Përshëndetje, miq të gazetës “Intervista”! Unë që po ju shkruaj jam Miranda nga Tirana, që vetëm nga një telefonatë m’u shkatërrua martesa, e cila më 12 shkurt do të mbushte plot 25 vjet. Ish-bashkëshorti im punonte në arsim, ndërsa unë, punoja në Postë-Telegraf. Me plot gojën mund të them se ishim një familje shumë e lumtur, që nuk na mungonte asgjë. Mbas dy vjet martese na lindi fëmija ynë i parë, Eri, i cili sot është 23 vjeç. Më pas u bëmë edhe me një vajzë. Të dy punonim dhe bënim një jetë normale, por shumë të lumtur. Fëmijët u rritën me edukatën tonë dhe u bënë nxënës të shkëlqyer. Asgjë nuk na mungonte. Ishim një familje e thjeshtë që gëzoheshim me një jetë normale dhe asnjëherë nuk kërkonim të hanim “me lugë floriri”. Burrin tim nuk e kisha lënë asnjëherë të emigronte, me mendimin se po të ishim të dy të rregullt, do të ndërtonim një ekonomi shumë të mirë për vete dhe për fëmijët tanë, mirëpo jeta të përplas me shumë halle dhe vështirësi të ndryshme, që njeriu nuk është asnjëherë i përgatitur për t’i përballuar. Kështu na ndodhi edhe neve. Ish-bashkëshorti im vuante gjithmonë nga veshkat. Ai mjekohej qëkur ishte djalë i ri, mirëpo erdhi një kohë edhe ilaçet nuk i bënin më efekt. Një veshkë kishte dalë jashtë funksionit, ndërsa veshka tjetër funksiononte vetëm 60% dhe për këtë arsye, duhet të bënte transplant të veshkës. Për këtë, duhet të gjenim një dhurues sa më parë, mirëpo për të gjetur një donator të veshkës, do na duhej kohë dhe para e madhe, kështu që unë vendosa të isha ajo që do të dhuroja veshkën time. Bëra të gjitha analizat dhe çdo gjë më rezultoi në rregull. Me anë të një kredie që morëm në shtet, arritëm që operacionin e ish-burrit tim ta kryenim në Turqi. Mbas 20 vitesh martesë, ajo ka qenë periudha më e vështirë e jetës sonë në çift. Koha dhe halli që na ra, na bëri të ishim më të dashuruar se asnjëherë tjetër. Ish-burri im, që në momentin që hapi sytë mbas operimit, vetëm fjalë të ëmbla më thoshte. Ndoshta ai ndjehej fajtor për faktin se unë i kisha dhuruar një veshkë. Në çdo fjalë të tij, vetëm më falënderonte duke më thënë se “ti je një engjëll që Zoti të solli tek unë”. Ndonjëherë mendoja se kjo që po kalonim ishte një shenjë e Zotit për të na vënë në provë se sa do ta donim njëri–tjetrin. Vitet kishin kaluar dhe me kalimin e kohës, dukej sikur dashuria humbet dhe në çift nuk mbetet gjë tjetër përveç respektit, por në rastin tonë, halli që na ra, na bëri të kishim një rilindje të dashurisë. Asnjëherë nuk e kisha dëgjuar të më fliste me fjalë aq të ëmbla ose të paktën ashtu e mendoja unë. Më dukej sikur rinia dhe dashuria jonë ishte jetuar në një kohë shumë të largët dhe pikërisht aty, në një nga spitalet e Turqisë, ne sikur e rilindëm dashurinë tonë, atë ndjenjë që e mban njeriun në këmbë. Ai më thoshte “ti je ilaçi i zemrës time, ti je shpirti im, pa ty jeta ime nuk ka kuptim”. Herë pas here më thoshte se të njëjtën gjë do të kishte bërë edhe ai për mua. Unë e doja atë, e doja me gjithë shpirt dhe jo vetëm veshkën, por edhe jetën time do ta jepja po të ishte nevoja për të dhe e ndjeja se edhe ai të njëjtën gjë do të bënte për mua. Që në ditën që ne ishim bashkë, çdo gjë, të mirën dhe të keqen e kishim kaluar të dy, por kjo ishte më e keqja që na kish ndodhur mbas martesës, një e keqe që na bashkoi akoma më shumë.
Mbas operacionit, jeta filloi normalitetin në familjen tonë. Ish-bashkëshorti im filloi përsëri punën në arsim si mësues matematike, ndërsa unë vazhdoja të punoja në postë, aty ku kisha punuar gjithmonë. Ne iu kthyem jetës së përditshme, por jo si më parë, pasi kishim marrë një kredi në shtet, të cilën duhet ta lanim duke lënë njërën nga rrogat tona peng. Fëmijët ishin rritur dhe kërkonin të vazhdonin shkollën e lartë. Djali vendosi ta bënte shkollën në Itali. Aty, ai, edhe punonte, edhe vazhdonte shkollën, ndërsa vajza u dashurua në moshë të vogël dhe, duke mos pasur mundësi për të vazhduar shkollën e lartë, zgjodhi rrugën më të shkurtër, duke e krijuar familjen në një moshë shumë të re. Unë me ish-burrin tim mbetëm vetëm, në shtëpinë tonë. Ishim vetëm, por shumë të lumtur. Ai mundohej si e si, me veprime dhe me gjeste të vogla, të më bënte sa më të lumtur. Në çdo moment dukej sikur më thoshte se “ty të kam borxh jetën dhe do të të dua me kokën time”. Ish-burri im ishte një ndër mësuesit më të mirë që kishte qyteti ynë i vogël, pasi mësuesit e vjetër e kishin braktisur qytetin tonë duke shkuar në kryeqytet ose jashtë vendit. Ky ishte një favor për të. Si një ndër mësuesit më me eksperiencë që kish qyteti ynë, atë e zgjodhën Drejtor të Drejtorisë Arsimore për rrethin tonë. Që në momentin kur mori këtë post, ai, filloi të ishte më i përkushtuar ndaj punës dhe punonte me orë të zgjatura. Të jem e sinqertë, filloi të merrte dhe rryshfete për të futur arsimtarë në punë. S’thonë kot se leku është mollë sherri në familje, qoftë kur ka shumë, qoftë kur ka pak. Një ditë ai erdhi me një telefon të ri të tipit të fundit dhe më tha se ia kish dhuruar një koleg që e kishte rregulluar në një vend pune shumë të mirë. Atë telefon ai nuk dinte ta përdorte mire, gjithë natën me të lozte dhe nuk e mësoi dot. Edhe pse ishte ngritur në detyrë, ai përsëri më përkushtohej duke më bërë dhurata të ndryshme dhe duke më dashur akoma më shumë. Kjo gjë më bënte krenare për të dhe mendoja se ai ishte burri më i përkryer që ekzistonte mbi tokë, por i gjithë ky mendim m’u shua brenda një momenti të vetëm…
Një mbrëmje, kur ora shënonte nëntë e darkës, ai nuk kishte ardhur akoma në shtëpi dhe unë, shumë e shqetësuar, e mora në telefon dhe e pyeta se ku ishte. Ai m’u përgjigj: “Zemër, jam në një darkë pune me një kolegun tim, është ai që më ka blerë telefonin.”. Unë, qetësisht, e urova të kalonin një mbrëmje të mirë, me mendimin se ata po diskutonin për punën, por pa e mbyllur telefonin dëgjova një “piiiip”… Ishte një buton i shtypur gabimisht nga ish-bashkëshorti im, me mendimin se kishte fikur telefonin. Ai ende nuk kishte mësuar ta përdorte telefonin e ri, I phone. Në momentin kur unë do ta fikja telefonin, pasi e kuptova që ai e kishte lënë hapur, dëgjova të qeshurën e një femre që tha: “E shkreta grua, e hëngri edhe këtë herë!” dhe pastaj po qeshnin të dy. Më pas, nuk mbaj mend asgjë.
Kur erdhi, ish-burri im kishte hapur derën me çelësin e tij dhe më kishte gjetur pa ndjenja. Menjëherë më kishte çuar në spital. Kur e mblodha veten dhe kuptova çfarë më kishte ndodhur, fillova të qaja për fatin tim të zi. Në krahun tim kisha patur një gjarpër dhe jo një njeri që unë e adhuroja. Ish-bashkëshorti im nuk pranonte asnjë nga akuzat e mia, por fjalët dhe lutjet e tij nuk kishin më vlerë. Unë isha vërtet një engjëll për të, po ai nuk diti të më mbante dhe tani po vuan pasojat e ndarjes tonë. Ai mund të dëfrehej me femra që e duan për interes, por ai nga unë kishte prova që e doja me gjithë zemër. Edhe pse e doja më shumë se jetën time, gabimin që ai bëri, nuk munda t’ia falja asnjëherë. Edhe pse djali dhe ai bashkë me të, më është lutur përsëri, nuk mundesha t’ia falja atë që ai më bëri. Edhe vajza, që ditën që unë i tregova për telefonatën, nuk ka mundur t’ia falë të atit atë që më bëri. Unë isha gati të jepja edhe jetën për të, ndërsa ai, ja se si ma shpërbleu, duke më kthyer në një grua të vetmuar! I lutem Zotit t’i japë ish-burrit tim atë që ai meriton!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *