Përbërësit:
800 gramë gjoks pule
1 tufë borzilok
1 qepë e grirë shumë hollë
Lëngu i 2 portokalleve
Cipa e sipërme (pa pjesën e bardhë) e një gjysëm portokalli, e prerë shumë hollë në shirita
4-5 lugë vaj ulliri
1-2 lugë uthull vere
Kripë, piper
Përgatitja:
Gjoksin e pulës e presim në feta të holla dhe e kriposim. Në një tigan, vëmë vajin e ullirit të nxehet dhe aty skuqim filetot shpejt nga të dyja anët, rreth tre minuta gjithsej, që të mbyllen poret dhe mishi të na dalë shumë i butë brenda. I heqim dhe i vëmë në një pjatë të madhe ose në një tavë të cekët që të pushojnë.
Në tigan shtojmë qepën dhe e skuqim lehtë, jo të digjet, por të zbutet. Aty shtojmë lëngun e portokallit e uthullën dhe e ziejmë pak, që të reduktohet lëngu. Shtojmë në fund kripën, piperin dhe borzilokun e prerë hollë, si edhe lëkurat e grira hollë të portokallit. E heqim nga zjarri dhe marinadën e tiganit ua hedhim filetove që kemi skuqur më parë dhe i mbulojmë me një kapak, apo letër alumini. I fusim në frigorifer rreth 30 minuta që të marinohen. Shërbehen me copa buke të thekura e të lyera me vaj ulliri e hudhër.