EDI RAMA
Nuk e takuam dot as këtë javë kryeministrin tonë Edi Rama. Ai, sa u kthye nga Italia, iku në Lezhë, më pas shkoi në Shkodër e të enjten ishte në Parlament, duke mos gjetur kohë për ne, që kishim përgatitur shumë pyetje për të. Së pari, deshëm ta pyesnim: Si shpjegohet që, kur ishte në opozitë, ai deklaronte që pas zgjedhjeve do të vinte në vend drejtësinë e do të dënonte të gjithë politikanët e korruptuar, madje edhe vetë Berishën, ndërsa tani deklaron “unë nuk jam si Berisha që urdhëronte Prokurorinë”?! Si shpjegohet gjithashtu që ndërkohë kërcënon në Parlament se “kërkesa të reja për heqja imuniteti do të vijnë”? Si e komenton ai këtë?
Zotin Rama deshëm ta pyesnim edhe për udhëtimin e tij të fundit në Itali. Mirë bën që shkon atje, përtej detit, për të bërë të njohur Shqipërinë dhe për të ftuar këtu investitorët italianë, por përpara se të shkosh në Itali, a nuk duhet t’u krijosh kushtet këtu atyre që e njohin Shqipërinë dhe që kanë ardhur, por që, të pakënaqur, kanë ikur prapë?! E di zoti Rama që pronarët italianë të fabrikës së këpucëve “Xheoks” dhe të ëmbëlsirave “Ferrero Roshe”, për shembull, përpara se të shkonin në Serbi për të hapur filialet e tyre aty, u interesuan edhe në Shqipëri. Erdhën shumë herë këtu, biseduan, studiuan tregun dhe… shkuan te fqinjët tanë serbë!
ARTAN DIDI
Këtë javë deshëm të intervistonim edhe ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi. Arsyeja e intervistës dihet: Dorëheqja e tij e papritur! Arsyet e dorëheqjes? Nuk dihen. Nga deklaratat e tij kuptohet vetëm se dorëhiqet për arsye morale, sepse, siç tha, nuk ka parandaluar shkeljen e procedurave ligjore nga shefi i Interpol Tiranës, Artan Bajraktari, që u akuzua këtë javë se ka mbajtur të fshehtë kërkesën e drejtësisë belge për arrestimin e deputetit Mark Frroku. Por, a është kjo arsyeja e vërtetë? Pse e dha aq shpejt dorëheqjen ai? A nuk duhej të kishte pritur vendimin e gjykatës e pastaj të jepte dorëheqjen?! Sepse ai e di që, derisa gjykata të japë vendimin, asnjë i akuzuar nuk është fajtor. Dhe kështu ndodhi: Gjykata vendosi që shefi i Interpol Tirana, Artan Bajraktari, të lirohet dhe të kthehet në detyrë. Dhe derisa ai është i pafajshëm, i bie që edhe zoti Didi të kthehet në detyrë, apo jo?! Por nuk ndodhi kështu. Këto ditë zgjidhet pasardhësi i tij…
Mos vallë fle tjetërkund lepuri? Mos vallë ai dha dorëheqjen për të fshehur diçka? Mos është përdorur si kokë turku?! Pikërisht për këtë deshëm t’i bëjmë edhe disa pyetje të tjera zotit Didi. Për shembull: Pse nuk na thotë ai, nëse ishte në dijeni për shkresën që Interpoli belg kishte bërë për zotin Frroku? Nuk na ha mendja që jo. Nuk besojmë që zoti Bajraktari e kishte mbajtur për vete përgjegjësinë e fshehjes; aq më shumë që ai doli i pafajshëm. Nëse e dinte, a e kish sinjalizuar ai, sipas rregullave, ministrin, zotin Tahiri? Po zoti Tahiri, e kishte pyetur zotin Rama? Mos vallë pikërisht për të këputur këtë zinxhir pyetjesh, ai dha dorëheqjen?
Ja, këto deshëm t’i pyesnim këtë javë zotit Didi, por nuk mundëm…
ADRATIK LLALLA
Vetëm një pyetje kishim për kryeprokurorin Adriatik Llalla këtë javë: A ka dëgjuar gjë ai për nenin 491/1/ç të Kodit të Procedurës Penale, me titull “Mospranimi i kërkesës për ekstradim”, ku thuhet se “mospranimi i kërkesës për ekstradim nuk lejohet kur personi që kërkohet (të ekstradohet) ka kryer një vepër penale në Shqipëri”?! Mos gjithë kjo lojë për dënimin e Mark Frrokut për kallëzim të rremë, apo “vogëlsira” të tjera, bëhet për ta shpëtuar atë nga burgu 10-vjeçar në Belgjikë?
MARK FRROKU
Na bëri përshtypje betimi i Mark Frrokut këtë javë në Parlement. U betua si deputet, por edhe sipas Kanunit si malësor, kur tha se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar nga drejtësia belge. Shpresojmë se ka thënë të vërtetën dhe ai nuk gënjen kurrë, se është malësor i vërtetë, siç tha, por nuk mund të rrimë pa e pyetur zotin Frroku: A është e vërtetë se para se të bëhej deputet, ai është dënuar për plagosjen me thikë të një klienti në restorantin e tij dhe këtë fakt e ka fshehur? A është e vërtetë se është dënuar edhe në Hollandë për drogë? A është e vërtetë se në Belgjikë ka gënjyer për emrin dhe është regjistruar me emër të rremë?! Në gjithë këto raste është betuar si burrë malësie apo është betuar për të mos treguar të vërtetën?
SHKËLQIM CANI
As Shkëlqim Canin, Ministrin e Financave nuk e takuam dot këtë javë. Deshëm ta pyesnim zotin Cani për një thashethem që ka qarkulluar këtë javë në Tiranë, sipas të cilit, Ministria e Financave kishte planifikuar të bënte një pagesë në vlerën 25 milionë lekë (të reja) nga buxheti i saj, për llogari të subjektit privat (OJF) “Shoqata e Konsumatorit Shqiptar” që drejtohet nga babai i tij, Islam Cani. Arsyeja, sipas ministrisë, ishte: “Veprimtari vëzhguese lidhur me freskinë e mallrave, sipas afateve të përcaktuara në standardet shtetërore, në tregun e lirë”, kur dihet se këtë gjë e kanë detyrë ta bëjnë organet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit. Ndërkohë, thuhet se kryeministri Rama e ka detyruar Canin, pas një telefonate, të anullojë vendimin. Nëse është e vërtetë kjo, deshëm ta pyesnim zotin Cani. A ështe e vërtetë, gjithashtu, se babai i ministrit Cani, tashmë 91 vjeç, prej 18 muajsh është anëtar i Bordit të Drejtorisë Teknike të Standardeve dhe Cilësisë, strukturë e Ministrisë së Financave? Kuptohet, anëtar bordi me pagesë…
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)