Kryeministrin e ri të Greqisë, zotin Aleksis Cipras, e takuam në trenin e metrosë kur sapo kishte lenë orarin zyrtar e po shkonte në shtëpi.
Kaso Kosa: – Zoti Cipras, vij nga Shqipëria. Ju lutem, një intervistë të shkurtër: Si ia dolët që fituat zgjedhjet, ndërkohë që komunizmit i ka ikur koha me kohë?
Aleksis Cipras: – Dhe kush po më thotë se komunizmit i ka ikur koha, një shqiptar?! Ju jeni i vetmi vend i Evropës që pas rënies së Murit të Berlinit, jo vetëm nuk e pranuat seriozisht kapitalizmin, por në krye të shtetit vutë komunistin më të devotshëm shqiptar, të besuarin e Enver Hoxhës, shokun Sali Berisha. Dhe bëtë mirë, sepse nën udhëheqjen e tij, nga niveli i rritjes ekonomike, ju u renditët të dytët pas Gjermanisë.
– Ju, vërtet besuat që ne patëm një rritje të tillë ekonomike sa konkurruam edhe Gjermaninë?
– Jo vetëm partia jonë komuniste e besoi, por e besoi i gjithë populli grek, ndaj na votoi në mënyrë plebishitare. Shembulli i Shqipërisë mike që si në kohën e Enver Hoxhës edhe të Sali Berishës u bë fanar ndruiçues për të gjithë Evropën, i dha krahë partisë sonë. Fushata ime elektorale, këtë radhë, u mbështet pikërisht në eksperiencën tuaj dhe në arritjet spektakolare ekonomike të qeverisë Berisha, që la mbrapa gjithë botën perëndimore. Unë me qeverinë time, edhe reformat do t’i bëjmë si ato që bëri qeveria Berisha në tetë vjetët e qeverisjes së saj të suksesshme.
– Gazetat greke njoftojnë se ju keni paraqitur si kandidat për president të Greqisë hirësinë e tij Janullatos. Është e vërtetë apo abuzim gazetaresk?
– Është plotësisht e vërtetë që partia ime dhe qeveria e koalicionit tonë fitues, do të propozojë për president fort’hirësinë e tij, Janullatosin. Është në nderin tonë që një njeri i shquar si Janullatosi të jetë simboli i bashkimit të kombit. E kam studiuar me kujdes figurën e tij dhe më afron shumë nga fytyra me presidentin tuaj të mrekullueshën zotin Nishani, i cili pa asnjë kompleks i rruajti mustaqet, për të shmangur ndonjë keqkuptim grindjeje, sipas fjalës suaj të urtë: “U zunë për mustaqet e Jarit”. Ndërsa hirësia e tij Janullatos, do t’i rruajë sapo të kurorëzohet, duke shmangur edhe ky ndonjë keqkuptim për mustaqet apo për mjekrrën e Janullatosit.
– Ju, betimin, nuk e bëtë si të gjithë kryeministrat, me dorën mbi Ungjill, por thjesht bëtë betim politik. Nuk mendoni se kështu keni marrë me vete mërinë e kishës greke dhe të një pjese të madhe të besimtarëve grekë?
– Pikërisht për këtë, edhe kam vendosur që Janullatosin, një nga klerikët më të shquar të Greqisë dhe të Shqipërisë, ta propozoj për president. Kështu, edhe me kishën i kam mirë marrëdhëniet, por edhe popullit tim të dashur i jap të kuptojë se megjithëse jam ateist, i respektoj ndjenjat e tyre fetare.
– Deri tani duket sikur qeveria që ju kryesoni po tregohet e rreptë me miqtë perëndimorë lidhur me politikat monetare, borxhet…
– Unë kam gjithmonë parasysh të mësoj nga më të mirët dhe nga më të mëdhenjtë. Shembulli i Shokut Enver që ua theu hundët armiqve të brendshëm e të jashtëm ka qenë frymëzim për mua qëkur isha në rininë komuniste dhe studionim marksizëm-leninizmin. Po ashtu, në këto vitet e fundit, kam ndjekur me shumë përkushtim politikat interesante të zotit Berisha dhe kam vërejtur se qëndrimet e tij ndaj imperializmit amerikan dhe atij perëndimor ishin si ato të shoku Enver, të prera dhe të rrepta. Dhe në të dyja rastet, di që ju keni korrur suksese të plota ekonomike dhe politike. Këtë rrugë do të ndjek edhe unë dhe jam i bindur se jo shumë larg, edhe Greqia ime e dashur do të bëhet si edhe vendi juaj, fanar ndriçues për Evropën.
– Lexojmë në shtyp se ju keni rezerva lidhur me marrëveshjen që ish-qeveria jonë bëri me ish-qeverinë greke për detin, por që e anulloi Gjykata jonë Kushtetuese…
– Është e vërtetë që kam rezerva, por unë jam i bindur se ne do të mirëkuptohemi për atë pjesë deti, pasi në fund të fundit, unë jam me origjinë çame. Mbiemri im Sipra tregon sipëri që e trashëgojmë nga stërgjyshi im suliot, i cili ka patur në kohën e Turqisë pronë të gjithë detin, nga Saranda deri në Korfuz. Ato dokumente i kam unë, në arkivën e familjes. Tani që u bëra kryeministër, do t’ia paraqes qeverisë suaj dhe përmes lobimit që do më bëjnë çamët e Idrizit pranë parlamentit tuaj dhe qeverisë Rama-Meta, ju do ta firmosni marrëveshjen. Ky sukses do të jetë njëkohësisht edhe për ju, se në fund të fundit, ne po bëhemi një shtet; presidentin do ta kemi pothuaj shqiptar, tokat çame janë njëkohësisht edhe tonat, detin po ashtu e kemi bashkë, shtoji kësaj edhe mbi një milion shqiptarë që keni këtu në Greqi, i bie që të jemi dy shtete formalisht të ndarë.
– Ama, vizitën e parë e bëtë në vendin fqinj, Itali, ku morët edhe një dhuratë simbolike nga kryeministri italian, një kravatë…
– Me zotin Renzi më lidh mosha më shumë sesa politika, ndaj vajta atje, që të ndaja gëzimin e fitores me të. Sa për dhuratën, unë jam një njeri i thjeshtë si të gjithë komunistët në botë, që nuk mbaj kravatë dhe madje nuk do t’ua lejoj as ministrave të qeverisë sime.
Bisedoi me shaka: Kaso KOSA
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)