Nëse je e pakënaqur me format e trupit tënd apo me përmasat e tij dhe mendon se nuk ka gjë që të të ndihmojë për të fshehur difektet që ke, e ke gabim. Ne do të të tregojmë disa mënyra që mund të ndihmojnë çdokënd të duket më mirë, pavarësisht trupit të tij. Ndiq 10 këshillat tona për t’u dukur sa më elegante dhe e hollë…

1. Vish rroba njëngjyrëshe
Nëse vesh rroba me të njëjtën ngjyrë, nga supet te këmbët, do të krijohet iluzioni i një linje të gjatë, të pandërprerë. Kjo të bën të dukesh më e dobët dhe minimizon tiparet individuale. Zgjidh ngjyra neutrale: E zezë, ngjyrë qumështi, bezhë, kafe e errët.
2. Zgjidh rroba në masën tënde
Çdo gjë që është shumë e madhe (për shembull, një bluzë e gjerë) ose shumë e vogël (për shembull, bluza me rripa dhe të ngushta) do të të bëjnë të dukesh më e shëndoshë nga ç’je. Nuk do t’ia hedhësh askujt duke veshur rroba me një masë më të vogël ose të gjera. Bli veshje që janë në masën tënde.
3. Mos vish rroba ngjitur pas trupit
Coha e rrobave të tua duhet të mbështjellë gjithë trupin, jo ta shtrëngojë atë, që të dalin në pah tulet dhe rrathët. Një shembull janë cohat elastike, të cilat vërtet hapen, por të nxjerrin në pah defektet.
4. Pantallonat e përkryera
Pantallonat më të mira janë ato që mbërthehen anash (zinxhiri dhe kopsat shtojnë vëllimin e barkut) me shtrat të ulët (rreth 2 cm poshtë kërthizës, jo shumë poshtë) dhe me zgjerim të lehtë në pjesën e shtratit (për të balancuar gjerësinë e ijeve).
5. Fundi i përkryer
Një fund pak veref (ose në formë A-je) i shkon kujtdo, bile ai ofron një lloj kamuflazhi për të pasmet e mëdha ose barkun e fryrë. Gjatësinë mbaje deri te gjuri, që këmbët të duken sa më mirë.
6. Bluza e përkryer
Bluzat me jakë V ose golfet me mëngë të gjata, u shkojnë pothuajse të gjithave, sepse tërheqin vëmendjen e syrit lart. Ato e bëjnë bustin tënd të duket më i gjatë dhe më i hollë.
7. Kostumi i përkryer
Zgjidh një xhaketë me vata (sfungjerë të vegjël te supet), që të dalë në pah forma e supeve (jo shumë të mëdha, sa të dukesh si kremastar), me prerje në bel, që të duken format femërore (ose rrip) e pantallona që janë të ngushta në bel dhe që vijnë lehtësisht duke u zgjeruar poshtë.
8. Kujdes të brendshmet
Vijat e tyre nuk duhet të bien në sy, sepse do të sabotonin linjën tuaj të lëmuar. Zgjidh sutjena prej mëndafshi dhe mbathje pa qepje, që të mos duken nën rroba.
9. Madhësia është e rëndësishme
Sigurohu që aksesorët të përshtaten me pamjen tënde të përgjithshme. Një çantë shumë e vogël ose një palë vathë të stërmëdhenj, mund të prishin gjithë lukun. Çanta, buzhuteritë dhe këpucët, duhet të përshtaten në ngjyrë dhe material me atë që ke veshur (si edhe të jenë në përpjestim me trupin tënd).
10. Kërko ndihmën e një profesionisti
Kur vjen puna te një veshje e cilësisë së lartë, si një xhaketë ose një kostum, asgjë nuk e zëvendëson punën e një rrobaqepësi të mirë dhe me përvojë. Kombinoje me gjëra të ndryshme dhe do t’i veshësh për vite me radhë.

Gabimet që duhen evituar
E dije se ka rroba që mund të të tregojnë më të shëndoshë? Janë pikërisht ato që janë në shpërpjestim me trupin tënd. Mendoje gjithë gaderobën tënde sikur po plotëson një formuese: “Si t’i kombinoj rrobat që të nxjerr në pah imazhin që dua të krijoj?” Ja 5 gabime që duhet t’i evitosh:

1. Një palë sutjena të këqija
Një bluzë, sado e bukur të jetë, nuk do të duket e tillë nëse ke veshur sutjena shumë të ngushta ose shumë të gjera. Sutjenat shumë të ngushta, shumë të mbushura ose me dantellë, duken shumë nën cohat e holla. Sutjenat duhet të mbajnë gjoksin, jo të duken. Gjej modelin që të shkon më shumë, pastaj bli disa ngjyra bazike, si të zezë, bezhë dhe të bardhë.
2. Jakë shumë e shtrënguar pas qafës
Nëse bluzat e tua kanë jakë shumë të shtrënguar pas qafës, gjithë pjesa e sipërme e trupit do të duket si e bllokuar. Merre shtruar dhe gjej bluza me jakë që i shkojnë qafës, fytyrës dhe supeve të tua. Nëse nuk je e sigurtë se çfarë të shkon, zbato këshillën e mësipërme, zgjidh një bluzë me jakë V ose golf.
3. Rripi i gabuar
Rripat janë një aksesor shumë i rëndësishëm për gjithë lukun, por një rrip me gjerësinë ose vendosjen e gabuar, mund t’i bëjë belin dhe ijet të duken më të gjera. Nëse të kercejnë tulet mbi rrip, zgjidh një më të hollë ose më të gjatë. Nëse nuk ke bel, është mirë ta evitosh fare rripin.
4. Këpucët e gabuara
Nga supet te kyçi i këmbëve dukesh shumë mirë, por një palë këpucë të gabuara ta prishin gjithë lukun. Në përgjithësi, evito këpucët e lëshuara, gjithashtu, të sheshtat, sidomos nëse ke veshur fund. Në fund, evito edhe këpucët me shumë rripa në kyç, pasi shumë grave, prej tyre, u duken këmbët të fryra.
5. Pantallona shumë të shkurtra
Mënyra më e mirë për t’i bërë këmbët e tua të duken të shkurtra? Nëse kombinon çizmet ose këpucët me pantallona shumë të shkurtra, që nuk arrijnë të mbulojnë qafën e tyre. Nëse ke veshur këpucë me taka të larta, atëhere pantallonat duhet të arrijnë deri në fund të takës, gati ngjitur me tokën. Nëse pantallonat janë deri në kyçin e këmbës ose më të shkurtra, të paktën të vijnë duke u zgjeruar pak poshtë. Këto lloj pantallonash shkojnë me këpucët balerina ose mokasinat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *