Drenusha Latifi, bukuroshja që, përveçse këngëtare, është edhe një modele mjaft e mirë në përfaqësimin e bukurisë kosovare, ka qenë e pranishme në evente europiane dhe botërore. Drenusha ka kohë që u është larguar skenave dhe ne kontaktuam me të e realizuam këtë intervistë… Pse është larguar dhe kur do të rikthehet Drenusha?

Fabjola Kuburi: – Drenusha, ku je që na ke munguar gjithë këto kohë?
Drenusha Latifi: – Të them të vërtetën, nuk kam qenë në Kosovë, kam qenë më shumë në Suedi dhe tani jam në SHBA…
– Ti je personazh i njohur. Si do silleshe nëse dikush nuk do të të njihte?
– Nuk është ndonjë problem i madh të mos më njohin. Ka edhe nga ata që bëjnë sikur nuk më njohin, kështu që për mua nuk ka ndonjë ndryshim të madh.
– Ç’lloj ndjesish të shkakton muzika?
– Ah, më ka shkaktuar dhe vazhdon të më shkaktojë qetësi shpirtërore, por edhe trazirë në të njëjtën kohë; më duket sikur më shtohet jeta. Realisht, nuk di ta përshkruaj atë ndjesi, por di të të them që nuk do ta kisha ndaluar kurrë atë moment!
– Cila është ajo gjë që që do të hezitoje ta tregoje publikisht?
– Si tip, më karakterizon çiltërsia, jam e drejtpërdrejtë, nuk hezitoj të tregoj asgjë!
– Si mendon ti, si është jeta?
– Për mua, jeta është e gjatë, shumë e gjatë, pavarësisht sa jetëgjatësi ke!
– Çfarë do të doje të bëje nëse do të mësoje se ke vetëm pak orë jetë?
– Ah, pyetje e bukur që nuk di t’i jap një përgjigje po kaq të bukur! Nuk e kam menduar asnjëherë se çfarë do të bëja nëse do të kisha vetëm pak orë jetë; nuk e di vërtet.
– Nëse do të të pyesja se sa persona të mrekullueshëm njeh në jetë, do të dish më thuash?
– Di të të them që shumë pak janë ata që mund t’i quaj të mrekullueshëm vërtet.
– Sipas teje, çfarë është xhelozia?
– Xhelozia për mua është mashkull, por duke qenë se meshkujt janë mjeshtra, e bëjnë të reflektojë te femrat!
– Ti e ke gjetur dashurinë tënde, por nuk flet shumë për të; pse? Cila është e vërteta?
– E vërteta është se gjithçka e vërtetë do të dalë me kohën!
– Të ka ndodhur të duash të bësh një këngë vetëm për qejfin tënd, për t’u argëtuar ti, pikë së pari e më pas të tjerët?
– Jo, nuk kam bërë akoma këngë për qejfin tim. Meqë ma kujtuat, do ta bëj një në të ardhmen.
– Nëse do të mund të fshije ndonjë kujtim nga e kaluara, cili do të ishte ai?
– Nga kujtimet nuk do të fshija asgjë, thjesht do fshija njerëzit që merren me jetën time pa asnjë të drejtë. Kaq!
– E shikon këngën si profesionin tënd të përjetshëm?
– Nuk di, nuk e kam menduar akoma, edhe pse kënga është jeta ime. Më mirë t’ia lëmë kohës…
– Kush është personi me të cilin ndan gjithçka?
– Kam filluar të mos i ndaj gjërat me askënd tjetër, përveç familjes sime.
– Çfarë jete bën Drenusha?
– Shumë të thjeshtë, edhe pse tashmë i kam jetuar të gjitha lukset. Më pëlqen që kohët e fundit të mos dal shumë, më pëlqen të relaksohem në qetësi.
– Po gazetat, gazetarët, të kanë mërzitur?
– Ndonjëherë po, më kanë mërzitur me ndonjë lajm që kanë botuar e që nuk kanë patur fakte apo nuk kanë qenë të sigurtë. Në përgjithësi, kam raporte të mira me ata që dinë të jenë gazetarë profesionistë, ndërsa me ata që shkruajnë pa e ditur se çfarë është gazetaria, nuk merrem fare.
– Je e lumtur me rrjedhën e karrierës tënde muzikore? Po për jetën personale?
– Po, jam e lumtur sepse jam e pëlqyer, edhe pse jam larg publikut. Po ashtu, jam e lumtur me jetën personale, falë Zotit!
– A je kritike për veten?
– Jam, por jo në masa të tepruara, jam me lezet!
– Çfarë kuptimi ka ngjyra e kuqe në jetën tënde?
– E kuqja, deri vonë, ka qenë ngjyra që nuk më ka pëlqyer; më është dukur gjithmonë ngjyrë shumë provokuese.
– E zeza?
– E zeza është ngjyra që dikur ndihesha e sigurt por që tani nuk e dua më!
– Grija?
– Grija nuk më pëlqen, përveçse në aksesorë.
– Bluja?
– Bluja nuk futet te preferencat e mia.
– Portokallia?
– Portokallia më jep ngrohtësi, më sjell pranverën!
– Beson te parandjenjat? Po te ndjellja e gjërave?
– Besoj dhe më ka ndodhur, ka ndodhur që njerëzit tek unë kanë ndjellë gjëra të trishta, sigurisht, nga xhelozia e tepruar!
– Çfarë mund të quhet magjike për ty?
– Magjike mund të jetë gjithçka, qoftë edhe një gjest i vogël.
– Shoqërinë e ke të zgjeruar, apo i numëron me gishtat e dorës?
– E kam të zgjedhur, jam selektive zakonisht dhe mendoj e bëj gjënë e duhur.
– Si është femra sot, ka ndryshuar për mirë apo për keq?
– Tani, kohërat kanë ndryshuar, femra është bërë mbretëreshë që mund t’i bëhen ëndrrat realitet, sepse vetë koha tani ia mundëson një gjë të tillë. Për femrën, kanë ardhur kohë të mira!
– Nëse do të kishe famën e Uitni Hjustonit për shembull, si do ta përdorje?
– Mendoj se më mirë se ajo, por edhe aty nuk i dihet sepse shumica e rangut të saj ashtu kanë përfunduar, sepse fama aq sa ka të mira, ka edhe të këqija.
– Cila është rryma muzikore që s’do ta këndoje kurrë?
– Tallavanë nuk do ta këndoja kurrë sepse nuk di ta këndoj.
– Nëse do të të kërkohej të bëje një duet me Muharrem Ahmetin, si do të ishte përgjigjja?
– Ah, pse jo, përderisa është e dukshme se ai po pëlqehet nga të gjithë?!
– Si është tani një ditë e jotja e zakonshme?
– Zakonisht, jam në shtëpi. Nëse nuk dal, shoh filma, mund të merrem me shtëpinë, mund të përgatis diçka për të ngrënë, pastaj nëse dal, shkoj në ndonjë vend të qetë; më pëlqen qetësia!
– Çfarë urren më shumë në këtë botë?
– Njerëzit që merren me jetën time dhe gënjejnë për të përfituar ose për të më dëmtuar mua.
– Në çfarë rastesh zgjedh të thuash gënjeshtra?
– Vetëm kur kam frikë! (Buzëqesh)
– Midis dy mundësive, zgjedh më të realizueshmen apo me angazhuesen?
– Më të realizueshmen, por kur nuk ekziston kjo, më duhet të zgjedh angazhuesen, të paktën përpiqem për ta bërë të realizueshme mundësinë, apo jo?!
– Po të kishe një kopje tënden të dytë, për çfarë do ta “shfrytëzoje”?
– Nuk di, s’e kam menduar kurrë. (Qesh)
– Është më bukur të të puthin apo të të përkëdhelin?
– Është më e bukur një prekje!
– Të marrësh duartrokitje apo një premtim?
– Të marr duartrokitje!
– Çfarë është durimi për ty?
– Durimin e kam parë gjithmonë në tolerancë.
– Është më mirë të japësh shpjegime apo të marrësh të tilla?
– Falje!
– Mbeti diçka pa thënë?
– Jooooo, të tjerat që kanë mbetur, herës tjetër! (Buzëqesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *