Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Jonida Shehu: Propozimi që më solli në Top Channel

Sa herë thua këtë emër, nuk e shmang dot përcaktimin: Gazetarja dhe prezantuesja me sytë e bukur. Janë disa njerëz, të cilët edhe pse duan t`i ikin fatit të tyre, është pikërisht ky i fundit që i përndjek. Çfarë ndodhi me Jonidën dhe me vendimin e saj për t`u larguar nga ekrani? Asgjë, siç duket, ajo është e lindur për ekranin… E them këtë sepse pak muaj më parë, Jonida u largua nga ekrani i Ora Nevvs për t’u shkëputur gjatë nga televizioni, por nuk vonoi të vinte një ofertë nga Top Channel, si moderatore e programit të “Pasdites”, që ajo të kthehej sërish në të. Pas largimit në mes të sezonit televiziv të prezantueses së mëparshme, Kozeta Turishta, me përgatitjen e studios së re të “Pasdite në Top Channel”, vjen edhe imazhi i ri i saj, Jonida Shehu. Një gazetare në karrierë, figurë e konsoliduar e ekranit, që e mbush ekranin dhe e zotëron atë, Jonida, duket si agimi i Pasdites…

Enkeleda Kurcani: – Jonida, tashmë sytë e tu të bukur i shohim në Top Channel. Si ndodhi kështu?
Jonida Shehu: – Siç ndodh zakonisht… Një telefonatë, një kafe, diskutime në parim, më pas në detaje dhe në fund, një kafe tjetër, ku vendoset gjithçka. Dy ditë më vonë, ti shkel për herë të parë në studion ku do të punosh…
– Propozimi për në Top Channel, besoj se ka qenë shumë i papritur, pasi Kozeta Turishta u largua në mes të sezonit. Ishte e vështirë për ty përgjigjja “po”?
– Të them të drejtën, ishte e vështirë, ishte një “po” me shumë pikëpyetje pas, sepse sezoni ishte në mes, studiot ishin të reja, nuk kisha mjaftueshëm kohë për t`u përshtatur me formatin apo me bashkëpunëtorët, por gjithsesi, edhe në këtë presion ishte një “po” e mjaftueshme për t`u rikthyer në ekran.
– Si po ndihesh në një emision pasditeje? I ke provuar të gjitha, herët në mëngjes, vonë në mbrëmje, por asnjëherë pasdite…
– Super komode! Të punosh për një kohë të gjatë me pak staf, në një format të përditshëm; të kesh përveç angazhimit të autores, edhe atë të moderatores dhe të gazetares e më pas të gjendesh në një redaksi me shumë bashkëpunëtorë, ku gjithsecili farkëton më së miri hallkën e tij të zinxhirit të punës, siç ndodh në “Padite në Top Channel”, është realisht, komoditet. Të duhet vetëm pasion në këtë pikë dhe, për fat, pasioni për televizionin tek unë, është më i gjallë se kurrë.
– Ndërkohë, punon edhe në Ministrinë e Brendshme. Mund të na japësh ndonjë informacion të brendshëm, se si ndodhi?
– Jo, jo, ndodh shpesh që informacionet s`i keni të sakta, ndoshta për shkak të kohës së shkurtër kur kanë ndodhur gjithë këto lëvizje. Kur pranova “Pasditen”, m`u desh të tërhiqem nga ministria, pak përpara se projekti të përfundonte. Televizioni është angazhim i përditshëm dhe unë dua të përkushtohem maksimalisht.
– Ekrani i fundit ku ti je shfaqur ka qenë Ora Nevvs. Përse u largove prej tij?
– Ishin shumë arsye, jo vetëm një, nga personalet, te profesionalet, por realisht, në ato momente, për shkak të rrethanave që u krijuan, nuk mund ta përfundoja sezonin me “Natën vonë”, megjithëse më dhimbsej ai format që e krijova vetë, në të gjithë detajet e tij.
– E mendon veten gjithnjë në ekran, apo mund të vijë një ditë kur do të heqësh dorë përfundimisht?
– Nuk e di. Mendova se u shkëputa, këtë herë, për gjatë… por ndodhi që u riktheva. Në këto kushte, me sa duket, planet dhe parashikimet tona nuk janë të vetmet mbi të cilat ndërtohet e ardhmja. E papritura qenka vendimtare për çfarë do të bëjmë sot e nesër.
– Në të gjitha televizionet ku ke punuar, paralelisht ke qenë edhe spikere e edicioneve informative, edhe prezantuese emisionesh. Besoj se kjo nuk ka qenë një rastësi…
– Me sa duket, nuk jam mjaftuar asnjëherë me një projekt. Edhe drejtuesit e mi më kanë parë me energji të mjaftueshme për të bërë disa gjëra njëkohësisht. Arsyeja, në këto që shpjegova, nuk mund të quhet rastësi.
– Nëse do të të vinte një ofertë për të qenë spikere e edicioneve informative edhe në Top Channel, do të pranoje?
– Tani, them jo, dua të përkushtohem në formatin e pasdites. Televizioni është një makineri që konsumon energji pafund, kështu që do të preferoja t`i kanalizoja vetëm në një drejtim.
– Çfarë ke kuptuar nga bota mediatike në gjithë këto vite pune dhe nga gjithë këta ekranë ku je shfaqur?
– Shumë gjëra e shumë të tjera s`i kam kuptuar dot. Di me siguri se momenti që po kalojmë është i rëndësishëm, tranzicioni i medias është drejt fundit dhe ato po institucionalizohen tashmë. Mbase shumë shpejt do të shohim shumë që do të mbyllen dhe, realisht, ky moment ka ardhur, për mendimin tim.
– Kushtet më të mira të një X apo Y televizioni, a të ndihmojnë që të punosh më mirë, më me pasion?
– Po, sigurisht, kushtet e punës në gjithë historinë e njerëzimit nuk kanë ardhur duke u përmirësuar kot. Janë perfeksionuar për të përmirësuar produktin dhe kjo vlen që nga industria, deri tek arti apo çdo profesion tjetër që në fund, nxjerr një produkt në treg.
– Gazetat kanë shkruar pafund për ty dhe për një histori të mundshme dashurie. Po unë, çfarë të shkruaj?
– Që gazetat, me gjithë budallallëqet e pasaktësitë e pafund, kanë të drejtë në një pikë. Në fakt, nuk do ndonjë gazetari të madhe për të thënë se po jetoj një histori dashurie.
– Kur do ta ndërrojë mbiemrin Jonida Shehu?
– S`e di kur dhe s`e di në duhet realisht ta ndryshoj. Për mua, kjo s`do të jetë kurrë çështje…
– Brenda çdo gruaje është një vajzë që pyet “ç’dreqin ndodhi?”. Kur të të pyesë ty kjo vajza, si do t’i përgjigjesh?
– Nëse e ke fjalën për dashurinë, unë nuk mendoj asnjëherë “ç`dreqin ndodhi”, por “sa mirë që ndodhi” dhe gjërat ndodhin pavarësisht vullnetit tonë. Të paktën, njeriu i jetës rrallëherë është një ngjarje e planifikuar (për mua, se ka edhe njerëz që lidhen e ndahen me plan dhe për arsye që arsyeja i njeh). Për mua, dashuria ka arsyet e veta, që arsyeja nuk i njeh.
– Është bërë tashmë Jonida një shofere pilote?
– Jam shumë e kujdesshme, i kam kaluar pritshmëritë e mia të fillimit, mendoja se s`do ta merrja kurrë kontrollin e situatës në timon, por ishte krejt ndryshe, isha vetëparagjykuar.
– U organizua ngjarja më e madhe e filmit ndërkombëtar. E ndoqe mbrëmjen OSCAR?
– E ndoqa… deri në një moment, jo deri në fund.
– Si i ke marrëdhëniet me filmin, je e fiksuar pas tij?
– Absolutisht e fiksuar, por nuk shoh çdo gjë që del në ekran të madh apo të vogël. Shohim filma shumë, por në mënyrë përzgjedhëse.
– Kinematë dhe teatrot e kanë një vend të rezervuar në jetën tënde, apo jo domosdoshmërisht?
– Më shumë kinemaja sesa teatri, për shkak të orareve të mia. Teatri fillon gjithmonë në ora shtatë, kurse kinemaja është më tolerante me oraret…
– Ka pasur protesta në lidhje me sigurinë ushqimore këto ditë. Si ia bën me mënyrën e të ushqyerit?
– Si të gjithë, mundohem të ha mirë, por në fund, nuk jam e sigurt se çfarë kam ngrënë. Është e vetmja gjë thelbësore për jetesën dhe shëndetin, që është totalisht jo në dorën tonë. E vetmja gjë, për të cilën, nuk kemi as siguri, as mundësinë për t`u siguruar.
– Je partizane e ndonjë drejtimi vegjetarian apo vegan?
– Jo, konsumoj gjithçka që më pëlqen.
– Dhe, për ta mbyllur… Do ta mbyllësh ti e para, apo ta mbyll unë?
– Ti sapo e mbylle… (Qesh)

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Si të veproj që djali nuk ma pranon këtë martesë?

Next Post

Test Diabeti i tipit 2. Jo gjithçka që dini, është e vërtetë...

Advertisement