– A mund të na thoni disa ushtrime për gratë shtatzëna? Cilat janë më të mirat për ne? Jam lexuese e rregullt e kësaj gazete, ndaj jam në pritje të një përgjigjeje. Faleminderit.
Mario instruktor: – E nderuar zonjë, së pari, ju duhet të konsultoheni me mjekun që ndjek shtatzaninë tuaj nëse fiziku dhe shëndeti juaj e lejon që ju të bëni ushtrime. Nuk mund të bëni ushtrime vetëm sepse ju them unë, pasi ju jeni shtatzënë dhe keni nevojë për konsultë mjekësore. Unë, duke u bazuar tek ato çfarë trajtojnë gjinekologët në shkrimet e tyre, ju them që për sa kohë ju nuk keni probleme me shtatzaninë, mund të bëni ushtrime të tilla si ecje gjer në 30 minuta në ditë 3-4 herë në javë, por edhe kjo, në varësi të shëndetit tuaj. Ka femra që janë shtatzënë dhe kur bëjnë ecje qoftë dhe 30 minuta, kanë probleme me fundin e barkut apo rëndim të legenit. Mirë do ishte të bëni ecje në natyrë, duke qenë se ajri është më i pastër sesa në ambientet e fitnesit. Nuk mund t’ju rekomandoj ushtrime me pesha sepse nuk e di gjendjen tuaj. Di të them edhe këtë, që duke kaluar muajt e shtatzanisë, ju duhet t’i pakësoni ushtrimet. Ju sugjeroj të bëni streçing të lehtë, sapo ngriheni nga gjumi apo gjatë ditës. Mendoj se ushtrimet më të mira në fakt janë ushtrimet e jogës për gratë shtatzëna, të alternuara këto me ecje të lehta në natyrë, qoftë edhe në palestër, por të jenë ambiente të mëdha, që të mbusheni me frymë. Ju uroj shtatzani të mbarë!
Advertisement