Këtë javë menduam të intervstojmë zotin Ilir Meta meqë ka qenë në qendër të vëmendjes për skandalin që ka plasur në lidhje me atë kompaninë çeke CEZ. Në korridor m’u desh të prisja 2 orë. Kishte radhë…

Kaso Kosa : – Zoti Meta, përshëndetje!
Ilir Meta: U Kasua! Po ku je, se ke humbur fare? Më fal që të bëra të prisje, por siç e pe, kisha njerëz.
– Nuk ka gjë zoti Meta…
– Kështu është përditë Kaso. Po na mbushet partia me djem dhe vajza të reja. Ikin nga PS-ja e PD-ja dhe na vijnë këtu në LSI.
– Zoti Meta, desha t’ju pyes për skandalin e fundit…
– Për atë që është zënë Bleona Qerreti me atë gazetaren?! Më pyet Kaso, kur të duash. Vetë nuk e kam parë, por kam lexuar në shtyp. Zien media. Gabim bënë vërtet që u zunë, thonë. Është bërë problem kombëtar grindja e tyre.
– Në fakt, zoti Meta, unë desha t’ju pyesja për çështjen e CEZ-it. Thonë që keni përfituar…
– Ma kujto pak këtë çështje, se unë kam shumë të tilla, Kaso.
– Po ja, atë çështjen që ju keni favorizuar një person të quajtur Kastriot, që të mblidhte borxhet që debitorët i kishin CEZ-it.
– E vërtetë është Kaso! Unë kam dashur që ky burri që quhej Kastriot, të mblidhte paratë, por të betohem për idealin e majtë dhe të djathtë, që nuk kam përfituar. E kam bërë vetëm për Heroin tonë Kombëtar.
– Nuk ju kuptoj, zoti Meta…
– E mo Kaso, ti mezi i kupton çështjet me karakter kombëtar. Ja, të ta shpjegoj.
– Ma shpjegoni, ju lutem!
– Shiko Kaso! Më vjen një burrë në zyrë dhe më thotë: “A do më ndihmoni mua, të marr të mbledh këto lekët e CEZ-it?”. “Kush je ti, i thashë. A ke përvojë në procesin e mbledhjes së borxheve?”. “Unë jam Kastrioti”, më tha dhe më lëshoi mbi tavolinë kartën e identitetit. Shikoj unë; quhej vërtet Kastriot, Kastriot Ismaili. “Ç’e ke Gjergj Kastriotin?”, e pyeta. “Jam fis me të”, më tha. E kupton Kaso! Të të vijë një fis i Kastriotëve dhe mos ta ndihmosh? Do të isha antikombëtar nëse nuk do ta bëja.
– Pra, ju thoni zoti Meta që…
– Po sigurisht, Kaso. Vetëm për Heroin tonë Kombëtar e ndihmova. A mund të lihen Kastriotët pa ndihmë? Do të ishte antikombëtare. Pastaj, kush më tepër se një njeri me emrin Kastriot mund të mbledhë para dhe t’i menaxhojë ato? A nuk ishte Gjergj Kastrioti ai që mblodhi prijësit e kohës? A nuk ishte Gjergj Kastrioti që krijoi buxhet të përbashkët dhe diti ta menaxhonte atë? Hë, pra, fol Kaso, mos më rri mua si guak! Ishte, apo s’ishte?
– Ishte, zoti Meta, ishte!
– Ja, pra, Kaso, edhe ti kështu do bëje.
– Zoti Meta, Dritan Prifti në një intervistë, u shpreh se ju keni marrë pjesën, pra, keni marrë shumë të madhe parash…
– O Kaso, o flori, o figurë e pakonsumuar ndër vite! Po akoma Dritanin dëgjon ti?! Atij nuk i bëjnë dritë neuronet e trurit fare. Vetë drejtësia e provoi, për shembull, që videoja që nxori në 2011-ën ishte e montuar. Dritani le të merret me lopët holandeze që ua ndau fshatarëve. S’po pjellin lopët, se demat e zonës nuk i preferojnë.
– Pardje pamë një video ku shfaqej një jurist i OSHE-së…
– Po, po, e pashë. Dhe ku qëndron problem këtu?
– Thuhet, o zoti Meta, që ky juristi i shkoi atij dëshmitarit dhe po e kërcënonte në emrin tuaj. Si qëndron e vërteta?
– Gjepura Kaso, gjepura! E vërteta qëndron kështu. Ta marrësh vesh ti dhe kushdo tjetër. Ky juristi shkoi të takonte atë dëshmitarin të pinin një kafe. Shkon ky në lokal, por shkon pak me vonesë. Dëshmitari ishte ulur, kishte porositur kafe, mirëpo nuk kishte marrë kuponin tatimor. Aty, juristit i hipën nervat. Dhe mirë bëri. Më merr në telefon dhe më thotë: “O shef, ky ka pirë kafe dhe nuk ka marrë kupon tatimor”. “Shiko, i thashë këtij juristit, thuaji atij që, o të marrë kuponin, o do ta ketë keq punën”. Domethënë, s’do të ketë punë fare në këtë dynja. E kupton, mo Kaso?! Pinë kafe e s’marrin kupon tatimor dhe pastaj thonë: “Përse na kërcënon Iliri?”. Do bëjmë shtet ne, apo… ?! Ik tani Kaso se kam punë, do pres anëtarë te tjerë të PS-së që po kalojnë me ne. Dhe kujdes: Që të mos ju kërcënojë njeri… merrni kuponin tatimor!

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *