“Rikthejm na” është kënga më e re e Kidës dhe Mc Kreshës. Ata vijnë për herë të parë me një bashkëpunim, ku Kida merr gjithë vëmendjen e publikut, sidomos me klipin aq interesant ku i kërkon Mc Kreshës t’i kthejë kujtimet e dikurshme. E bukur dhe, edhe pse shumë e vogël, ajo bën që fansat ta krahasojnë atë me Xhenifer Lopezin. Ajo për këtë qesh dhe thotë se është nder ta krahasosh me një yll të tillë. Mc Kresha sapo ka publikuar albumin e ri “Amsterdam” dhe thotë se edhe në bashkëpunimin me Kidën, ishte paksa i kufizuar në kohë. Ai i uron shumë suksese këngëtares së re, e cila falë tij, u bë shumë e famshme. Për më shumë rreth këngës dhe jetës së tyre, lexoni rrëfimet…

 

Kida: Nuk kam asnjë fitim nga këngët e mia!

 

Rita Rrjolli: –Kida, përshëndetje!

– Përshëndetje dhe faleminderit për intervistën.

Sa vjeçe je edhe sa vjet ke që merresh me muzikë?

– Unë do të mbush të shtatëmbëdhjetat në dhjetor, ndërsa muzikë kam kënduar që e vogël, por në mënyrë profesionale, kam dy vjet që këndoj.

Si ndihesh me lançimin e këngës së re?

– Shumë mirë. Kënga është pritur shumë mirë nga publiku, gjë që më bën të ndihem mirë.

Sa e vështirë është të bësh një hit?

– Nuk është lehtë të bësh një hit, por unë kam mbrapa menaxherë shumë të mirë, të cilët kujdesen shumë që unë të dal sa më mirë në publik me këngët e mia.

Sa shpenzon dhe çfarë fiton në këtë rast?

– Për fat të mirë, menaxheri im i organizon të gjitha. Unë jam artiste e On Records. Ata investojnë në mua e për fitim s`po mendoj njëherë. Qëllimi është të bëjmë këngë të mira që t’i pëlqejnë publikut.

Pse pikërisht “Rikthejm na”?

– Kjo këngë u është dedikuar çifteve të ndarë, që t’i rikthejnë edhe njëherë kujtimet, se njerëzit shpeshherë ndahen vetëm duke akuzuar njëri-tjetrin për gjëra të këqija. Ne u themi të rikujtojnë gjërat e bukura që ndoshta të kenë një fund të mirë.

E jotja ishte idea për bashkëpunim me MC Kreshën?

– Jo, idea ka qenë e menaxherit dhe u vendos që ky projekt t’i prezantohej Kreshës. Atij i pëlqeu dhe bëmë bashkëpunimin. (Buzëqesh)

Si është të punosh me një reper kaq të njohur?

– Është eksperiencë e mirë posaçërisht të punosh me një reper me kaq famë sa ai.

Sa kohë harxhuat me klipin edhe koreografinë?

– Xhirimet kanë zgjatur katër ditë, kurse regjia ka zgjatur rreth tri ditë.

– Nëse nuk i kthen kujtimet e tua, a kujdeset dikush t’i kthejë për ty?

– Unë jam në moshë të re dhe kam vetëm kujtime nga fëmijëria. Jeta ime s’ka qenë me shumë sprova, që të kem shumë kujtime të rëndësishme të cilat mund t’i kthej unë, apo dikush tjetër.

Sa ka ndryshuar jeta jote vitet e fundit?

– Ka ndryshuar duke iu falënderu Zotit për të mirë. Jam marrë me vallëzim gjashtë vjet dhe këto dy vitet e fundit janë vitet më të mira të jetës sime. Ka ndryshime pozitive, angazhime që unë i bëj me dëshirë të madhe, se muzika ka qenë ëndrra ime dhe po realizohet. Falënderoj së pari menaxherin tim Mehmet Elshanin, producentët e mi Zzap & Chriss, stilisten time Sarah dhe shumë njerëz që i kam afër, posaçërisht familjen që më mbështet çdo herë.

Kida, je singëll apo çift?

– Jam singëll.

Si është mashkulli ideal?

– Unë jam e re që të mendoj për një mashkull. Tani jam përqendruar vetëm në karrierën time.

Domethënë, zhgënjim dashurie nuk ke provuar…

– Jo s`kam probleme hiç fare në atë drejtim.

Cila është gjëja më e bukur që të ka ndodhur deri tani? Pse?

– Ndodhia me e bukur deri tani për mua ka qenë performimi i këngës “Murder” në koncertin “DMX”, ku ishin të pranishëm rreth 3000 persona. Ishte një ndjesi e veçantë.

Kush të ka dhënë ndihmën më të madhe, sidomos monetare për karrierën?

– Siç e thashë më sipër unë kam producent që më ndihmon e më beson.

Një mike ime ma shprehu se ti i ngjan disi Jenifer Lopezit… Të pëlqen ky krahasim?

– Së pari faleminderit për krahasimin. (Qesh) Të më krahasosh më nje yll si është Xhenifer Lopez është gjë e madhe për mua, por jo. Kida është unike, nuk do të jetë kopje e askujt, por të gjithë ne i ngjajmë dikujt.

Diçka të fundit, Kida?

– Përshëndes të gjithë fansat e mi! Ju dua shumë dhe ju them se në qershor vij me një super hit nga Zzap & Chriss, Stay Tunned.

 

MC Kresha: Femrat s’m’i nxen zemra!

– Mc Kresha si je?

– Tung Rita, mirë faleminderit! Uroj edhe ti të jesh mirë.

Më fol pak për albumin e ri…

– Suksesin nuk di me e matë unë, por sipas njerëzve edhe me sa po e shohim na dhe ekipi ynë, janë mbresëlanëse.

Sa këngë janë dhe sa ndër këto janë klipe?

– Këngë me klipe janë realizuar dy, por këto janë veç fillimi. Mendoj që jena bo gati me ofru atë çka fansat tanë e duan.

Ku qëndron vështirësia e realizimit të një albumi në ditët tona?

– Problem shumë i madh sidomos kur e kena parasysh investimin që duhet me bë, investim i cili është i parealizueshëm me u fitu përmes shitjes së produktit.

– Nëse flasim për shifra?

– Muzika që ne bëjmë kërkon kosto të lartë për shkak se ne njekim kualitetin botëror të këtij zhanri, kështu që standardet janë të larta dhe për pasojë, edhe shifrat në këtë rast.

– Deri tani ke bërë investim personal apo me sponsor?

– Këngët e albumet e mia zakonisht i investoj i vetëm, por kam pasur përkrahje të palëkundshme prej familjes, shokëve e njerëzve që ma duan të mirën.

A janë repi dhe suksesi, dy faktorë që të kanë ndryshuar në jetë?

– Mendoj që repi është pjesë e personalitetit tim. Tu e ditë që jam rritë me muzikën rep, me stilin e jetesës së hip-hopit, po mendoj që suksesi është diçka që përcillet me punë dhe përkushtime në sytë e mi. Mendoj që nevojitet ma shumë se rep dhe sukses, për me të formu si njeri. (Buzëqesh)

Pa to, sot, ku dhe si do të ishe?

– I njëjtë. Jeta s`mendoj se m’ka ndryshu fare.

Cili është urimi më i bukur që ke marrë nga fansat e tu?

– Ka plot dhe s`po di cilin më thënë. (Qesh)

Kreshnik, a ka ndryshuar diçka në statusin tënd nga intervista e fundit, ku më thoje se je singëll?

– Senet po ndërrojnë…

Ende nuk ke asnjë femër të bukur në zemër?

– Femrat që më pëlqejnë mu janë të gjata, s’m’i nxen zemra. (Qesh)

Cila është një repere shqiptare që gëzon simpatinë tënde?

– Më paska marrë malli me dëgju ndonjë repere shqiptare tu ba rep.

– Bashkëpunimi më i frytshëm që ke pasur?

– S’e di.

Po të punoje më Kidën, si ishte?

– Mirë shumë. Edhe pse kena punu në kushte shumë t’limitume për shkak se isha i zënë me albumin tim. Jam knaq edhe mendoj që është një këngë shumë e mirë, e pëlqyeshme nga publiku, kshtu që bravo Kida!

Kush i kthente dublat e klipit më shumë, ti apo ajo?

– S’e di, pasi unë s`kam qenë në shumicën e xhirimit të klipit dhe, me të thënë të drejtën, unë, zakonisht, s’i kthej dublat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *