Përbërësit:
Mish i grirë, 500 gramë (më mirë i përzier, derr me viç)
Ujë, 75 mililitra
Qepë e thatë, 1 kokërr
Majdanoz, i tufëz
Dhjosëm e thatë, 1 e ½ luge çaji
Kripë e piper, sipas dëshirës
Për shtresën e sipërme:
Domate të freskëta, 2-3 kokrra
Qepë e thatë, 3 kokrra
Speca të ëmbël, sipas dëshirës
Për salcën:
Ujë, 100 gramë
Salcë domatesh, 1 lugë gjelle
Kripë, sipas dëshirës.
Gatimi:
Qepët i qërojmë nga lëvozhgat. Njërën e grijmë mirë në makinën e mishit ose në blinder dhe e përziejmë me mishin. Dy të tjerat i presim në formë unazash se na duhen për më vonë. Majdanozin e grijmë hollë, e përziejmë me dhjosmën dhe e hedhim në mishin e grirë. I hedhim kripë dhe piper sipas dëshirës. Shtojmë ujin e pastaj, të gjitha bashkë, i trazojmë me kujdes. Kimën e vëmë në një tavë për ta pjekur dhe e futim të ftohet në frigorifer, ku e lëmë një orë.
Domatet i lajmë dhe i presim në rrotka. Pasi mishi i grirë dhe komponentët e tjerë ftohen, i shtrojmë mbi to. Po kështu, shtrojmë një shtresë me qepët e thata. Kur ta kemi gjithçka gati, e futim tavën në furrë për ta pjekur në 180 gradë. E lëmë në furrë 20-25 minuta.
Ndërkaq, përgatisim salcën që do t’ia hedhim përsipër. Tretim salcën e domateve në ujë dhe e kripim. Pas 20 minutash, e heqim tavën nga furra dhe e mbulojmë më salcën e shkrirë në ujë. E futim përsëri për të vazhduar pjekjen derisa të prarohen. Në këtë kohë, gjithë lagështira duhet të ketë avulluar. E zbukurojmë përsipër me majdanoz të freskët.
Për ta servirur, e presim në porcione si tortën. Dalin qofte trikëndëshe shumë të shijshme. Ju bëftë mirë!