– Jemi një familje që kemi shumë probleme ekonomike, sepse jemi në shtëpi me qera dhe s’kemi të ardhura për ta paguar. Im shoq është invalid, unë tashmë jam pa punë. Kam dëgjuar që shumë familje aplikojnë për të marrë kredi me interesin zero. Unë dua të marr kredi për të marrë shtëpi, por në bankë nuk e marr dot, sepse s’kam me se ta paguaj. Cilat familje përfitojnë këtë lloj kredie? Dua të dij, nëse përfitoj dhe unë, çfarë dokumentash duhen? Faleminderit.
– E nderuar letërshkruese, e kuptoj problemin tuaj, dhe tashmë kjo lloj dhënie kredie është vënë në zbatim dhe shumë familje kanë përfituar nga ky ligj. Qeveria ka parashikuar të japë kredi me interesin zero gjatë vitit 2014-2015, prej të cilave tashmë janë dhënë disa prej tyre. Por në vazhdimësi ky projekt parashikon dhe dhënien e 3237 kredive të zbutura me interes 3 përqind për tri vitet e ardhshme, kurse me interes 4 përqind për të njëjtën periudhë kohore parashikohen që të jepen 344 kredi. Për të gjitha familjet që përfitojnë kredi, janë të detyruar të paguajnë 3 ose 4 përqind, dhe pjesen tjetër e paguan qeveria. Afati i kredidhënies është 30 vjeçar dhe bëhet sipas marrëveshjes që qeveria ka lidhur me një nga bankat e nivelit të dytë. Aplikimi bëhet në bashkinë përkatëse ku ju jetoni. Është parashikuar që, të pakten, gjer në vitin 2015 ky projekt t’u sigurojë kushtet për strehimin e 20 përqind të familjeve që kanë aplikuar për këtë lloj kredie. Familjet që përfitojnë dhe që hyjnë tek rastet emergjente janë këto që do ju listojmë më poshtë:
– Familjet, të cilat kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore dhe përfshirja e tyre në këtë iniciativë.
– Familjet e strehuara më parë në objekte shtetërore që kthehen në funksionin e tyre të mëparshëm dhe përfshirja e tyre në këtë iniciativë.
-Familjet që janë në skemën e ndihmës ekonomike si dhe grupeve të tjera të marxhinalizuara që rezultojnë si të pastrehë dhe përfshirja e tyre në këtë iniciativë.
– Familjet që rrezikojnë të mbeten të pastreha si rezultat i kushteve të vështira higjieno-sanitare, si dhe kushteve të papërshtatshme të banesës dhe përfshirja e tyre në këtë iniciativë.
– Familjet që kanë mbetur të pastreha si pasojë e vendimeve gjyqësore, si dhe përfshirja e tyre në këtë iniciativë. Ndërsa dokumentat që duhen për të aplikuar janë këto: Çertifikatë e përbërjes familjare të vitit 1992. Çertifikatë aktuale të përbërjes familjare. Çertifikatë lindjeje personale të aplikuesit. Vërtetim banimi nga njësia bashkiake ku kërkon strehim, ose lejen e banimit për fëmijët që kanë lëvizur nga zonat e tjera të vendit. Vërtetim të ardhurash (neto të familjes). Vërtetim page për aplikuesin si dhe për të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, të cilët janë në marrëdhënie pune. Dokumentacion nga Organet Tatimore dhe Sigurimeve Shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njeri nga anëtarët është i vetëpunësuar. Vërtetim nga Zyra e Ndihmës Ekonomike nga njësia bashkiake, nëse përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike. Vërtetim nga Zyra e Punës, për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë. Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore, për personat e dalë në pension. Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për sipërfaqen e pronës, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e lejuara të strehimit. Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të vendit të origjinës, se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila nuk mund të përdoret për strehim për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi. Dokument zyrtar të celebrimit dhe çertifikatën personale, për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja. Vendimin Gjykate për fëmijët në ngarkim për çiftet e divorcuara, Vërtetim të statusit të jetimit, në ato raste kur e gëzojnë këtë status. Vendim nga Komisioni Mjekësor për personat me aftësi të kufizuara, të cilët trajtohen sipas pikës d, neni 5 i Ligjit Nr. 9232, datë 13.5.2004. Vërtetim nga Kadastra e Rrethit nëse ka përfituar ose jo nga Ligji Nr. 7501, “Për tokën”, për të gjithë pjesëtarët madhorë të familjes. Vërtetim nga Zyra e Tatim-Taksave nëse është ose jo subjekt i taksës së vlerës së shtuar, për të gjithë anëtarët e familjes. Vërtetim nga Zyra e Urbanistikës pranë Bashkisë së Tiranës, llogarisë dhe Hipotekës nëse ka blerë ose jo truall nga shteti për ndërtim banese, për të gjithë anëtarët e familjes. Deklaratë personale e noterizuar, ku përfshihen të gjitha pikat e mësipërme dhe kontratë qiraje të banesës ku jetoni.
Theksojmë që familjet që kanë më shumë përparësi për të përfituar nga kjo lloj kredie janë individët dhe familjet që klasifikohen për t’u trajtuar me programet sociale, familjet që vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga ligji nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”. Familjet ku kryefamiljari është grua e ve, ose e divorcuar, familjet me një prindër që kanë në ngarkim fëmijë, të moshuar që kanë mbushur moshen e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqërore; Individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë statusin e të verbërit të grupit të parë, invalidët paraplegjik dhe tetraplegjikë, çiftet e reja me moshë totale deri 55 vjeç, dhe individët me statusin e jetimit që kanë dalë tashmë nga jetimorja dhe që janë gjer në moshen 30 vjeç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *