edi rama edi ramaEDI RAMA

Kryeministrin Edi Rama deshëm ta takonim këtë javë e të bisedonim pak për konferencën e shtypit që ai organizoi me Tuiter. Na pëlqeu ideja e tij e re, por nuk na pëlqyen ca përgjigje që ai u dha atyre që e pyesnin. Besoj se edhe ju, të dashur lexues, nuk ju pëlqeu për shembull, përgjigjja e tij  kur e pyetën për situatën në Bankën e Shqipërisë pas zbulimit të skandalit mbi vjedhjen e 7.13 milionë dollarëve nga thesari. Kreu i Qeverisë tha se nuk mund t’i kërkonte dorëheqjen drejtuesit të një institucioni tërësisht të pavarur sikundër është Banka e Shqipërisë. Sepse t’i kërkoke dorëheqjen governatorit Fullani qenka njëlloj sikur të kërkoke dorëheqjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, asaj së Gjykatës së lartë, apo Presidentit të Republikës… Në fakt nuk është tamam ashtu zoti Rama. Ju vërtetë nuk keni fuqi e të drejtë në bazë të ligjit t’i detyroni ata të japin dorëheqjen, por mund të kërkoni dorëheqjen  qoftë për Fullanin e qoftë për Nishanin. Ju mund të kërkoni dorëheqjen e një kryetarit të një institucioni të pavarur zoti Rama, edhe si kryeminister, por edhe si qytetar i thjeshtë që paguani taksa për të ushqyer (dhe pasuruar) ata funksionarë të pavarur. Çdo qytetar i thjeshtë në demokraci ka të drejtë të kërkojë dorëheqjen kur një funksionar nuk e kryen mirë detyrën e tij, e jo më një kryeministër. Aq më shumë që si kryeministër dhe kryetar i partisë më të madhe në pushtet, ju mund të mblidhni parlamentin dhe të shkarkoni bordin mbikqyrës të bankës, për shembull… Por ju nuk doni. Ose nuk ju lënë…. Apo jo?

 

papa-francesco_h_partbPAPA FRANCESKU

Këtë javë Hirësia e tij, Papa Françesku, deklaroi personalisht se do të vizitojë Shqipërinë më 21 shtator. Ndërkohë që shtypi ka deklaruar edhe hollësirat e vizitës së tij. Pikërisht për këto ne deshëm t’i bëjmë një intervistë Hirësisë së tij. Ta pyesim nëse është e vërtetë se ka kërkuar një makinë jolluksoze për transportin e tij dhe nëse po, a mundet të ndërrojë mendje për këtë? Jo vetëm sepse mikpritësit e tij shqiptarë janë vënë në pozitë shumë të vështirë, nga që parku i makinave të personaliteteve të larta dhe Gardës ka vetëm makina lluksoze, por edhe sepse automjeti i Papa FranÇeskut do bjerë për sy të keq rrugëve të Tiranës kur të “ballafaqohet” me vargun e makinave luksoze të personaliteteve pritës, por edhe me qindra Benza, Hamera, Porsha, apo Ferrari të prodhimeve të fundit të parkuara në rrugë. Me siguri Hirësia e tij do ktheje mendje për këtë kërkesë kur të shohë makinat e shqiptarëve…

 

kocoKOÇO KOKËDHIMA

Deshm t’i bëjmë një intervistë edhe deputetit socialist që ka qënë në qëndër të mediave këtë javë, Koço Kokëdhimës. Me zotin Koço deshëm të përqëndroheshim te problemet e punësimit. Se na bëri përshtypje ajo çka deklaroi ai këtë javë që zyra e tij në Sarandë, por edhe zyrat e tjera në Vlorë etj, kanë ndihmuar shumë njerëz për t’u futur në punë. Nuk e vëmë në dyshim këtë. Edhe viktima e ngacmimit seksual në Sarandë qe futur në punë në një hotel pasi zoti Koço ja kishte kërkuar këtë pronarit në një mbledhje. Pyetja jonë për zotin Koço do të ishte: Pse nuk ua lë ai në dorë këtë punë zyrave të punës që ka hapur zoti Veliaj?! Pastaj pse duhet të futen në punë vetëm socialistet? Vetem ata janë të varfër dhe kanë nevoja?! Po atyre që nuk janë socialistë dhe që nuk kanë votuar për zotin Koço si do u vejë halli?!

Gjithashtu deshëm ta pyesnim zoto Koço edhe për atë që u shkruajt në shtyp këto ditë nga një i afërt i tij. Ai shkruante se zoti Koço ndihmon gjithë banorët e zonës së tij që kanë halle shëndetësore. Mjafton një sms drejtuar atij dhe, për votuesit e zotit Kokëdhima, që janë në spital, happen gjithë dyert, gjehen ilaçet etj. Prapë po pyesim: Po ata që kanë votuar kundër tij, apo që nuk dijnë numrin e celularit të zotit Koço, ç’duhet të bëjnë? Duhet të vdesin?! A është normale që të vazhdohet kështu? Kjo është rruga sesi do rregullohen gjërat në këtë vend? Duke u shkuar nga prapa deputeteve për një hall apo vend pune? Dhe, së fundmi, si e shpjegon zoti Koço faktin se për këto gjëra nuk flet njeri. Më shumë zhurmë në shtyp e në media bëhet për një dëshirë seksuale të një 60 vjeçari, sesa për këtë perversitet shoqëror. A thua se është më e rëndë shfaqja e një perversiteti, apo ndëtimi i një sistemi pervers të futjes në pune, apo të përfitimit të shërbimeve të shtetit, në këmbim të një vote…

 

gilbeerrt galanxhiGILBERT GALANXHI

Korrespondenti ynë në SHBA, u mundua të kontaktonte këto ditë me ambasadorin tonë aty zotin Gilbert Galanxhi, por nuk mundi ta takonte pasi ai ishte me pushime. Deshëm ta pyesnim zotin ambasador për zhvillimet e fundit në qytetin Ferguson të SHBA, ku demonstratat kundër policisë dhe trazirat nuk kanë të sosur për shkak të vrasjes nga policia të një të riu. Deshëm ta pyesnim zotin Galanxhi që, a ka ndër mend ai të dalë në CNN ose NBC dhe të japë ndonjë deklaratë për këto ngjarje, ashtu siç bëri zoti Arvizu për governatorin Fullani? A ka ndër mend të bëjë ndonjë deklaratë si zoti Arvizu, ku të inkurajojë policinë të vazhdojë punën e saj në në interes të vendit dhe të japë mesazhin se stabiliteti i Amerikës, është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë?

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *