Është mirë të mos harxhohen shuma të mëdha për produktet kozmetike; disa prej tyre mund të përgatiten edhe në shtëpi, me produkte të thjeshta dhe natyrale. Ne na ka pëlqyer gjithmonë të eksperimentojmë në kuzhinë dhe banjo, duke kërkuar përbërësit që na pëlqejnë, duke përcaktuar kryesorët dhe duke i provuar vetë. Nganjëherë, kjo ka funksionuar: Për shembulll, kemi provuar një shampo me aloe vera që na ka pëlqyer, pastaj kemi zbuluar se aloe ishte e mirë edhe e përdorur vetëm. Me vite kemi provuar dyzina recetash bukurie që na kanë pëlqyer dhe më poshtë kemi vënë 6 të preferuarat tona. Gjëja më e mirë është se asnjëra prej tyre nuk përmban më shumë se 4 përbërës dhe të gjithë ata janë të thjeshtë e gjenden kollaj…

1. Eksfoljant i thjeshtë për trupin
Shumë eksfoljantë në treg, edhe ata që thonë se janë me bazë sheqeri apo kripe, kanë kokrra polietileni, që nuk janë të mira për mjedisin, pa përmendur këtu substancat konservuese, aromat, ato që nxisin thithjen e tyre nga trupi dhe sulfatet që ndodhen shpesh në masë të madhe në to. Në vend të tyre, shkoni në kuzhinë dhe përzieni një çerek filxhani vaji që ju pëlqen (ne, parapëlqejmë ullirin), 1/8 e filxhanit me sheqer të kuq, të njëjtën sasi kripe dhe një vaj esencial që ju pëlqen. Vanilja është një nga ato me aromë më të mirë, por mund të zgjidhni atë që dëshironi. Nëse keni lëkurë të thatë, një djegie nga dielli ose ekzemë, evitoni kripën dhe dyfishoni dozën e sheqerit.

2. Pastrues me mjaltë për fytyrën
Pse ta lash fytyrën me sapunë që mund të jenë agresivë për lëkurën e saj delikate? Provo këtë pastrues natyral dhe të thjeshtë: Në pëllëmbën e dorës përziej një lugë të madhe mjalti me gjysëm luge sode, përzieji së bashku dhe aplikoji në fytyrën e njomë. Mjalti ka aftësi antibakteriale, ndërkohë që edhe e ushqen lëkurën e thatë dhe soda bën një eksfoljim të thjeshtë, pa dëmtuar ose irrituar fytyrën. Edhe kostoja e saj është e vogël.

3. Laps sysh
Për gratë që e përdorin shpesh lapsin e syve, ja një laps sysh origjinal: Përdorni një kapsulë karboni aktiv, që gjendet në të gjitha farmacitë. Në vend që ta pini për dhimbje stomaku, hidheni përmbajtjen në një sipërfaqe të pastër, njomni një furçë me ujë dhe lyejeni me grimcat e karbonit. Aplikojeni më pas mbi qepallë, ashtu si do të vepronit me çdo lloj lapsi sysh. Aplikohet lehtë dhe qëndron po aq sa lapsat e syve prej pluhuri, por në këtë rast, do të evitoni substancat konservuese, ngjyrosësit artificialë, aromat dhe kimikatet e tjera që nganjëherë i ngacmojnë sytë.

4. Parfum
Meqë substancat që ndodhen nëpër parfume mbahen sekret, nuk ka asnjë mënyrë që të zbulosh se ç’ka brenda parfumi juaj i preferuar. Studime të kohëve të fundit kanë treguar se disa prej tyre nuk janë të mira për organizmin. Atëhere, pse të mos përgatisni parfumin tuaj personal? Do ta keni vetëm ju dhe asnjë tjetër. Kombinoni vajrat esenciale që keni, si cidër, vanilje, vaj agrumesh me pak vodka dhe mbajeni në një shishkë të mbyllur mirë. Mund të eksperimentoni dhe ta ndryshoni sipas stinëve: më të hollë në verë, më të përqendruar në dimër, pa harxhuar 50 euro për një koktejl tjetër kimik.

5. Locion rroje
Sapo të dilni nga dushi, përdorni një vaj që ju pëlqen (ulliri, kokosi, jojoba, etj.), lyeni me të zonën që do të rruani dhe ja ku u bë. Në fillim, njerëzit e kanë të vështirë ta përdorin vajin. Ne jemi mësuar me idenë se vaji në fytyrë është diçka e keqe, por mund të përdorësh një vaj që i bën mirë lëkurës, si këta që përmendëm më lart, që nuk i mbyllin poret dhe nuk shkaktojnë puçrra.

6. Maskë me kos për fytyrën
Kjo maskë mund t’u duket e çuditshme disa njerëzve, por kosi i jep lëkurës shkëlqim dhe është shumë hidratues për lëkurat e ndjeshme. Mos harroni që dikur e përdornim kur digjeshim nga dielli. Përziej një filxhan kos me gjysëm filxhani drithëra me përzierje tërshëre (shiten në supermarket), lëre sa tërshëra të zbutet pak e pastaj aplikoje mbi fytyrë. Acidi laktik që gjendet në kos, e zbut lëkurën dhe mund të jetë i shkëlqyer për lëkurën e dehidratuar dhe të paajrosur. Lëre për 15 minuta dhe pastaj shpëlaje. Nuk ka nevojë ta lash me sapun.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *