Të dashur lexues! Unë që po ju shkruaj jam nënë e dy fëmijëve dhe jam në prag ndarjeje me bashkëshortin tim, pasi më ka thyer besimin dhe më ka poshtëruar si femër. Nuk ka ndjenjë më të poshtër sesa të thyhet besimi nga dikush me të cilin ke ndarë shtratin për disa vite dhe aq më tepër, ke sjellë në jetë dy krijesa të mrekullueshme. Unë kam pasur një jetë shumë të vështirë, plot me halle dhe probleme, pasi jam rritur pa baba vetë dhe kam menduar gjithmonë se fëmijët e mi do të kishin një atmosferë të ngrohtë familjare. Por, pse o Zot, duhet të rriten edhe ata pa baba? Mirë unë u rrita si u rrita rrugëve, por jo ata!
Jam në gjendje shumë të dëshpëruar pasi tim shoqi nuk i kam lënë asgjë mangut dhe nuk e kuptoj pse duhet të ma bënte një gjë të tillë. Unë në jetë kam qenë shumë moskokëçarëse dhe nuk më ka munguar asgjë, pasi im atë, edhe pse u nda nga jeta, na la plot. Isha shumë e lidhur me babain tim, isha 10 vjeçe kur ai vdiq. Që nga ajo kohë isha më shumë djalë, sesa femër, shumë çapkëne dhe kokëfortë. Me time më nuk isha shumë e lidhur dhe për shumë gjëra e kundërshtoja. Kam edhe një vëlla më të vogël se vetja, por gjatë gjithë kohës, ai më ka sjellë vetëm probleme. Më duket sikur kam ardhur në këtë jetë për të vuajtur dhe kalvari i dhimbjeve për mua nuk ka të sosur. Është shumë i pabindur dhe kudo që shkon, hap vetëm probleme. Të mos kisha qenë unë, do ta kishin vrarë me kohë. Në kohën që morëm pronat që na kishte lënë babai, të mos kisha qenë unë, vëllai dhe mamaja do t’i kishin bërë lekët rrush e kumbulla. Gjithmonë kam dashur që ta kem familjen time të ngrrohtë dhe të bukur, por ja që nuk ishte e thënë, fati kështu ka qenë i shkruar.
Ka pak kohë që jam bërë me një djalë të dytë… Fëmijët janë engjëj që zbresin në tokë për të ndryshuar njerëzit dhe prindërit e tyre, por nuk e dija që babai i tyre dhe bashkëshorti im ishte kaq i paftyrë. Gjatë shtatzanisë, filluan zënkat e para, pasi më parë kemi qenë shumë mirë, unë i kam plotësuar shumë teka dhe e kam mbuluar me të mira. Por, kush bëri mirë dhe gjeti mirë në këtë jetë? Ia bëja, sepse ishim një familje dhe një jetë, ishim një trup, kishim sjellë në jetë dy fëmijë të mrekullueshëm. Fillova të dyshoja sepse kur vinte në shtëpi niste diskutime nga e kaluara, kur ne e kishim mbyllur atë kapitull. Vinte gjithmonë i ngarkuar me mllefe, që nuk e dija se ku i gjente dhe më nxirrte justifikime për ta kaluar kohën më shumë jashtë. Një ditë e ndoqa me makinën time pasi djemtë i kisha lënë me nënën. Isha më se e bindur që ai ishte lidhur me një femër tjetër, por nuk e kuptoja pse duhet ta bënte atë gjë. Për nga veprimet dhe nga mënyra se si sillej, nuk kisha pikën e dyshimit që ai më tradhtonte. Kur e mendoja, më hipte gjaku në tru dhe ky mendim më tërbonte fare, pasi nuk i kisha lënë gjë mangut as në shtrat. Nuk e mbaj mend në jetën time që t’i kem thënë ndonjëherë jo. Gjithmonë kam menduar se paratë nuk janë gjithçka në jetë dhe nuk i shikoja njerëzit nga duart, edhe pse vetë kisha mjaftueshëm. Ne të dy u njohëm në një rreth shoqëror dhe gradualisht menduam të krijonim një familje të bukur. Edhe pse ai nuk kishte gjendjen time ekonomike, unë e dashurova për atë që ishte dhe jo për çfarë kishte. E kisha vënë re që ai nuk ndihej mirë disa herë dhe vihej në siklet nga kjo lloj situate, por unë prapë nuk e kisha bërë të ndjehej keq.
Atë ditë që vendosa ta ndiqja, isha shumë e tensionuar dhe dridhesha, pasi më kishte kapur paniku. Një zë i brendshëm më thoshte të mos shkoja, kurse mendja më thoshte “shko vërtetoje vetë me sytë e tu gënjeshtrën e tij”. E ndoqa derisa u takua me një femër. M’u duk shumë e njohur si fytyrë, por nga hipja e gjakut në kokë nuk e bëja dot lidhjen që ajo kishte qenë kolegia e vet. Ishte një gjë e shëmtuar dhe nuk e di se çfarë e kishte shtyrë atë njeri të më tradhtonte me një femër të tillë, se të ishte më e zgjuar dhe më e bukur se unë ia kisha bërë hallall, por në fakt, ishte e kundërta. Mendoja vetëm për keq në ato momente, më vinte t’i vrisja të dy dhe t’i hidhja si dy kërma në mes të rrugës, por në fund të fundit, nuk ma kishte fajin ajo lopa që ishte me të, por ky debili, burri im. Vetëm qaja, u bëra shumë keq dhe i bija telefonit, por ai e kishte të fikur.
Nuk e di se çfarë e ka shtyrë atë të më tradhtonte. Edhe sot e kësaj dite që jam duke përgatitur dokumentet e divorcit, akoma nuk e kam gjetur arsyen e këtij veprimi, aq më tepër që ata kishin nëntë muaj që ishin lidhur bashkë dhe ai vazhdonte të më poshtëronte mua e fëmijët.
Kur erdha në shtëpi, i bëra namin dhe e nxora nga shtëpia. Makinën që ia kisha blerë, ia mora dhe ia shita. Ai nuk i meritonte të gjitha ato që kisha bërë unë. E pranoi lidhjen me kolegen dhe nuk e kishte pikë problemi. Nuk e di se çfarë po ndodhte me të, nuk po e njihja më bashkëshortin tim. E gjithë ajo dashuri që kisha për të, m’u kthye në urrejtje, pasi e kisha dashur me gjithë thellësinë e shpirtit. Akoma nuk e kam marrë veten, por nuk ia fal dot këtë poshtërim shumë të madh. Nuk merrem dot me fëmijët se vetëm qaj dhe jam në një gjendje shumë të rëndë psikologjike. I kam lënë fëmijët te mamaja dhe mundohem të harroj gjithçka, por e kam të pamundur…
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)