Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju…
– Ajo që pashë në TVSH, ishte në kufijtë e mrekullisë. I madhi njeri me zemren flori, doktor Muhamet Malo, kishte mundësuar takimin e të gjithë sportistëve më të dalluar të Shqipërisë, në vite dhe aktualisht! Nën drejtimin moderativ të shokut tim të klasës, profesor doktor Perparim Kabo, aktiviteti mori dritën që i takonte. Ju uroj fort nga zemra të dyve, miq të mi! Sa mirë do më vinte të ishe edhe unë i ftuar, por… pleqtë si puna ime, edhe harrohen. Gjithsesi, urime nga zemra.
– Prej vitesh e vitesh, Agron Duka dhe Dash Shehi (të dy deputetë) kanë një miqësi aq të pastër mes tyre, bazuar në vlerat qytetare. Veçmas te fisnikëria. Më vjen kaq mirë që i kam miq dhe kam shkruar për të dy. Urime, të dyve për 2015-n!
– Ngadalë dhe si pa u kuptuar, ti ke zënë një vend të qëndrueshëm në zemrën time, i dashur Arben Shtylla, arkitekt i spikatur. Më pëlqen fort respekti financiar që tregove për mjeshtërine e shokut Fatos Pustina. Më ngrohe fort, që erdhe në ditëlindjen time. Më vjen mirë që të shoh çdo ditë nga Liqeni, te “Palestra” jonë natyrore e fizkulturës. Të uroj gjithë të mirat, me 2015-n, i dashur Beni.
– Jeta e solli të mos ketë më Universitet “Kristal” dhe ti nuk je më president i tij, i dashur Ahmet Muça. Por, miku im je dhe do jesh, derisa të kem frymë. Njeriu duket, në të mirë dhe në hall! Të uroj lumturi në familje, në 2015-n!
– Emrin nuk ia di!… Është shoqja më e ngushtë e Hiljanës, mikes sime. Ajo më flet me një buzëqeshje aq të pëlqyeshme, po nuk e di sa shumë lumturohem unë për flokët e saj. Të gjatë, shumë të gjatë, bjondë, të palyer. Edhe në Hollivud, do t’i kishim zili. Po, nuk i ka një hollivudiane, po një adoleshente shqiptare, që një ditë, me siguri do të bëhet Miss. Për kësi gjërash, nuk ma ha qeni shkopin, më dalin parashikimet. Epo, urime, mikja e Hiljanës dhe e imja!
– Kur punoja gazetar te “Pasqyra”, Kryetar të KSSH-së kishim Kastriot Muçon. I kishte shokët e rrallë. Jo vetëm për gjuhët që njihte, mes tyre edhe kinezçen. Me Kaçin kishe qejf të bëje muhabet për letërsinë, inxhinierinë, detin, teknologjinë e kripës, politikën, sindikalizmin, por ky njeri me natyrë guximtare, si kryefjalë ka fisnikërinë. Kështu mbetsh përherë, i dashur Kastriot Muça.
– Kur kam thënë diku se “Liqeni i Tiranës është liqeni i mrekullive”, kam patur parasysh njerëzit, diversitetin e tyre shpirtëror. Ja, ky çifti: Njëra quhet Sonja. Mësuese punoi gjithë jetën. E bukur si ajo. Ky tjetri quhet Pleurat Sulo. Kush e di sa vjet kanë të martuar? Gjyshër nga djali e vajza dhe… përditë dalin te Liqeni përkrahu, këta 70 vjeçare e kacafiu. Përditë xhiro dhe përditë përkrahu! Të lodh dashuria?! Ja, që Sonja me Latin, më thonë se… nuk të lodh! U bëfshi nga 100 vjeç, miqtë dhe komshinjtë e mi!
– Të ndjek gjithnjë me shumë vëmendje në daljet e tua mediatike, i dashur doktor Enver Ferizaj, kryetar i shoqatës së Agrobiznesit. Ndihet që atje tej profesionalizmi, dashuria për Shqipërinë, bujqësinë. Urime edhe për gazetën interesante “Agrobiznesin”. Një vit të ri dhe të lumtur!
– Kam një shok fëmijërie që e dua fort. Quhet Drini Topalli. Ka dy fëmijë si yje, mustaqe dhe gjyslykë. Republiken (kapelen) më të mirë se të miat. Flet, o Zot, sa shumë. Nuk lodhet asnjëherë, duke treguar barcaleta të kategorisë së dytë të cilat i thotë edhe në një radio. E, mor Drini, nuk e di pse m’u kujtove, po ndofta nga dëshira ime për të të thënë: Gëzuar familjarisht 2015-n… Dhe… mos iu ndaj motorrit dhe klubit të Thankajt!
– I dashur Gjergj Liqejza! Natyrisht, edhe yllin e kam mik, po “tastiera” emocionale, në lidhje me ty, daton herët, kur të duartrokisja si volejbollist i shkëlqyer. Ndërsa, tani, nga zemra, të uroj për rizgjedhjen si Dekan i Konsujve të nderit të Shqipërisë. Uroj që ndikimi juaj për prosperimin ekonomik të Shqipërisë, të vijojë. Të përqafoj fort!
Mesazh urimi për liderin e Partisë “Syriza” Aleks Tspiras, Greqi.
I nderuar Aleks! Fitorja historike e partisë tuaj në zgjedhjet e përgjithshme në Greqi më jep rastin e lumtur t’ju përshëndes përzemërsisht dhe dërgoj urimet e mia më të ngrohta! Unë kam çmuar dhe vlerësuar rolin e kontributin tuaj në të gjitha zhvillimet politike dhe shoqërore në vendin mik Greqi me një biografi pozitive për t’u admiruar. Unë asnjëherë nuk kam dyshuar te forca, integriteti, dashuria, përgjegjësia dhe përkushtimi juaj që do të mishëronte më së miri aspiratat e popullit vëlla grek, që shënoi këtë fitore të madhe e po aq të merituar. Ju përfaqësoni mik Aleks shembullin e vyer të një politikani, personaliteti popullor me vlera njerëzore, që shkon përtej përvojës. Me zgjedhjen tuaj, jam i sigurtë se vendi juaj do të ecë përpara me ritme më të shpejtë zhvillimi. Shumë urime e suksese, zoti Kryeministër, në detyrën e re, Zoti ju bekoftë! Pranoni nga afër shprehjen e konsideratës sime më të lartë për ju e familjen tuaj. Alban Arapi.