A do ta besonit nëse do t’ju thoja që Arjana Bushati, vajza që këndon “Mama” është vetëm 14 vjeçe?! Zëri i pjekur, sjellja e saj në klip dhe shumë elementë të tjerë flasin për të kundërtën, por këto janë një plus për Arajanën, vajzën e lindur në Belgjikë, me prindër shqiptarë, e cila mendon të arrijë larg me muzikën që e ka vetëm pasion. Dhe, duket se e ka nisur me këmbë të mbarë, pasi këngën “Mama” e dëgjon kudo, jo vetëm në televizion… Edhe pse jeton larg dhe mundësitë i ka për të bërë muzikë atje, ajo po tenton në tregun muzikor shqiptar sepse i pëlqen të këndojë në shqip…   Mia. B: – Arjana, për publikun shqiptar shfaqesh për herë të parë me këngën “Mama”, ndaj para se të të pyes për klipin, do të të pyes për veten… Arjana Bushati: – (Buzëqesh) Përshëndetje! Quhem Ariana Bushati, jam 14 vjeçe. Kam lindur dhe jam rritur në Belgjikë, me prindër shqiptarë. Kam dashur githmonë të këndoj në Shqipëri e në shqip dhe familja ime ma krijoi këtë mundësi. Pasi kontaktova producentin Ervin Gonxhi, të cilin e falënderoj shumë, ai më propozoi disa tekste, prej të cilëve ky ishte teksti që më pëlqeu më shumë sepse jam shumë e lidhur me mamin. Kjo këngë u kushtohet të gjitha mamave që përjetojnë këtë realitet të hidhur. Klipi ishte ide e producentëve. – …dhe duke mbetur te teksti, janë të shumtë ata që mbetën dyshues nëse e kanë kuptuar mirë fabulën e tij! Më mirë se ti, nuk mund të na e tregojë askush… – Teksti është një mesazh për të gjithë baballarët që braktisin familjet e tyre dhe mendojnë se një ditë mund të kthehen përsëri. Disa gabime nuk falen dhe histori të tilla ka plot. – Nora dhe Gena kanë një këngë me titull “Le le mama”, ti “Mama”… Është në trend titulli “Mama”? Nuk e di nëse është në trend titulli “Mama” këto kohë (buzëqesh), por kënga ime e merr titullin “Mama” sepse në refren përsëritet disa herë fjala “mama”. Për këtë… (Buzëqesh) – Klipi është cilësuar edhe si një deja vu e klipit të këngëtares Marjeta Billo “Era e tokës”… – Nuk di ç’të them pasi nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. – Cilëve elementë ke dashur t’u japësh më tepër rëndësi në klip? – Të gjithëve. Çdo elementi i kam dhënë rëndësinë e duhur. E ke menduar të lehtë apo të vështirë përballimin e çmimit të famës? – Këtë e kam menduar dhe jam e sigurtë që i përballoj, pasi thashethemet nuk më interesojnë, s’dua t’ia di se çfarë thonë të tjerët. Unë kam një ëndërr të cilën dua ta bëj realitet; as bërrylat dhe as zilitë nuk më pengojnë. Jam e vogël dhe e kam jetën para. (Buzëqesh) – Këngëtaret e reja kanë nevojë të kenë pranë dikë që i menaxhon… Mua më qëndron mami pranë në çdo hap dhe kam mbështetjen e saj, kurse për menaxhimin, për momentin, këngën time e menaxhon studioja ku e kam realizuar. – Ndërkohë që pjesa dërrmuese e këngëtareve sot tentojnë të “shesin” me paraqitjen, ti “shet” me zërin. Mendon se më vonë do të kesh të nevojshme të kundërtën? – Paraqitja është respekti që tregon ndaj vetes jo vetëm për një këngëtare, por edhe për një njeri të thjeshtë. Te një këngëtare zëri është me shumë rëndësi sepse mund të këndojë në një radio dhe aty, nuk e di njeri çfarë ke veshur. Konkluzioni është se janë të lidhura bashkë zëri dhe paraqitja, por unë jam kundër ekzagjerimeve. – Bën pjesë te femrat e fiksuara pas kujdesit ndaj vetes apo qëndron më shumë te thjeshtësia? – Më duket shpejt për t’u fiksuar në këto gjëra. Për moshën time, thjeshtësia është më e bukur. – Sa dhe si përpiqesh ti të bësh art? – Nuk jam e përqendruar 100% në art, pasi jam akoma në shkollë, por muzikën e kam pasion. Në çdo moment që më jepet mundësia, këndoj derisa lodhem dhe dëgjoj muzikën derisa më zë gjumi. (Buzëqesh) – Ke larguar dikë së fundmi nga vetja? Për ç’arsye? Nuk kam larguar asnjëherë dikë nga vetja deri tani. Jam e rrethuar nga njerëz që i dua dhe më duan të mirën. – I jep më shumë hapësirë zemrës apo arsyes? – Zemra, është e vështirë të komandohet, por mundohem gjithmonë të vë arsyen mbi zemrën. – Je tip që përshtatesh me këdo apo ai që do të bëjë shoqëri me ty, duhet të njohë më parë botën tënde? Jam e dashur dhe e respektueshme, mundohem t’u përshtatem të gjithëve, por edhe të tjerët duhet të më përshtaten mua. Respekti është reciprok. – Beson lehtë? Ka ndodhur që dikush ta ketë keqërdorur besimin tënd? Po, besoj lehtë sepse e di ku besoj. Familja ime është ajo ku besoj çdo gjë, veçanërisht, vëllai im, Arbri, kështu që nuk jam zhgënjyer asnjëherë. – Si do të reagoje ndaj zhgënjimit të tij? Zhgënijimi duhet të jetë i rëndë për këdo. Nuk e di si do reagoja, them se do kërkoja një “përse” nëse vjen nga dikush që e dua dhe është me rëndësi për mua. Nëse do të ishte dikush tjetër, duhet ta largoj menjëherë. – I je futur muzikës për pasion apo se të duket një biznes fitimprurës? Vetëm për pasion. Nuk do më vinte keq aspak nëse nuk do të fitoja; thjesht do të doja t’u tregoja njerëzve se, ja çfarë mund të bëj! – Do t’i sakrifikoje edhe mundësitë ekonomike për muzikën? Do vazhdoja të këndoja përsëri, do bëja të pamundurën. Për të ardhura, nuk është muzika e vetmja mënyrë. Çdo gjë arrihet në jetë, asgjë nuk është e pamundur. Mjafton të kesh dëshirën e mirë. (Buzëqesh) – Sot, këngëtarët që kanë më shumë fitime janë ata që këndojnë këngë popullore, pasi shqiptarët jashtë trevave shqiptare i preferojnë këto këngë. Do të doje të ishe pjesë e kësaj kategorie? Po të kisha bërë biznes, do t’i isha futur muzikës në Belgjikë, do t’i kisha kaq mundësi, por më pëlqen të këndoj në shqip, më tingëllojnë më bukur këngët shqip. Megjithatë, nuk i dihet, ndonjë ditë edhe mund të futem në këtë kategori. – Mjafton të të shohësh si këndon, për të kuptuar se je një vajzë e qetë… Bëhesh ndonjëherë me nerva ti? Jam e qetë në përgjithësi, por nerva kam edhe unë si të gjithë! Shqiptare jam… (Qesh) – Çfarë pret të të ndodhë në vazhdim, profesionalisht? Pres të vazhdoj më tej, me gjëra të reja. – Edhe këngën e radhës do t’ua besosh të njëjtëve bashkëpunëtorë? Po, pse jo? (Buzëqesh)     Më afër me Arjanën… – Lajmi që pret të marrësh? – Që kompozitori e ka bërë këngën gati. – Telefonata që pret të bësh? – Nuk pres të bëj një telefonatë të veçantë. – Personi që pret të takosh? – Goca e tezes, Esterina Xhauri. – Veshja, objekti që pret të blesh? – I phone 6 dhe koleksionin e rrobave të verës. – Eventi ku pret të shkosh? – Nuk e kam në plan për momentin sepse kam provimet. – Deklarata e dashurisë që pret të marrësh? – Nuk pres asnjë deklaratë. (Qesh) – Kënga e momentit që të ka bërë për vete? – Birdy, “People help the people”. – Kur më telefonon mamaja, e para gjë që do të më thotë është… – Ariana. ( Qesh) – Kur isha e vogël, kisha frikë nga prindërit kur… – …bëja shtëpinë rrëmujë. (Qesh) – Një nga gjestet e para që bëj në mëngjes është… – Kontrolloj telefonin. – Nëse ndodh të shkoj për pushime me mikesha, vendi perfekt do të ishte… – Dubai. – Personi me të cilin kuptohem vetëm me një shikim… – Mami im. – Që dita të më ecë mbarë, mjafton… – Ta filloj atë. (Buzëqesh) – Pjesa më e bukur e ditës është kur… – Kur dal me mikeshat pasdite me biçikleta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *