Zotin Fatos Nano e takuam kur sapo dilte nga zyrat e SHQUP-it, i shoqëruar nga deputeti i PD-së, Kastriot Islami.
Kaso Kosa: – Zoti Nano, dëshiroj të jeni i pari i intervistuar për gazetën tonë në këtë vit zgjedhjesh të pushtetit vendor…
Fatos Nano: – Doemos, unë duhej të isha i intervistuari i parë për vitin 2015-n, mo Kaso djali, sepse gjithnje kam qenë i pari. Ëëëëmmmm, për shembull, kam qenë kryeministri i parë në pluralizëm, kam qenë kryetari i parë i Partisë Socialiste, ëëëëëmmmm, po ashtu kam qenë i pari politikan e kryetar partie në burg. Me sa di unë, ëëëmmmmm, deri sot, asnjë kryetar partie nuk e ka provuar derën e burgut. Unë kam qenë i pari që kam promovuar institucionin e dorëheqjes, i pari politikan që lashë gruan, madje jam i pari edhe në bixhoz, kështu që ke zgjedhur njeriun e duhur për të çelur intervistat e “Intervistës” për vitin 2015!
– Mund të na bëni një bilanc për vitin që sapo u mbyll?
– Ky vit nuk më eci hiç. Nuk e di përse, por 2014-a m’u duk si 1914, kur filloi Lufta e Parë Botërore. Vetëm zi në të gjitha drejtimet! Xhoi u nervozua shumë. “Je bërë si Eduard Selami, më thotë, që iku në Amerikë për të bërë prokopi dhe u kthye me bishtin ndër shalë. Ose luaj e fito në kazino, ose ik e futju përsëri politikës, që të vësh në vend eurot e humbura më 2014-n! Ndryshe, të ndava dhe do të katandisesh si ata varfanjakët e rrugëve të Tiranës”.
– Nuk doja të dija problemet dhe sukseset tuja personale, por për qeverinë e Rilindjes, si e vlerësoni ecurinë e saj këtë vit që lamë pas?
– Hëëëëëëmmmmm, me dhunën që po ushtron duke futur në burg të gjithë ata që nuk paguajnë energjinë, duke mbyllur rubinetet e lekut që vinte nga Lazarati dhe lazaratët e tjerë në Veri, po ju them pa kompleksitet se ky vit që po fut këmbët, jo vetëm do jetë i vëshirë për qeverisjen, por e ka të sigurtë humbjen e pushtetit vendor dhe më pas, edhe humbjen politike.
– Prandaj jeni rikthyer në Tiranë, që t’i rifuteni politikës?
– Hëëëëëmmmmm, edhe ky është një shkak, por edhe përvojat e mëparshme të politikanëve shqiptarë më ndihmojnë të jem më ekzigjent për kompleksitetin dhe vulnerabilitetin e situatave që precipitojnë me shpejtësi në disfavor të emergjencave të ditës dhe të atyre të perspektivës. Nuk ishte budalla Sali Berisha që pasi i hipi anijes në mars të 1997-s në Durrës për t’u larguar njëherë e mirë nga Shqipëria, analizoi gjendjen dhe u rikthye. Jo vetëm nuk i doli keq, por përkundrazi, erdhi në pushtet dhe korri suksese të jashtëzakonshme për tetë vjet me radhë. Përvoja e tij e pagabueshme më ktheu këtu përsëri.
– Dashkeni t’i futeni përsëri politikës?
– Mendoj t’i futem përsëri, por jo si kryetar partie, sepse ish-partia ime, tashmë nuk ekziston më. Burrat më të mirë i largoi Edi Rama dhe disa që kanë ngelur, nuk janë më të aftë të më ndjekin. Kështu që, nuk ia vlen të merrem më me PS-në. Miqtë e mi këtu më propozuan të kandidoj për kryetar bashkie në Tiranë, por refuzova me elegancë duke u thënë se pas drejtimit brilant të bërë nga zoti Basha, asnjë kryetar tjetër nuk do të kishte sukses; do të eklipsohej nga shkëlqimi i tij. Unë do jem truri i fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet në pushtetin vendor.
– Ju do të udhëhiqni fushatën e PD-së?
– Më është lutur vetë Sali Berisha që të kthehem. Në fillim, nuk desha t’u besoja veshëve kur më tha se mendon të rimbledhë të gjithë komunistët për të bërë një riorganizim të punëve në këtë fushatë të Partisë Demokratike. “Vetëm me komunistët që thirra rreth vetes, më 1991, si Bujarin, Tritanin, Pashkon e shumë të tjerë, mund të rikthej vitalitetin e asaj partie. Veç, kësaj radhe, kam kërkesa cilësore, ndaj të dua ty të të kem krah të djathtë, Kaç Islamin, si ideolog e shkencëtar dhe po mundëm, të marrim Ruçin e Doklen për të formuar një ekip të mirë e të denjë për një parti si kjo jona”, më tha në telefon.
– Si ka mundësi që Basha nuk do jetë drejtuesi i fushatës zgjedhore me ekipin e tij të ri të PD-së?
– Doktori ka urdhëruar që Basha të mos marrë pjesë në fushatë e nëpër mitingje sepse që në fjalimin e parë do t’i ngjiret zëri dhe do të tallen me të. Më mirë të rrijë në zyrat e SHQUP-t me Gridën, Joridën dhe shoqet e tjera, të dalin në konferenca shtypi për të çlodhur Ristanin ose për ta zëvendësuar, kur është i dehur.
– Po ju, nuk keni një objektiv personal nga e gjithë kjo që po ndërmerrni?
– Objektivi im është me qitje të largët, Kaso djali! Jam kalitur në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste unë dhe parashoh shumë më larg se të tjerët. Dy mijë e shtatëmbëdhjeta erdhi. Me këtë fushatë në krah të komunistëve të devotshëm si Sala, unë hedh themelet e kandidaturës për President, që ka qenë ëndrra ime dhe e Xhoit që para 2005-s, kur dhashë dorëheqjen. Pushtetin lokal, këtë radhë, sipas studimeve të shkencëtarit Islami, e merr e djathta. Shpërblimi që marr unë nga kjo fushatë, është mbështetja e kësaj force politike, për t’u bërë president. Në fund të fundit, i kam kreditet më të plota se çdo politikan tjetër për atë post. Mos harroni se kam edhe mbështetje të fuqishme nga baza socialiste e cila më qau për vite të tëra kur u dorëhoqa nga kryetar partie.
– Mendoni që para se të fillojë fushata, të dilni në një emision televiziv dhe të parashtroni platformën tuaj elektorale si komunist-demokrat?
– Do të bëj më shumë se kaq. Blendi Fevziu më ka dhënë fjalën se pas fushatës sime me PD-në, për zgjedhjet e pushtetit vendor, do të nisë të shkruajë një libër edhe për mua, siç ka shkruar për Enverin e për Zogun dhe që do të shohë dritën e botimit ditën kur unë të bëhem president i vendit. Doktori do të shkruajë parathënien. Është menduar që promovimi të bëhet po në Pallatin e Brigadave, por pa pjesëmarrjen e Metës dhe të Ramës. Ristani, Aldo dhe Grida do të mbajnë nga një fjalë të shkurtër. Unë do ulem në tavolinë dhe do jap autografe për blerësit e shumtë. Shpresoj që brenda ditës, të shes dyfishin e Zogut të Fevzos, pra, dhjetë mijë copë në ditë