– Jam 1.74 metër i gjatë dhe kam qenë 86 kilogramë, por kam frekuentuar palestrën për një vit dhe kam rënë 16 kilogramë, domethënë, tani jam 70 kilogramë. Ushtrohem 6 herë në javë, bëj çdo ditë nga 20 minuta vrap dhe ha ushqime të shëndetshme. Pavarësisht se trupi është rregulluar shumë, në fund të barkut, më ka ngelur përsëri një shtresë dhjamore që sado që përpiqem, nuk mundem ta eleminoj. Si të veproj?
Mario instruktor: – Barku është një nga zonat më të vështira për t’u përmirësuar në fizikun tonë, që do dyfishin e punës në palestër apo në mënyrën e të jetuarit që të arrijmë rezultatet që duam. Me çfarë lexoj, ju ushtroheni gjithë javën dhe keni rënë shumë në peshë. Nuk e di moshën tuaj që t’ju thoja nëse keni peshën e saktë apo jo, por dua t’ju them që duhet të keni kujdes edhe në të ushtruar, të mos dobësoheni më shumë seç duhet sepse ju bie imuniteti. Por, duke qenë se ju thoni që ndiheni mirë, atëhere do të thotë që jeni në rrugë të drejtë.
– Përsa i përket barkut, rregulli i parë është të pini sa më shumë lëngje, duke përjashtuar totalisht lëngjet me gaz dhe ato me shumë sheqer. Duhet të evitoni edhe bukën e bardhë, sidomos atë që përmban maja dhe reduktoni sa të mundni gjalpin e yndyrnat. Shmangni përdorimin e shumtë të kripës. Këto që përmendëm më sipër, nëse i konsumoni pa kriter, ndikojnë në fryrjen e barkut dhe në vënien e shtresave dhjamore, ndaj disa, duhet t’i hiqni fare nga regjimi ushqimor. Edhe diçka tjetër; brokoli dihet që është shumë i shëndetshëm, por në rastet kur keni fryrje barku, duhet ta konsumoni më pak ose të mos e konsumoni për një periudhë kohe. Së fundi, bëni ushtrime dyfish për forcimin e pjesës së poshtme të barkut. Kur ushtroheni, mos harroni të bëni frymëmarrje të rregullta sepse mbajtja e frymës jep fryrjen e barkut. Veç ushtrimeve të barkut, një ushtrim tjetër që ndikon pozitivisht në eleminimin e barkut është të ushtruarit e biçikletës, ose ecja e shpejtë në pistë. Mos harroni të konsumoni kryesisht drithërat, mundësisht integrale dhe të ndiqni këshillat që ju dhamë më sipër, të shoqëruara me aktivitet fizik nga 3-4 ose dhe 6 ditë në javë, siç e bëni ju.
Advertisement