– Kam probleme në përgjithësi me shëndetin… mungesë oreksi, dhimbje fyti, dhimbje koke dhe kollë. Këto që përmenda, acarohen më shumë sapo ftohet koha. Gjatë këtij muaji, i kam pasur vazhdimisht këto shqetësime. Mos kam ndonjë virozë nga griprat që janë përhapur? Unë desha të di, a jemi të rrezikuar nga virozat? Mos ka të bëjë lagështia në këtë gjë?
Dr. Alma Hoxha, infeksioniste: – Duke qenë se kohët e fundit ka pasur ndryshim dhe luhatje të temperaturave, për shkak të ftohjes së kohës dhe lagështisë së ajrit, shëndeti i shumë njerëzve ka ardhur duke u përkeqësuar dhe ata vuajnë shpesh nga laringiti. Pothuajse të gjithë ankohen nga të njëjtat simptoma, ashtu siç shkruanit edhe ju: Dhimbje muskujsh dhe koke, mungesë oreksi, dhimbje fyti dhe kollë. Të gjitha ndryshimet e menjëhershme të temperaturave, lagështia e ndotja e ambientit, bëjnë që organizmi të mos përshtatet lehtë me këto ndryshime dhe, për pasojë, dobësohet e bie lehtë pre e viruseve të ndryshme që qarkullojnë në ajër. Këto viruse janë me natyrë virale dhe arogene, që do të thotë se përhapen nëpërmjet spërkave, gjë që shton mundësinë e transmetimit lehtë, nga njëri person te tjetri. Kjo do të thotë që janë viroza me natyrë ngjitëse, nëpërmjet kontakteve apo bashkëjetesës. Unë ju këshilloj të mos pini ujë të ftohtë e, po kështu, as lëngje të nxehta. Lëngjet që pini duhet të jenë në temperaturën normale të ambientit dhe ju duhet të visheni në bazë të temperaturës. Konsumoni dhe pini lëngje që kanë vitaminë C. Kjo lloj vitamine është shumë e rëndësishme në këtë periudhë sepse mbron dhe rrit imunitetin, sidomos për sëmundjet virale. Vitaminën C e gjeni kryesisht tek agrumet, portokallet, limonat etj.
Advertisement