Zotin Bujar Nishani e takuam në hollin e Presidencës, në gjendje meditimi të thellë…

Kaso Kosa: – Përshëndetje, zoti President. Dukeni shume i trishtuar, ndërkohë që nga dera e prapme e presidencës, pamë të dilte zoti Berisha…

Bujar Nishani: – Si të mos jem i trishtuar, mor Kaso, kur vetë zoti Berisha ndjehet shumë i rënë moralisht, sidomos këto ditët e fundit?

– Pse u ndjeka i rënë moralisht Doktori, kur ne sapo morëm statusin e vendit kandidat për në BE?

– Më vjen shumë keq që edhe ju njerëzit e shtypit nuk arrini të kuptoni kompleksitetin e ndodhive që ndikojnë drejtpërdrejt në humorin e Doktorit. E imagjinoni ju si ndjehet zoti Berisha kur marrja e këtij satatusi e gjen të ndëshkuar nga kryetari i parlamentit, të përjashtuar nga çdo aktivitet i këtyre ditëve? Ka qenë 24 vjet protagonist i të gjitha ngjarjeve më të rëndësishme të vendit dhe papritur, nxirret jashtë çdo vëmendjeje! Është e pafalshme për politikën shqiptare dhe për të gjithë deputetët e PD-së, të cilët, në vend që të bojkotonin Parlamentin dhe të dilnin në demonstrata në mbrojtje të tij, e qepën gojën dhe iu nënshtruan diktatit të Metës dhe të Ramës!

– Ky është shkaku i vizitave që thuhet se bën shpesh Doktori në zyrën tuaj kohët e fundit?

– Po, po! Takohemi dy-tre herë në javë me Doktorin. Ka ngelur vetëm fare. Askush nga politikanët brenda e jashtë vendit nuk e përfill më. Me kë të qajë një hall? Me kë të rrahë një mendim, veçse me mua që më ka krah të djathtë? Me Mulin, nuk qan dot një hall se ai ia nxjerr të tëra në Parlament pa u thelluar fare, Ristani rri gjithë kohën i pirë. Jozefinën e ka nxjerrë nga lista që pas 23 qershorit se i hoqi Shkodrën nga duart. Për Lulin nuk bëhet fjalë, pasi me të kurrë nuk është konsultuar e as ka diskutuar. Lulit vetëm i jep urdhëra, por edhe ato, ai kohët e fundit nuk po ia zbaton dhe kjo e ka trishtuar shumë. “Po përmbyset Shqipëria, më tha parmbrëmë, asgjë nuk është në vendin e vet siç ishte kur isha unë Kryeministër. Vendi po shkon drejt katastrofës dhe nuk do të ketë forcë ta përmbajë”. M’u dhimbs se, kur fliste për situatën e vendit, i kishte sytë me lot. Njeri i ndeshëm, njeri i sinqertë…

– A është e vërtetë që sa herë takoni Doktorin ju e përshëndesni atë ushtarakisht me qëndrim gatitu?

– E vërtetë është, se ai dreq huqi më ka ngelur qëkur kam qenë ushtarak në Shkollën e Bashkuar “Enver Hoxha”. Edhe kur më urdhëroi ish-Presidenti Ramiz Alia që të mbroja me studentët e mi shtatoren e shokut Enver, në shkurt të vitit 1991, unë me grusht e nderova. Që atëhere, të gjithë eprorët e mi i nderoj me grusht edhe sot. Me vete them që nuk do të nderoj më, po ajo dreq dore më mbyllet vetvetiu, formohet grushti mbi ballë dhe nuk di si t’ia bëj që ta eleminoj. Nga ana tjetër, kur nderoj me grusht gatitu Doktorin, e shikoj që i vjen mirë dhe buzëqesh. Ndjej se në këtë mënyrë, ia lehtësoj pak gjendjen…

– Me siguri, edhe ju e keni ndjerë thellë dëshpërimin për përjashtimin e Doktorit nga Parlamenti?

– Mos më pyet! Atë ditë që e përjashtuan Doktorin nga Parlamenti, kam qarë! Jo se do t’i hiqen dhjetë ditë rrogë, se lekë ai ka sa për pesë breza, por se ia ulën dinjitetin që nuk ia kishte cënuar askush në të gjithë këta vjet. Dhe, kush ia bëri këtë poshtërim? Ilir Meta, të cilin Doktori e shpëtoi nga videoja e Dritan Priftit, që po për hatër të tij, garda më 21 janar vrau katër burra në mes të bulevardit! Të mos harrojmë që Meta e ka rastin e dytë që cënon Partinë Demokratike, sepse duke goditur Doktorin, godet partinë! Edhe me Lul Bashën më vjen të pëlcas, sepse edhe ai nuk reagoi fare kur u përzu Doktori nga seanca.

– Si shpjegohet?

– Doktori ma tha vetë se kishte informacione të sigurta që Basha dhe Meta po kurdisin goditjen e fundit ndaj zotit Berisha, si nëpërmjet rrugës parlamentare, si përmes emërimit në krye të seksioneve të partisë njerëz që Doktori nuk i do. Por, pasi të bindet tamam që ka të bëjë me një plangprishës, Doktori do ta largojë Lulin nga partia dhe shenjat i ka dhënë. Ka mbi dhjetë ditë që vete në zyrën e Lulit në SHQUP. Të tërë anëtarët e kryesisë po e kuptojnë që Doktori do ta rimarrë partinë dhe po i afrohen përsëri. Kjo po e ngushëllon disi këto ditë të rënda për të.

– Si ndodhi që u organizuan tre festa njëherësh për marrjen e statusit të djelën dhe të hënën?

– Nuk i vjen e keqja vendit nga festat, Kaso! Sa më shumë festa të bëjë populli, aq më i lumtur duket. Doktori urdhëroi që të bëheshin festime jo vetëm ne Tiranë, por në të gjitha bashkitë ku kemi fituar ne, si në Kamëz, në Shkodër, në Delvinë, por kryetarët e bashkive nuk ia zbatuan urdhërin. Vetëm Luli iu bind dhe ju e patë që festa e bashkisë në Tiranë ishte madhështore. Morën pjesë të gjithë punëtorët e pastrim-gjelbërimit, i gjithë stafi i bashkisë dhe një masë e zgjedhur nga Bathorja.

– Por atje nuk morën pjesë kuadrot kryesorë të partisë! Nuk ishit as ju e as zoti Berisha…

– Vërtet nuk erdhën në festë shumë kuadro, por nuk u vë faj sepse kanë frikë nga ndëshkimi i Ramës e Metës. Unë nuk vajta se nuk e prisja ftesën nga Luli dhe u zura i papërgatitur për fjalën e rastit që të dilte si ajo e festës së 100 vjetorit, poetike dhe elegante, ndërsa Doktori iku në Paris se kishte disa llogari financiare të Gitës me disa iranianë që nuk ia kishin shlyer në kohë. Të hënën, kur unë organizova ceremoninë për nder të zotit Barrozo, Doktori erdhi në festë…

– Vërtet erdhi, por u duk që nuk kishte pikë entuziazmi. Përkundrazi, nxinte me shumë se kurrë më parë.

– Nga të mos i prishej humori, mo Kaso? Ai nuk besonte se në atë festë do të merrte pjesë Rama dhe Meta, siç nuk ka marrë pjesë kurrë ai në festimet që kanë organizuar ata. Kur i pa ata të dy përkrah Barrozos, u bë pikë e vrer dhe i iku humori. Madje, i ngeli hatri edhe me mua që guxova dhe i ftova ata të dy…

 

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *