Albanon kemi qenë në shkollë, me Julin kemi interpretuar në një film që pritet të shfaqet në kinema së shpejti, kështu që më pëlqejnë të gjithë dhe shkoj shumë mirë me të gjithë.

– Ke marrë pjesë herë tjetër në audicione, për të qenë pjesë e ndonjërit prej spektakleve të humorit?

– Jo, asnjëherë.

– Po këtu, si të pritën?

– Unë mirë u prita, ju, si u pritët? (Qesh) Të fala nga shtëpia, të fala gazetës “Intervista” . Ah, meqë jemi këtu, se e nisa si me shaka, por vërtet dua të përshëndes dy fansa të mitë, Bluioni dhe Gesti. U them: “Jeni bosa të dy!”.

– Roli i laçjanit është ai me të cilin ke spikatur më shumë. E kujt ishte ideja?

– Laçjani është rol që e kam përdorur edhe më parë, në shoqëri në familje, ka qenë një gjë që e mbushte ambientin me humor, por dua të theksoj se ai personazh, përfshin fjalë që nuk përdoren vetëm në Laç, por në zona të ndryshme të Veriut, në mënyrë që të krijohet ilaritet, shije dhe trend. Duke qenë se unë jam katolik, ndjek pelegrinazhin e Kishës së Laçit, në muajin qershor, shkoj në Laç dhe azhornohem me të rejat. (Qesh)

– Në fakt, që prej sezonit të kaluar në “Portokalli”, ka ekzistuar pikërisht personazhi i laçjanit… Nuk keni frikë se mund t’ju akuzojnë për plagjaturë?

– Besin e kam shok dhe mendoj se jemi dy personazhet malokë më të bukur sot për sot. E bukura është se të dy bëjmë dy laçjanë dhe asnjëri laçjan nuk ngjan me tjetrin. Besi, je bos!

– Cilat janë karakteristikat e laçjanit të Apartamentit, veç dialektit?

– Ai është një njeri që ka parë botë, por njëkohësisht është shumë i mangët për nga horizonti, kur normalisht, duhet të ndodhë e kundërta. Me pak fjalë, sahati i 2014-s i ka mbetur shumë mbrapa. Kjo e bën atë një trillim artistik të bukur, për të mos bërë objekt loje asnjë personazh real, por thjesht, një sajesë artistike. Thjesht, për të krijuar humor dhe për të parë pak dhëmbët në fytyrat e njerëzve plot vuajtje e halle në këto kohë krizash.

– Meqë jemi te dialekti, ku ke mësuar “të jesh laçjan”? Nga është “laçjani i Apartamentit”?

– Unë, babain, e kam me origjinë nga Puka, ndërsa mamin, e kam shkodrane. Vetë kam krijuar një miks prej të dyjave. Kemi vite që jemi në Tiranë, jam shkolluar këtu. Kam shokë nga të gjitha vendet e Shqipërisë dhe të gjitha fetë. Domosdo, do të bëhesha një turli. (Qesh)

– Ama, në të vërtetë, nuk ke fare dialekt…

– Për mua, që të bëhesh aktor, kushdo qofsh, ngado që të vish, duhet të dish të flasësh gjuhën standarde. Dialekti është një gjë që bëhet me anë të aktrimit, ndërsa gjuha letrare duhet të jetë kriter bazë. Nuk duhet të pranohen në shkolla njerëz që flasin në dialekt; flas për Akademinë e Arteve, kryesisht në degët Aktrim, Regji filmi, Regji televizioni.

– Ke miq nga Laçi?

– Kam shokë të cilët kam kohë pa i takuar, por këto ditët e fundit do filloj të takohem më shpesh me shokët laçjanë që të më japin disa leksione. (Qesh)

– Çfarë ke dëgjuar më shumë për laçjanët?

– Po pse m’i bie kaq shumë Laçit, pse po e godet?! (Qesh) Unë kam disa njerëz pak të largët që janë nga Laçi dhe për këtë arsye jam pak i rezervuar për të folur me detaje. Por, pa dyshim që Laçi është vendi i përrallave. Aty mund të gjesh gjithçka që ke nevojë; edhe njerëz të mirë, edhe jo të mirë; ke edhe ekonomi të mirë, edhe jo të mirë; ke edhe makina të reja, edhe jo të reja.

– Mendon se mund të ketë njerëz që nuk e kuptojnë dialektin e laçjanit?

– Jam munduar ta përziej disi dhe në të folmen time kam përdorur ndonjë batutë si nga Laçi. Për shembull, kam marrë komente në Facebook për kuptimin e fjalës “fucak”, që nuk e kuptojnë. Që të mos lodheni, do të thotë skuth, spiun ose intrigant… (Qesh)

– Ka pasur ndonjë laçjan në rrugë që të ka ndaluar e ka komentuar mbi rolin?

– Jo. Mund të kenë komentuar në Facebook, mund të kenë thënë që ne nuk flasim kështu apo nuk bëjmë kështu, por unë nuk merrem me një njeri në veçanti. Siç e thashë, është thjesht një trillim artistik, që për më tepër, laçjanëve t’u ngrejë pak humorin. Njëkohësisht, edhe ua sjell në kujtesë njerëzve, se është harruar fare si qytet.

– Cila është top-batuta që përdor laçjani i Apartamentit?

– “Robt e motrat” dhe “fucak”. Por, sugjeroj që shprehjen “robt e motrat” të mos e përdorni shumë… Pse t`i shqetësoni ata në çdo llloj muhabeti që mund të bëni në jetën tuaj të përditshme? (Qesh)

– Jashtë veshjes së personazhit, kush është Visjan Ukcenaj?

– Kam lindur në vitin `88 në Pukë dhe jam shkolluar në Tiranë, ku jetoj edhe me familjen. Kam studiuar Aktrim dhe e adhuroj aktrimin në film. Së fundmi, kam luajtur në filmin tim të parë me metrazh të gjatë “Simon”, me regji të Xhoslin Ramës, që del në kinema së shpejti. Kam pasur fatin të luaj mbi 30 e ca role në teatër gjatë këtyre viteve që jam shkolluar. Mbi 15 prej tyre janë jashtëshkollorë, në projekte të ndryshme, regjisorë të njohur dhe jo të njohur; aktorë të njohur dhe jo të njohur. Kam luajtur edhe në filmat me metrazh të shkurtër, si dhe kam qenë aktor protagonist i shfaqjes “Kur njihesh në internet”, me regji të Kiço Londos.

– Duket që ke një pasion të madh, fotografinë…

– Kam një peng të vogël, që i vogël, sepse shoh që ime më, falë gjyshit tim që nuk rron më, ka fotografi që në vegjëli. Edhe im atë, që ushtar, ka qenë në qytete të ndryshme, ka foto shumë i ri, ndërsa unë, i biri i tyre, kam minimumi dy foto kur kam qenë i vogël. Kjo është t`ia japësh ulërimës. Nevoja për të patur foto, ma ka krijuar në mënyrë të pavetëdijshme pasionin për fotografinë. Duke marrë herë pas herë komplimente si fotozhenik, fillova të bëja shumë foto. Pastaj, zgjova një talent të fshehur timin për të bërë fotografi. Kam punuar edhe me para, edhe pa para, derisa ia kam marrë dorën. Kam punuar me agjenci modelesh në fillim dhe pastaj jam bërë më individualist, duke bërë sete fotografike për njerëzit e interesuar, që mund të më gjejnë në VUK Photography, në Facebook.

– Një bukuroshe ka mbushur profilin tënd në Facebook me fotot e saj…

– Ajo është gjysma tjetër imja, ajo gjysmë që nuk del në televizon. Është studente për Regjisurë, viti 4, master… kemi tre vjet e pak bashkë… Ajo në filllim i urrente fotografitë, por pastaj e kuptoi që fotoja është një ndër gjërat më të bukura në jetë…

– Një fotograf si ty, i stampon fotot apo i ruan në CD-ra, siç po ndodh rëndom?

– Shumë foto tonat, i kam printuar madje, akoma po printoj pasi po dekorojmë dhomën.

– The se je vetëm 25 vjeç, s’të duket sikur i ke hapur telashe vetes shumë shpejt? E kam fjalën për atë vajzën…

– Unë thjesht i kam zgjidhur telashe vetes, sepse partneren time e kam njohur në kohën kur të tjerët nuk më njihnin. Isha i thjeshtë, që studioja dhe punoja me sforco për të shpalosur talentin. Personi që kam njohur unë është i duhuri dhe nuk do të ndryshojë për asgjë në botë, sado i famshëm të jem unë, sado e madhe të jetë kërkesa e famës për mua…

– Pas daljes në “Apartament”, është shtuar numri i bukurosheve që të kërkojnë miqësinë në Facebook?

– Është shtuar, ama nuk i kam parë të gjitha në ishin bukuroshe apo jo… (Qesh) Por, unë nuk pranoj shumë kërkesa në Facebook, pasi kam një faqe fansash: Visjan Ukcenaj dhe do t’u lutesha të gjithëve të më mbështesin aty, duke i falënderuar që ekzistojnë, për një kohë aq të shkurtër të daljes sime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *