– Përshëndetje! Jam 19 vjeç dhe kam probleme si gjithë të tjerët, por në veçanti, nuk brengosem aq shumë sepse mendoj se gjithkush ka probleme. Megjithatë, jam i shqetësuar, sepse kam probleme të natyrës së përgjithshme, të cilat po i përshkruaj më poshtë. Kam bërë EG të zemrës dhe më ka dalë në rregull, ama, kam ftohje në trup dhe më shumë te këmbët e dora e djathtë. Më mpihet shpesh trupi, më dhemb ndonjëherë koka aq sa më vjen të nxjerr gjithë ushqimin që e ha. Dhimbjen e kam më shumë në pjesën mbrapa kokës. Aq shumë lodhem ndonjëherë, sa më vjen sikur më bie të fikët. Ju lutem, më thoni, nga më vijnë gjithë këto shqetësime, sepse u bënë disa muaj tashmë? Më thonë që e kam nga stresi, por kjo gjë vazhdon prej kohësh tashmë dhe nuk di si të veproj…
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Sipas të dhënave tuaja, mendoj se ju vuani nga një mbilodhje e Sistemit Nervor Qendror (SNQ), që ne mjekët e quajmë “neurozë”. Ky shqetësim shfaqet kur keni ndonjë situatë të vështirë, ose e keni kaluar edhe më parë dhe ndodh në subjekte me sistem nervor të ndjeshëm, sidomos në moshën e adoleshencës (ose të pubertetit). Neuroza shfaqet me ato dukuri dhe ankesa që i keni edhe ju e që i përshkruani në letrën tuaj. Mendoj se përveç mjekimit, ju keni nevojë të konsultoheni edhe me një psikolog, si dhe të shmangni pijet nxitëse të S.N.Q, siç janë Redbulli, B52, Caji i Malit, ose Europës, kafete, ose kakaoja dhe shmangia e ambienteve me zhurma e të mbyllura, siç janë klubet e natës ose pabet etj.
– Do t’ju bënin mirë shëtitjet në ajër të pastër, do të qe mjaft e rekomanduar për ju ose marrja me sporte të ndryshme, por pa arritur në mbilodhje. Po kështu, mospërdorimi i tepruar i celularit, ose kompjuterit etj. Përsa i përket mjekimit, do të këshilloja që të merrnit në konsultim edhe me mjekët neurologë të rrethit tuaj ose këtu në Tiranë:
1. Stugeroni 25 mgr. 3 x 1 tabletë.
2. Noofeni 250 mgr. 3 x 1 në ditë, pas buke.
3. Sol Vigor Stress 10 ml. 1 flakon çdo 2 ditë, të pihet nga goja me pak ujë, pas buke.
4. Sol Energu 10 ml. 1 flakon çdo 2 ditë nga goja me pak ujë në mëngjes. Mendoj se kështu, do të ktheheni në normalitet.
Advertisement