– Doktoreshë Valdete, kam probleme me vajzën time 5 vjeçe e cila vuan nga kapsllëku. I kam marrë shurupe, por përsëri e njëjta gjë. Ka raste që rri me ditë pa dalë jashtë dhe ka dhimbje. Jam e kujdesshme me ushqimet, i bëj supëra me lëng, i jap qumësht e pi ujë, por nuk ka përmirësim. Çfarë mund të ketë? Si ta zgjidh këtë problem?
Dr. Valdete Malaj, gastro-hepatologe: – E nderuar zonjë, e kuptoj shqetësimin tuaj për vajzën; me të drejtë bëheni merak. Po të vinit për vizitë, do t’ju pyesja nëse ia keni bërë ndonjëherë analizën e feçeve. Në qoftë se përgjigjja është jo, atëhere duhet t’ia bëni patjetër. Ndërkohë, ju duhet t’i jepni sa më shumë lëngje, sidomos ato të kumbullës, pjeshkës, dardhës etj. Të shkojë në banjo herë pas here dhe të rrijë aty derisa të dalë jashtë, në mënyrë që ky proces t’i bëhet refleks. T’i bëjë masazh barkut për dhjetë minuta ose më shumë. Përsa u përket ushqimeve, janë shumë të këshillueshme supërat me zarzavate dhe frutat me cipë. Frutat më efektive janë molla, pjeshka, kivi, fiqtë, dardha etj. Në qoftë se nuk ndryshon gjendja, duhet ekzaminuar patjetër gjëndrra e tiroides dhe aparati tretës. Së pari, çojeni te një mjek fëmijësh dhe më pas, veproni si t’ju thotë mjeku. Gjithsesi, analizën që ju përmenda më sipër, ajo e ka të domosdoshme.
Advertisement