Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Po ti, rrezikohesh nga kanceri i vezoreve?

Para pak kohësh, Anxhelina Zholi deklaroi se kishte hequr vezoret, për të evituar rrezikun e kancerit në to, për shkak të genit të saj defektoz. Ç’është ky lloj kanceri që prek gratë, kush është më e rrezikuar prej tij dhe cilat janë simptomat? Lexoni shkrimin tonë, për të mësuar më shumë…

– Çfarë është kanceri i vezoreve?
– Studimet thonë se ky kancer fillon në tubat e Fallopit dhe shkon në vezore, organet që prodhojnë vezët, si edhe hormonet femërore, estrogjen dhe progesteron. Trajtimet për kancerin e vezoreve janë bërë më efikase gjatë viteve të fundit dhe sa më shpejt të kapet ai, aq më të mira janë rezultatet e tyre.
– Cilat janë simptomat e këtij kanceri?
– Ato përfshijnë: Fryrje apo presion në bark, dhimbje në bark ose në zonën e legenit, ndjesi e të qenit më e fryrë se zakonisht pas ngrënies, urinim më i shpeshtë. Këto simptoma mund të shkaktohen nga shumë faktorë që nuk kanë lidhje me kancerin, por nëse zgjasin më shumë se dy javë, atëherë duhet të flisni me doktorin.
– Cilët janë faktorët e rrezikut?
– Ata janë disa:
1. Historiku familjar, apo trashëgimia.
Një grua ka më shumë gjasa për të pasur kancer vezoresh nëse një e afërme e ngushtë e saj ka pasur kancer në vezore, gjoks, apo në zorrën e trashë. Studiuesit mendojnë se ndryshimet gjenetike të trashëguara janë përgjegjës në masën 10% për kancerin e vezoreve. Këto ndryshime përfshijnë mutacionet e geneve BRCA1 dhe BRCA2, të cilat lidhen edhe me kancerin e gjoksit. Gratë që kanë një historik familjar me sëmundje të tillë, duhet të flasin me doktorin dhe të ndiqen nga afër prej tij.
2. Mosha.
Faktori më i madh i rrezikut për kancerin e vezoreve është mosha. Ai ka më shumë gjasë të zhvillohet pasi një grua kalon në menopauzë. Edhe terapia me hormone pas menopauzës mund ta shtojë rrezikun. Lidhja duket më e fortë te gratë që marrin estrogjene pa progesteron, për të paktën 5-10 vjet rresht. Doktorët nuk janë të sigurtë nëse marrja e kombinimit të estrogjenit me progesteronin shton gjithashtu rrezikun.
3. Obeziteti.
Gratë obeze rrezikojnë më shumë për të pasur kancer vezoresh sesa gratë e tjera. Edhe niveli i vdekjes për të sëmurat është më i lartë, krahasuar me gratë jo-obeze. Kjo lidhje duket në përpjestim të drejtë, pra, sa më e lartë pesha, aq më i madh rreziku.
– Si zbulohet ky lloj kanceri?
– Nuk është e lehtë të zbulohet, sepse ai në fillim nuk ka simptoma. Megjithatë, ka dy mënyra të zbulimit të tij gjatë një ekzaminimi gjinekologjik. Njëra është zbulimi me anë të analizave të gjakut, ku mund të kërkohet niveli i lartë ose jo i një proteine të quajtur CA-125. Një analizë tjetër është ekografia e vezoreve. Për fat të keq, asnjë nga këto teknika nuk është provuar se shpëton jetë kur përdoret te gratë me rrezik mesatar. Për këtë arsye, skaneri është metoda e vetme e këshilluar për gratë që kanë faktor të lartë rreziku.
– Si bëhet diagnoza e tij?
– Grafitë e ndryshme, si ajo me ultratinguj dhe skaneri, mund të tregojnë një masë në vezore, por këto nuk mund të përcaktojnë nëse masa jonormale është kancer, apo jo. Nëse dyshohet për kancer, hapi tjetër është ndërhyrja kirurgjikale për të hequr indet e dyshimta, të cilat më pas çohen në laborator për ekzaminime të mëtejshme, analizë që quhet biopsi.
– Cilat janë stadet e këtij kanceri?
– Ndërhyrja kirurgjikale gjithashtu përcakton se sa është përhapur kanceri, i përshkruar në stadet e mëposhtme:
a. Stadi I: Kanceri ndodhet në njërën, apo në të dyja vezoret.
b. Stadi II: Ai është përhapur në mitër, ose në organet afër.
c. Stadi III: Ai është përhapur në nodujt limfatikë apo në muskujt e barkut.
d. Stadi IV: Ai është përhapur në organet e largëta, si mushkëritë, apo mëlçia.
– Cilat janë llojet e kancerit të vezoreve?
– Shumica e kancereve të vezoreve janë të tipit karcinomë epiteliale. Këto janë tumore malinje që formohen nga qelizat në sipërfaqe të vezoreve. Disa nga tumoret epiteliale nuk janë tamam kancerogjene. Këta njihen si tumorë me potencial të ulët malinj (LMP). Këta lloj tumorësh rriten me ngadalë dhe janë më pak të rrezikshëm se format e tjera të kancerit të vezoreve.
– Sa për qind e grave mbijetojnë nga këta lloj tumoresh?
– Kanceri i vezoreve është shumë vdekjeprurës. Gratë që mbijetojnë prej kancerit epitelial për një periudhë 5 vjeçare janë 18%-89%, në varësi të kohës kur zbulohet ai. Për tumoret LMP, niveli i mbijetesës është 77%-99%.
– Si bëhet ndërhyrja kirurgjikale?
– Ndërhyrja bëhet për të diagnostikuar kancerin e vezoreve dhe përcaktuar stadin e tij, por është edhe faza e parë e trajtimit. Qëllimi është të hiqet sa më shumë masë tumorale të jetë e mundur. Kjo mund të përfshijë një vezore të vetme dhe inde rreth e rrotull në stadin e parë. Në stadet e mëpasme mund të jetë e nevojshme të hiqen të dyja vezoret, së bashku me mitrën dhe indet rrethuese.
– Si zhvillohet kimioterapia?
– Në të gjitha stadet e kancerit të vezoreve, pas ndërhyrjes kirurgjikale jepet kimioterapia. Kjo fazë trajtimi përdor ilaçe që kanë për qëllim vrasjen e qelizave kanceroze që kanë mbetur në trup. Ilaçet mund të jepen nga goja, intravenoze, ose drejtpërdrejt në bark (kimioterapi intraperitoneale). Gratë me tumore LMP zakonisht nuk kanë nevojë për kimioterapi, përveçse nëse tumori rritet përsëri pas operacionit.
– Cilat janë terapitë e reja në luftën kundër këtij tumori?
– Studiuesit po punojnë për të gjetur terapi që luftojnë mënyrën se si rritet kanceri i vezores. Një proces i quajtur angiogenesis përfshin formimin e enëve të reja të gjakut për të ushqyer tumoret. Një ilaç i quajtur Avastin bllokon këtë proces, duke bërë që tumori të tkurret, ose të ndalojë rritjen. Avastini është aprovuar për kancere të tjera, por studiuesit po e testojnë ende këtë terapi për kancerin e vezoreve, sepse ai mund të sjellë disa efekte dytësore serioze.
– Çfarë ndodh pas mbarimit të trajtimit?
– Kur të dyja vezoret hiqen, ato nuk mund të prodhojnë më estrogjen. Kjo bën që gruaja të hyjë në menopauzë, pavarësisht nga mosha që ka. Rënia e nivelit të hormoneve mund të shtojë rrezikun për disa sëmundje, përfshi osteoporozën. Është e rëndësishme që gratë të ndiqen nga doktori pasi janë trajtuar nga kanceri i vezoreve. Lodhja është një problem që haset shpesh pas trajtimit për kancer. Gratë mund ta kenë të vështirë të rigjejnë energjinë e tyre pas mbarimit të trajtimeve. Një nga mënyrat për të rikthyer energjinë dhe për të përmirësuar gjendjen emocionale është të fillohet një program i lehtë ushtrimesh fizkulturore.
– Cilët janë faktorët që reduktojnë rrezikun për të pasur kancer në vezore?
– Ato janë disa dhe duhen pasur parasysh nëse doni të evitoni këtë lloj tumori:
a. Shtatzania.
Gratë që bëjnë fëmijë kanë më pak rrezik se ato që nuk kanë lindur kurrë. Ky rrezik duket se pakësohet me çdo lindje dhe ushqimi me gji mund të ofrojë mbrojtje shtesë.
b. Pilula kontraceptive.
Kanceri i vezoreve, gjithashtu, haset më rrallë te gratë që marrin pilula kontraceptive. Gratë që e kanë përdorur pilulën për të paktën 5 vjet kanë afro gjysmën e rrezikut në krahasim me gratë që nuk e kanë marrë kurrë. Ashtu si shtatzania, pilula kontraceptive eviton ovulimin. Disa studiues mendojnë se ovulimi më i rrallë të mbron nga kanceri i vezoreve.
c. Lidhja e tubave.
Lidhja e tubave, që në gjuhën shkencore quhet ligacion i tubave, mund të ofrojë një lloj mbrojtjeje ndaj kancerit të vezoreve. E njëjta gjë vlen edhe për histerektominë, heqjen e mitrës.
d. Heqja e vezoreve.
Për gratë që vuajnë nga mutacioni gjenetik, që i bën ato të kenë një faktor të lartë rreziku për kancer vezoresh, heqja e vezoreve është një mundësi. Kjo gjë mund të konsiderohet edhe për gratë mbi të 40-tat, që bëjnë heqje të mitrës.
e. Dietë me pak yndyrna.
Megjithëse nuk ka një dietë të përcaktuar mirë për parandalimin e kancerit të vezoreve, ka të dhëna shkencore se ajo që hamë është e rëndësishme. Në një studim të kohëve të fundit, gratë që ndiqnin një dietë me pak yndyrna për të paktën katër vjet, kishin më pak gjasa të kishin kancer në vezore. Disa studiues thonë se kanceri haset më pak te gratë që hanë shumë perime, por nevojiten ende studime në këtë drejtim.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Djemte kerkojne vajza...

Next Post

“Intervista” në zemër të Friulit...

Advertisement