Marsela Çibukaj është këngëtarja e preferuar në stafin e “Top Shou”. Ajo tashmë ka dy vite që po i jep zërin e bukur Top Channelit, televizionit që e bëri një ndër këngëtaret më të dashura të publikut shqiptar. Stili i Marselës nuk është si i moshatareve të saj. Ajo ka një insipirim impresionues nga këngët e viteve `40 – `50. Po kështu, ajo shprehet se edhe veshja e saj kombinohet me natyrën e këngës që këndon që mund tw të çojë edhe dhjetra vite mbrapa. Marsela thotë se fama e saj e ka ndihmuar të ketë sukses si në muzikë, por edhe në jetën e përditshme, pavarësisht se ende preferon t’u jetë besnike disa miqve të vjetër edhe rutinës ditore që bënte edhe para se të bëhej e njohur. Për statusin e saj nuk prononcohet, vetëm se, sipas saj, stina e bukur e verës mund sjell gjithmonë të reja. Mes një avokati, politikani, e një mjeku Marsela shprehet se do të zgjidhte një mjek… Për gjithë ata që presin këngë të reja, po ju them se ajo do të vijë shpejt me dy këngë dhe klipe të cilat janë në fazën përfundimtare. Për më shumë, siç thotë edhe Marsela “Stay Tunned”…  

 Rita Rrjolli: – Përshëndetje Marsela si je?

Marsela Çibukaj: – Përshëndetje lexues të Intervistës! Unë jam shumë mirë, me këto ditë plot diell nuk mund të isha ndryshe. Sot jam ngritur vonë nga gjumi dhe e shijova kafenë e mengjesit dalëngadalë.

– Kam marrë vesh se kohët e fundit ke qënë në Prishtinë… Si ja kalove atje?

– Në Prishtinë isha e ftuar për një aktivitet shumë të bukur, siç është PriFest (Prishtina International Film Festival ), në një nga lokalet më të bukura që ka Prishtina  “Si n’bahçe”,  ku pata kënaqësinë të performoja me muzikantë të mrekullueshëm të Kosovës, mes tyre edhe me miqtë e mi Alban Nimani dhe Dren Abazi. Mbremjet  live u përcollën me një atmosferë plot magji dhe alegri duke lënë kujtim të bukur si tek une dhe tek publiku. Prishtina ështe më të vërtet një qytet që e kam përzemër.

– Sa ndryshon Prishtina nga Tirana?

– Nuk mund të bëj diferenca të sakta, pasi nuk kam kaluar kaq kohë në Prishtinë për ta krahasuar me Tiranën. Mund të them që me pëlqeu shumë organizimi i qytetit të Prishtinës. Pata përshtypjen për aq kohe sa isha që rregullat respektohen më shumë (në trafik , në ndërtimet etj). Që ajri ishte më i paster, dhe që në përgjithësi pashë një kryeqytet të vogël, por të lezetshëm dhe plot jetë. Tirana është një vend më i madh, ka shumë jetë nate, është më kaotik, ka kontraste të forta midis qendrës dhe periferisë, qoftë në jetesën e përditshme, qoftë në mentalitet. Secila ka bukurinë e saj. Të dyja janë përfaqësuese të denja të Ballkanit .

– Kush i ka këngëtarët më të mirë?

– Kosova ka patur mundësi të njihte zhanra të ndryshme muzikore vite para nesh (Blues, Jazz , Rock , Hip Hop), kur në Shqipëri ato nuk  ishin të lejuara nga sistemi politik i kohës dhe ky fakt  bën që muzikantët e Kosovës të njohin mirë muziken. Ata kane eksperimentuar shumë gjatë viteve me këto zhanre, ashtu siç Shqipëria shkëlqen më shumë tek muzika klasike.

– Po për Romën ke nostalgji?

– Në Romë kam jetuar shumë kohë, gati 20 vjet. Kam shumë nostalgji, dhe do ta kem gjithmonë. Roma ka qenë, është dhe vazhdon të mbetet për mua qyteti më i bukur në botë. “ Caput Mundi” , “kryeqyteti i botës”  siç thuhet në latinisht . Shkoj shpesh në Romë pasi aty përveç familjes dhe miqve kam gjithë jetën time.

– Kaq shumë udhëtime… A lodhesh ndonjëherë?

– Nuk mendoj se do lodhem. Shpresoj të mos lodhem kurrë. Nuk e konceptoj dot veten në një vend të caktuar, por e shoh atë gjithmonë në lëvizje. Bota është kaq e bukur sa do të doja të kisha tre jetë të tjera që të jetoja në shumë vende të  ndryshme e të njihja gjithë gjuhët e botës, dhe të flisja me popuj të ndryshëm çdo ditë.

– Valixhja jote është gjithmonë gati, besoj. Çfarë s`harron kurrë të marrësh me vete, nëse po nisesh për diku, edhe e ke me nxitim?

– Rimel për qerpikët, furçën për dhëmbët, kitarën, makinën fotografike, kepucë komode dhe me siguri ingredientet kryesorë: kurioziteti  dhe dëshira për të kontaminuar sa më shumë qënien time me kulturën e vëndit ku shkoj.

– Nëse harron takat e larta, kthehesh medoemos për t’i marrë?

– Absolutisht joooo,  nuk kthehem. Une jam shumë “Gypsy” kur udhëtoj, më mjaftojnë pak gjëra dhe mund të udhetoj me ato pak gjëra për një kohë shumë të gjatë.

Ke një stil shumë të veçantë në veshje edhe grim… Je frymëzuar diku?

– Po, jam e frymezuar nga vitet ’40- ’50, sidomos periudha pas luftës italiane. Më pëlqen ajo periudhë kur femrat dallonin nga meshkujt në veshje me ato fundet me ngjyra që tregonin belin e hollë, këpucët elegante, pak grim, delikatesa e tyre femërore dhe shikimi i tyre revoluzionar. Ishte periudha kur kinematografia fillonte të caktonte divat e para botërore (Merlin Monroe, Sofia Loren, Liz Tejlor, Ava Gardner, Ana Manjani, Silvana Manjano) që ishin edhe mbeten akoma sot ikona e vërteta të bukurisë femërore.

Preferon t’i blesh, apo ti qepësh fustanet e tua?

– 100% t’i qep, t’i sajoj, t’i modifikoj. Sa më vintage, sa më origjinale, sa më të veçanta, aq më mirë për mua.

– Shumë kohë në televizion je brune, po bjonde ke qenë ndonjëherë?

– Unë nuk kam ndryshuar asnjëhere deri sot ngjyrën e flokëve të mi, pra, kjo është ngjyra ime natyrale që në lindje. Kam provuar disa herë paruke bjonde, për ndonjë mbrëmje karnavalesh, dhe nuk jam dukur keq, por preferoj veten gjithsesi me ngjyrën që kam.

Për ty veshja skenike është po aq e rëndësishme sa kënga që këndon?

– Veshja ka rëndësinë e saj. Unë, duke ruajtur gjithmonë stilin tim e të veshurit, luaj shumë edhe me ndryshimet e veshjes sipas këngës që këndoj. Nëse do performoj këngë të “Woodstock” atëherë përshtatem me veshjen e viteve ’70. Nëse do të këndoj rrok, atëhere trasformohem në një “Pin Up” të vërtetë. Për shembull në Top Shou, ku jam pjesë e stafit prej më shumë se dy vjetesh, kënaqem shumë duke performuar gjithmonë ndryshe, si në këngë dhe në veshje.

– Sa e vështirë është të këndosh “live”?

– Është mjaft i vështirë, duhet të kesh shumë energji, vokal që të rezistojë etj.

Jeta e natës edhe puna në orët e vona të lodhin?

– Muzikantët jetojnë natën. (Qesh) Nuk është e thjeshtë të nisesh për punë kur shumë të tjerë ndërkohë po shkojnë të flejnë, por  kjo ndodh zakonisht vetëm në fundjavë dhe nuk është vetëm lodhje është gjithashtu edhe “funny” sa që ja vlen të flesh gjumë më pak për t’u kënaqur .

Sa ndryshon përditshmëria jote, nga këto orare? 

– Zgjimi në mëngjes është pak më i vonuar sidomos gjatë fundjavës,  por oraret  e ditët, ritmet jane normale  si gjithë të tjerët.

Preferon kafe e cigare, apo kafe dhe briosh?

– Absolutisht kafe dhe briosh. Ose me mire “caffé e cappuccino”, si thuhet në Itali.

– Marsela tani që je e njohur frekuenton vetëm ambjente vipash?

– Pse ka ambjente V.I.P.-ash ne Shqipëri? (Qesh) Jo, frekuentoj një, maksimumi dy vënde të caktuara ku mblidhem me shoqërine time (80% janë muzikantët dhe kolegët me të cilët punoj) dhe janë vënde të rehatshme me muzikë të mirë dhe jo zhurmë, ku nuk është e domosdoshme të kesh takat 12 cm të larta dhe fustanin Dior për të kaluar një mbrëmje të bukur. Tirana është një realitet shumë i vogël për të krijuar vende VIP-ash, dhe, në fakt, mund të rastisësh në të njëjtën kafene në mengjes, ose në supermerkat me personalitet shume të njohur në Shqipëri, si politikan, aktor, a personazhe të musikës. Pra, kontakti me publikun është shumë me i afërt se sa në vënde të tjera të botës, ku kjo nuk ka shanse të ndodh.

– Çfarë duhet të ketë medoemos një Vip?

– Duke u nisur nga domethënia VIP, “very important person”, me siguri kjo fjalë i përket personave që me profesionin e tyre janë në qendër të vëmendje të një pjese të madhe të publikut . Për ta mbajtur këtë status duhet të vazhdojnë të bëjnë profesionin që i ka bërë aq të famshëm duke qënë gjithmonë e më lart dhe të sukseshem tek publiku.

Cili është Vipi me zemrën më të mirë që ke njohur?

– Ka shumë që më kanë lënë mbresë shumë të mirë, pozitivitet, frymëzim për punën që bej dhe për jetën në përgjithësi. Në Itali, Michele Placido, do mbetet gjatë në kujtimet e mia për thjeshtësinë, bukurinë dhe intelektualitetin aristokrat që rrezaton. Në Shqipëri me siguri ikonat si Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Shpëtim Saraçi e shumë e shumë të tjerë, janë disa nga ata që në një hark kohor të shkurtër gjatë të cilit kam biseduar me ta, në ato pak çaste që i kam njohur, më kanë lejuar të kuptoja që mbrapa personazhit, shikoje njerëz me një botë shumë të bukur. Por edhe nga më të rinjtë ka me të vërtetë shumë qe vlerësoj. Disa prej tyre i kam takuar, ndoshta vetëm një herë, disa të tjerë i njoh më shumë, por që kuptohen që janë pozitivë dhe që ky pozitivitet rezaton edhe në punën e tyre, në sukseset e tyre. Mar për shembull Flor Mumajesin, Mc Kresha, Rona Nishliun, Elina Dunin e shumë e shumë të tjerë, me të cilët, një pasdite, një kafe së bashku do të jepte kënaqësi .

S`dimë asgjë për statusin tënd… Je single, apo çift?

– Preferoj të tejkaloj këtë pyetje. Mund të them që vera bën të sajën.

– Beson në dashurinë me shikim të parë?

– Besoj me siguri, por duke u rritur mësova që dashuritë që lindin me kohën janë ato që kanë më shumë jetgjatësi. Ato me shikim të parë rezultojne shpesh herë thjesht pasione kalimtare që shuhen lehtë.

Je për bashkjetesë, apo për martesë?

– Për  bashkëjetesën më tepër, por edhe  martesa si kurorëzim të një dashurie, ka vleren e saj historike, istitucionale, gjithashtu dhe rituale për besimtarët. Kohët, duam, a s’duam po ndryshojnë dhe në një farë mënyre ne, të rinjtë, u adaptohemi ndryshimeve pavarsisht se brenda shumë prej nesh ruajnë romanticitet dhe ate idenë e përrallës me pricin e kalter dhe me kështjellën ku jetuan të gjithë të kënaqur dhe të lumtur.

Ç`profesion do doje ta kishe bashkëshortin?

– Nuk ka shumë rëndësi profesioni, rëndësi ka që të jetë një ëndërrimtar si puna ime. Megjithatë, nëse do të bëja një zgjedhje një mjek afër do të ishte mirë. Do ndihesha gjithmonë në duar të sigurta në çdo vend që të isha .

Le të flasim pak për projektet e tua të rradhës…

– Po punoj mbi këngë të reja në shqip dhe në anglisht.

– Diçka më konkrete për këngët?

– Do jenë të shoqëruara me videoklip. Nuk mund të them më shumë, edhe për bestytni. Stay tunned … Sepse po punoj fort për t’i bërë krijesat e mia sa më të bukura.  (Buzëqesh)

– Top Channel çfarë simbolizon për ty?

– Top Channel është shtëpia ime e dytë tashmë. Është një vend ku mësoj shumë dhe më jep hapësirë të shprehem. Është një kantier i madh ku, me profesionalizëm dhe me dëshirën për të qenë sa më avangard, punohet fort për të sjellë tek publiku gjithmonë inciativa të sukseshme.

– Diçka të fundit për gjithë fansat e tu…

– Ju dua fort të gjithëve dhe ju falenderoj shumë, sepse çdo ditë jepni dritë dhe ujë tokës ku unë  kam mbjellë një lule të bukur, që e quaj “muzikë”, dhe së bashku me dashurinë e përkrahjen tuaj, ajo lule një ditë jam e sigurt do bëhet një pemë gjigante.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *