Nga Valbona VUKULAJ

Friuli 2Friuli Venezia Giulia, midis kështjellave, verërave dhe proshutave më të njohura evropiane…

Reportazh turistik për ata që duan të shijojnë një ushqim të veçantë, të pinë një gotë verë bio cilësore, për ata që e duan antiken dhe ata që duan të prekin gjurmët e historisë…

Pak rastësisht dhe pastaj qëllimisht u gjenda në këtë vend, i cili për ne shqiptarët nuk është shumë i njohur, por isha e bindur se ia vlente ta njihja dhe pata të drejtë. Sot, ju këshilloj që, sapo t’ju jepet mundësia, ta vizitoni edhe ju. Pse? Cila është e veçanta e kësaj zone?
Ky regjion, përveç historisë së lashtë, kështjellave gjigande, thesareve të paimagjinueshme të fshehura në kishat antike, njihet dhe për pjatat tipike, kuzhinën shumëngjyrëshe dhe një numër të madh kantinash vere. Kuzhina është e shumëllojshme pikërisht sepse këtu janë kryqëzuar rrugët e popujve evropianë, kryesisht italianë, sllovenë dhe mesdhetarë, pa harruar këtu kuzhinën popullore të pasur me bimët e rritura po këtu. Në këtë zonë gjeni malin, fushat, kodrat, lumenjtë dhe detin, por kryesisht, njihet si zona e kodrinave të ulëta, e një bimësie të shumëllojshme dhe e fushave të mëdha me vreshta rrushi. Kjo është një nga zonat industriale më të pasura të Italisë, e famshme për ushqimin bio dhe verërat tipike.

Ku ndodhet Friuli Venezia Giulia?
Interesante është vendosja gjeografike, në pjesën verilindore të Italisë, në kufi me Slloveninë dhe Austrinë, me pamje nga deti Adriatik, rrethuar nga male të larta që i përkasin Sllovenisë, kodrina të vogla me peizazhe mbresëlënëse, lumenj dhe shumë kështjella. Friuli Venezia Giulia ka si kryeqytet Triesten. Historia e kësaj zone është e lidhur kryesisht me Luftën e Parë Botërore…

Takimi im i parë…
jotaNë fillim, uroj të keni edhe ju një guidë po aq të mirë sa ishte ajo e miqve të mi italianë, e kryesisht nga Raffaele Paparo, me profesion ushtarak, por edhe një nga themeluesit e shoqatës së shijes (degustimi) “Convivium”, që bazohet në gatimin dhe shijimin e pjatave tradicionale të kësaj zone, duke testuar kështu receta nga më të ndryshmet, shoqëruar me verën më të mirë të prodhuar këtu e për të cilën do t’ju flas pak më poshtë. Nëse dëshironi gjithashtu një guidë ushqimesh (ashtu si edhe unë) duhet të vini këtu… Raffaele, duke qenë shef kuzhine, si fillim më përgatiti pjatën tradicionale friulane, me emrin jota (Mos ikni nga Friuli pa e shijuar jotën!). Jota është një supë me barishte të ndryshme dhe mish të tymosur… Për shijen mos më pyesni, është e pamundur ta përshkruaj me fjalë. Shikoni foton dhe, shkoni në Friuli!

Nëpër kantinat e verës…

Me AlesionÇudia e parë me të cilën u përballa, ishte fakti që, në bare, për një gotë verë cilësore, paguaje vetëm 1 euro! Sigurisht, më vonë e mësova se isha në zemër të verërave dhe, s’kishte si të ndodhte ndryshe! Me pak fjalë, nëse shëtit në Friuli dehesh vetëm nga aroma e verës (që nuk ju bie në kokë, mos kini frikë!). Kam dëshirë t’ju prezantoj këtu me njërën prej kantinave më me zë të kësaj zone, që në një të ardhme, shpreson të futet me prodhimet e saj, edhe në tregun shqiptar, Kantina Fiegl. Në këtë kantinë, të servirin një verë të shkëlqyer, shoqëruar me gatimet më të mira tradicionale, të gatuara nga shoqata “Convivium”, e cila ka këtu qendrën e saj. Ideja është t’u servirin të gjithëve përveçse një verë shumë të mirë, edhe një gatim të çdo zone të Friulit. Motoja e tyre: “Ushqimi i mirë është thelbi i lumturisë”, shoqëruar me një gotë vere cilësore, e merr plotësisht kuptimin e saj. Mikpritësi im ishte një nga dy vëllezërit prodhues të verës, Alessio Fiegl, i cili më shpjegoi se si vera e tyre ishte tashmë një traditë familjare që nga viti 1782, kur ata kishin nxjerrë prodhimet e tyre të para. Kantina është vendosur në një nga zonat më prodhuese në Collio dhe është e hapur për shumë miq të verës dhe të ushqimit, ndaj mos e lini pa vizituar, do t’ju mirëpresin… :) Sigurisht, unë vizitova edhe kantina të tjera siç ishte Vila de Finneti, por do të duheshin faqe të tëra gazete për të treguar për të gjitha.

Vila Manin…
Vila ManinMe pak fjalë, një arkitekturë e rrallë, në zemër të fushës së Friulit. Përveç korridoreve pafund, pikturave, afreskeve, ndërtesave historike dhe Kishës së Shën Andreas e cila është pjesë e kësaj vile, ato që të mahnitin janë kopshtet e saj super të mëdha të stilit anglez, ku nuk mungojnë statujat me historitë e tyre, që duhet t’i vizitoni patjetër. Vila ka një hapësirë prej 8.500 metrash katrorë dhe është super e bukur. Vetë italianët e quajnë atë “një nga xhevahiret e Italisë”. Vila, sipas historisë, bënte lidhjet nëpërmjet ujërave të lagunave të Venezias dhe të Adriatikut, me ato që vinin poshtë luginës Tagliamento, të ardhur nga Evropa Qendrore. Tashmë, kjo vilë është një ekspozitë e artistëve nga e gjitha bota, të cilët shpalosin artin e tyre në pikturë, afreske dhe statuja të veçanta, ku gjithsecili përfaqëson kulturën e vendit nga i cili vjen.

Codroipo…

????????????????????????????????????

Duke qenë e shoqëruar nga një ushtarak, guida ime fillon në Codroipo, ku zhvillohej festa e çlirimit të Italisë. Ceremonia ishte shumë interesante, me shfaqjet nga ushtria kalorsiake, pjesë e së cilës është edhe udhërrëfyesi im (La Brigada di cavalleria “Pozzuolo del Friuli”), një njësi e madhe e ushtrisë italiane. Nuk mund të lë pa përmendur edhe prezantimin dinjitoz të aktivitetit dhe armatës së ushtrisë italiane nga ushtarakët atje. Më pas vizituam me radhë muzetë ushtarakë që flisnin kryesisht për Luftën e Parë Botërore, pasi kjo është një nga zonat më të prekura të asaj periudhe.

Aquileia…

Aquilea me e bukurSigurisht nuk mund të ikja pa vizituar një nga vendet më të lashta, siç është Aquileia, e cila ndodhet në krye të Adriatikut në buzë të lagunave rreth 10 kilometra larg detit, në lumin Natiso. Italianët e barazojnë Aquileian me Romën e lashtë, sepse kjo është një vazhdimësi e saj. Aquileia ka një terren arkeologjik të mbrojtur nga Unesco. E gjithë Aquileia zbulon gjurmë të perandorisë romane dhe gërmimet që vazhdojnë ende, kanë nxjerrë në pah forumin roman, bazilika dhe mozaikë të papërshkrueshëm me fjalë. Mos lini pa vizituar Bazilikën e Shën Maria Asuntes dhe mozaikët e famshëm kristianë të shekullit IV, të cilat ndërtojnë një etapë thelbësore në historinë e artit italian. Mjafton të shkoni në Aquileia dhe nuk do të rrini dot pa parë të gjitha muzetë e atij vendi. Po ju paralajmërojmë që janë shumë, por ia vlen të lodheni pak. Sigurisht, çdo vend, siç ju thamë edhe më sipër, ka gatimet e veta tradicionale dhe ato më të shijshmet, janë pjatat antike, të bazuara në recetat romane. Duhet t’i provoni që të na jepni të drejtë.

Proshuta e D’Osvaldos në Cormons…

ProshutaSiç njihet për verërat e famshme e kështjellat, Friuli Venezia Giulia njihet edhe për proshutat më të mira evropiane. Kështu, duke qenë një shijuese e mirë, nuk mund të ikja pa provuar  proshutën e këtij vendi. Nga më të mirat zgjodha pikërisht proshutën e njohur D’Osvaldo të Cormonsit, fshati i vogël ku qëndroja unë. Tradita e prodhimit të proshutës daton që nga viti 1940, në Cormons, në zemër të Collios. Vajza e prodhuesit, Monika, më bëri një pritje fantastike në vilën e tyre, ku edhe përgatisnin proshutën e tyre të famshme. Pasi më serviri pjata të shumëllojshme, të shoqëruara sigurisht me verë, ajo më dha një informacion të hollësishëm mbi proshutën e cila prodhohej me mishin e derrit të zonës, ku ata rriten vetëm me bimë, pa kimikate. Monika u tregua e gatshme të më tregonte procesin e përgatitjes së proshutës, i cili ishte shumë interesant, por po ju lë ta shikoni vetë me sytë tuaj, kur të vizitoni këtë vilë shumë mikpritëse. Jam kënaqur pa fund në këtë vend; proshuta më shijoi shumë dhe gjithashtu vizitova të gjithë vilën. Kam ngelur e mahnitur, ndaj po ju tregoj foton time në mes të proshutës… Dhe diçka tjetër, Monika më tha se kishte konsumuar proshutë që fëmijë dhe kolesteroli i del gjithnjë në parametra shumë të mirë… Kjo do të thotë se kishte të drejtë për cilësinë…

Grado… (Citta del sole)

GradoMund të them, një Venezia e dytë… Kur u nisëm nga Cormons, ishte kohë me shi, për më pak se 1 orë rrugë arritëm në Grado dhe, çudia më e madhe qe se aty kishte diell! Jo më kot e kishin quajtur Qyteti i Diellit. Grado është i vetmi qytet në Adriatik i cili plazhin e ka në drejtim të Jugut, ndaj edhe klima është kryesisht e ngrohtë dhe ka shumë diell. Një qytet që ka dhe pjesën antike me rrugicat e saj dhe kishat shumë të vjetra, por që pasohej nga Grado e re, një pjesë qyteti e ndërtuar kohët e fundit. Sigurisht, duke qenë buzë detit, pjatat ishin të gjitha me bazë peshku…

Gorizia dhe kështjella e saj

Castello di goriziaAh, këtu do të ndalojmë pak më shumë! Kishit dëgjuar për murin e Gorizias, pak a shumë i ngjashëm me Murin e Berlinit? Besoj se pak vetë e dinë… Mjafton të shkoje në Sheshin Transalpina dhe aty mësoje historinë e këtij “muri” që nuk është më, por mendimi për të cilin, të kujton se vetëm disa hapa na ndanin nga Nova Gorizia, e cila është pjesë e Sllovenisë. Për të më shpjeguar historinë e veçantë të kësaj zone, m’u gjend pranë Fabrizio Oreti, gazetar i një gazete publicistike në Gorizia, nënoficer i Ushtrisë Italiane dhe Këshilltar Bashkiak (Capogruppo e consigliere comunale lista civica “Per Gorizia”).

Sheshi Transalpina, pas luftës, ishte zemra e dy botëve, asaj italiane dPllakahe sllovene, sepse pikërisht këtu është kufiri midis dy shteteve. Gjer vonë nuk mund të kaloje në vendin fqinj (që ishte disa hapa më tutje), pa iu nënshtruar një kontrolli të hollësishëm nga policitë e dy shteteve, ajo italiane dhe e ish-Jugosllavisë. Fabrizio më sqaroi se, duke u përpjekur të mos e lërë të shuhet historiku i këtij sheshi, bashkia po punon me një projekt, i cili do të shërbejë për t’i dhënë rëndësinë e duhur. Gjer vonë, ky vend ka qenë një lloj embleme, ose një lloj “muri”, mes dy botëve të tensionuara, asaj sllovene dhe italiane. Tani nuk është më ai tension, ama ky projekt pretendon të kthejë sytë nga historia, për të mos e harruar atë. Një nga qëllimet është shndërrimi i monumentit historik edhe në një shesh për evente të rëndësishme si për Gorizian, Nova Gorizian dhe dy komunitete të vogla që ndodheshin po afër këtyre dy vendeve. Ky projekt shërben për të bërë së bashku shërbimet, transportin dhe shëndetin midis Gorizias dhe Nova Gorizias dhe komuniteteve rreth tyre. Shumë vetë nuk e dinë se pikërisht në këtë shesh dhe pikërisht aty ku ndodhet ajo pllakë guri që shikoni në foto, ka qenë dhe është kufiri midis dy shteteve, Italisë dhe Sllovenisë, është vija ndarëse mes Gorizias dhe Nova Gorizias, të cilën e vizitova për një arsye tjetër, të cilën do t’jua them më poshtë. Ndersa Kalaja mesjetare e Gorizias është një perlë e vërtetë, ku jetojnë në harmoni arkitektura mesjetare dhe stili barok. Në Gorizia do të gjeni mjaft muze të luftës dhe mesjetarë. Në pjesët më të larta të këtij qyteti është e vendosur Oslavia, në formë kubeje, ku qëndrojnë eshtrat e ushtarëve italianë dhe të austro-hungarezëve të vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore.  Ia vlen ta vizitoni dhe, nëse dëshironi dikë që t’ju tregojë për historinë e saj, mjafton të kërkoni Fabrizion dhe ai do t’ju gjendet pranë.

Nova Gorizia, takimi me Marco Travan, iluzionist…

Me MarkonArsyeja se pse shkova në Nova Gorizia është se më kishin folur për Marco Travan dhe stafin e tij Illusio, që nëpërmjet disa efekteve kompjuterike dhe dritave, krijonin iluzione imazherike në formë 3d nëpër ndërtesa. Ishte shumë interesant takimi me këtë staf të njohur tashmë jo vetëm në Itali, por dhe jashtë saj për punët e tyre. Arrita të shikoja në praktikë se si i krijonin imazhet vetëm nëpërmjet efekteve të dritave, duke i bërë të dukeshin më se reale. Pasioni i tij për punën dukej që nga mënyra se si e shpjegonte gjithçka me hollësi dhe se si të gjithë ngeleshin të shtangur para shfaqjeve të tij spektakolare nëpër muret e ndërtesave. Unë pashë disa prej punimeve të tij dhe e pyesja herë pas here nëse ishin njerëz ata që shikoja. Ai, sigurisht, qeshte, duke më thënë: “Jo, ato janë thjeshtë drita që unë mund t’i kthej në imazhe që ty të duken reale”. Që ta kuptoni më mirë po ju jap adresën e njërit prej punimeve të tij: https://vimeo.com/110728458.

Uroj që një ditë të vijë edhe në Tiranë për një shfaqje të tillë; do të ngeleni të habitur…

Kështjella e Udines…

UdineUdine, ky vend është i mbushur me kështjella, ndaj nuk rrija dot pa e vizituar. Do t’ju flas për njërën nga kështjellat e saj, e quajtur Kështjella e mbledhjes së “mbeturinave”, ndër shekuj. Nuk bëhet fjalë për mbeturina siç mendoni ju, por për copëza historie të ilustruara që nga viti që mendohej se ka filluar ndërtimi i kësaj kështjelle gjigande, viti 1517. Sot, kalaja shërben si një histori më vete, me muzeun e saj arkeologjik, muzeun e rilindjes, pikturave dhe fotografive friulane që nga mesjeta, Lufta e Parë Botërore e gjer në kohët moderne.

Cividale…

CividaleCividale është një qytet i vogël me rrugica të kalldrëmta, që ndodhet shumë pranë alpeve sllovene. Mos lini pa vizituar sidomos Urën e Djallit, e cila ndodhet mbi lumin Natisone, që formon një luginë piktoreske për syrin e çdo turisti. Ushqimi tradicional i këtij vendi i quajtur “La frittata di formaggio”, bëhet vetëm me djathra të ndryshëm dhe serviret në një tavë të vogël. E shoqëruar me një gotë verë, do t’ju shijojë në maksimum. Si i themi ne shqiptarët, do lëpini gishtat!

Sistiana…

SistianaSigurisht, duke qenë në këtë zonë dhe duke i pasur kaq afër gjithë këto vende, nuk do lija pa e vizituar edhe këtë qytet të vogël buzë Detit Adriatik, provincë e Triestes. Më parë vizitova portin e vogël sistian i cili të magjepste me gjirin e vogël buzë malit dhe detit njëkohësisht. Ai që më bëri përshtypje më shumë këtu ishte një labirint i madh në pyllin ngjitur, ku kishte vetëm mace të bardha, që qëndronin si statuja para nesh. Ishin sa të bukura, aq edhe të frikshme me shikimin që nuk ta shqisnin. Ai labirint pylli, shtëpia e maceve të bardha, ishte i pasur me bimë shumë të rralla siç është asparagu. Ngjitur me portin e Sistianës, mos lini pa vizituar qytetin e vogël po përsëri buzë detit, inaguruar vjet në gusht, që pritet të popullohet sivjet nga shumë turistë ose edhe blerës. Eh, për këtë ju këshilloj vetëm ta vizitoni, sepse nga ajo çfarë pashë, çmimet mund të jenë të kripura në çdo drejtim…

Tempulli i Redipuglias…

REdipugliaSigurisht, miqtë që më shoqëronin, nuk do linin pa më treguar Tempullin e Redipuglias, një tempull madhështor i ngritur në kujtim të të rënëve të luftës, në shpatet e malit të kësaj zone. Këtu prehen eshtrat e 100.87 ushtarëve që ranë në zonat përreth gjatë Luftës së Parë Botërore. Sipas historisë, lufta më e madhe është zhvilluar në zonën Friuli Venezia Giulia, pikërisht afër këtij tempulli. Ajo çfarë më bëri përshtypje mua më shumë në këtë vend, veç të tjerash, ishte qetësia totale. Pamja e tempullit është e mrekullueshme dhe mbi çdo gur varri, kishte thënie të shkëputura nga letrat e ushtarëve. Ishte vërtet prekëse…

Collio (Toka e verërave)

CollioKjo ishte pjesa më e bukur e guidës sime, që shijohet vetëm nëse e shëtisni me Vespa ose me biçikletë; zona e përbërë nga kodrina të vogla të mbjella me rrush, mbi çdonjërën prej të cilave gjendej një kantinë vere. Gjatë asaj shëtitjeje, do të ndjesh aromën e të gjitha llojeve të bimëve, luleve dhe frutave të pyllit. Në çdo kodrinë shikoje një kështjellë të vogël, fusha golfi dhe shumë turistë që e vizitonin me biçikleta, në këmbë apo edhe me motora. Në Collio kam kaluar një ditë të tërë, duke i marrë me radhë të gjitha kodrinat gjer në fshatrat sllovene. Thjesht, kam ngelur e mahnitur, sepse shijoje jo vetëm pamjet, por edhe kështjellat, fshatrat e vogla dhe takoja herë pas here ende shenjat e Luftës së Jugosllavisë… Ishte shumë interesante të vizitoje Collion.

Trieste…

trieste-piaza e bukurAta që duan jetë nate, shumë gjallëri, e ngjashme pak a shumë me Tiranën, det dhe një kështjellë fantastike siç ishte Miramare, duhet të shkojnë në Trieste… Unë, nuk do rrija pa parë edhe një nga sheshet më të bukura të botës, siç ishte Piaca Unita, që ndodhej, sigurisht po në Trieste. Do të mahniteni kur ta shikoni, sidomos natën…

Këtu mbaroi edhe turi im kaq mbresëlënës, të cilin dëshiroja ta ndaja me ju, me shpresën që një ditë të kemi edhe ne një zhvillim të tillë në vendin tonë, pasi nuk na mungon as klima, as bimësia dhe as terreni…

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *