Ilda Merkuri dhe Beli sjellin “Kshu e boj”, sepse vetëm ata e bëjnë ndryshe, duke mos e vrarë shumë mendjen çfarë thuhet. E bukur motoja e Ildës: “Ariu nuk rrëzohet nga milingonat”. Në këtë intervistë, kam bërë një bashkëbisedim 100% të sinqertë me të, pasi jam shumë kurioze të di ç’ka ndryshuar nga intervista e fundit që i kam marrë. Gjithmonë shumë e spontane dhe e drejtpërdrejtë, në stilin gangsta, Ilda rrëfen detaje të muzikës, profesionit si spikere në radio dhe jetës së saj sentimentale. Shumë seksi edhe shumë trendi si asnjëherë në klipin e këngës dalin të dy Ilda edhe Beli, nën produksionin e Stines, një bashkëpunim që rezulton i suksesshëm e aq më shumë i ndjekur e klikuar në Youtube…
Rita Rrjolli: – “Kshu e boj”… Si e bon Ilda?
Ilda Merkuri: – Më së miri e boj, ashtu siç di veç unë ta boj! (Buzëqesh)
– Pse kënga është kënduar në dialektin kosovar?
– Nuk ishte zgjedhja ime, por e produksionit e megjithatë, mendoj se ishte zgjedhja e duhur për një rrymë të tillë.
– E kujt ishte idea për bashkëpunim me Belin?
– Në fakt, ishte rastësi. Pas njohjes nga disa miqtë tanë të përbashkët këngëtarë, Beli më ftoi për bashkëpunim.
– Beli, sa kohë ke që merresh me muzikë?
Beli: – Kam dy vjet që merrem me muzikë, por ky ishte bashkëpunimi im i parë me një femër.
– Reperat kosovarë janë cilësuar si më të zotët… Ti, si mendon?
Beli: – Edhe unë kam të njëjtin mendim.
– Do ta provoje muzikën në një rrymë tjetër?
Beli: – Jo dhe as do doja të këndoja rrymë tjetër muzikore.
– Deri tani, me muzikën që ke bërë, ke patur më shumë harxhime, apo fitime?
Beli: – Ato shkojnë paralelisht. Pa investuar, nuk rritesh në profesion.
– Ilda, pse pikërisht nën produksionin e Stines?
– Zgjodha Stinen duke patur parasysh që për momentin është një ndër producentët më të suksesshëm në treg dhe që prodhimet e tij janë të dëgjuara kudo. Këtë e kam faktuar në punën që bëj si spikere, pa anashkaluar edhe faktin që unë jam një fanse e stilit të tij në art.
– Sa në Tiranë, sa në Prishtinë… Si të presin miqtë atje?
– Si në Tiranë, si në Prishtinë ndihem si në shtëpinë time, madje herën e fundit që isha e ftuar në “Zhurma Shou”, më ka lënë mbresa shumë të mira mikpritja që më bënë.
– Ku bëhet më e bukur jeta e natës?
– Më bukur bëhet në Tiranën time të çmendur. (Qesh)
– Udhëton shpesh, Ilda?
– Ku mblidhem, nuk korrem!
– Të përshtatet stili gangsta apo ai i femrës së brishtë?
– Si gocë babi që jam, më përshtatet më shumë stili gangsta, ama kjo s’do të thotë që nuk jam dhe e ëmbël.
– Seksi, si asnjëherë… Kështu je edhe në përditshmëri?
– Faleminderit! Jam e fiksuar pas lukut dhe mundohem sa më shumë të jem brenda trendeve të fundit.
– Si është raporti i atleteve me takat, në garderobën tënde?
– Atletet i kam lënë në opozitë. Raporti i saktë është 80 me 20, pa bërë llogari matematikore.
– Ilda, për ty, vlen shprehja “çfarë do e bën dhe çfarë bën, e do”?
– Ilda bën atë që do dhe do atë që bën, sepse kështu i pëlqen asaj e ndihet okej.
– A ke pengje në jetën tënde?
– Në raportet personale e kam një peng, por gjithsesi, kjo mbetet private, ndërsa në vija të përgjithshme nuk më ka ngelur peng asgjë, sepse çka kam dashur, e kam pasur.
– Difekti me i madh që ke…
– Sinqeriteti… Ndoshta nuk është difekt, por në kohët e sotme dhe duke jetuar në këtë botë të egër quhet difekt e gjithashtu, një dobësi mjaft e madhe. Megjithatë, jam krenare për atë që jam.
– Ti punon edhe në Super Star Radio. Si është një ditë e jotja?
– Të gjitha ditët, për mua, janë të bukura se i bëj ashtu si dua vetë. Përsa i përket itinerarit, dita ime është pak e zënë, pasi edhe shkolla e dytë që vazhdoj më zë një pjesë të madhe të kohës, kafe me miqtë… Pastaj pjesën tjetër të ditës ia përkushtoj pasionit tim më të madh në jetë, radios.
– Si e shikon VIP-llëkun në Shqipëri?
– VIP-llëku?! Hëm… Çdokush mund ta quajë veten person të rëndësishëm, por janë shumë, shumë të pakët ata që e meritojnë këtë “titull”.
– Ti, për shembull, ndihesh VIP?
– Duke qenë se të gjithë artistët që sot quhen, apo vetëquhen VIP-a janë prezantuar prej meje që përpara shumë kohësh në emisionet e mia në Super Star Radio, unë jam Supervip. (Qesh) Jo, e ndjej veten VIP, por nuk jam e tillë.
– Muzikën, do ta lije vetëm për…
– Mbesën time, Altean.
– Në vargjet e këngës, thua se njerëzit janë të interesuar për jetën tënde… Të bezdis kjo gjë?
– E kam thënë dhe në këngë “No problem për mu, It’s ok “.
– Po fjalët e thëna mbas krahëve?
– Karamelja mbahet në gojë.
– Si reagon kur dëgjon ndonjë thashethem për ty?
– Me sportivitet. Nuk rrëzohet ariu nga milingonat! (Qesh)
– A ekziston xhelozia mes këngëtareve?
– Sigurisht që ekziston, edhe pse në sy të publikut të gjithë këngëtarët janë të “martuar” me njëri-tjetrin.
– A mund të thuash se ke miq të mirë këngëtarë?
– Po. Një nga ata është edhe më i madhi në vend, Nesti Duka.
– Po për jetën tënde sentimentale, ç’mund të më thuash?
– Jam e dashuruar më shumë se asnjëherë tjetër.
– Djali me të cilin të kam parë të shoqërohesh shpesh dhe që e ke në shumë foto, është i dashuri yt?
– S`dua të flas për këtë. Thjesht, e kam shumë xhan.
– A ke mbështetjen e dikujt në muzikë?
– Të babit dhe mikut tim më të mirë, që e falënderoj për gjithçka, Gonit!
Po apo jo?
– Ilda je bërë ndonjëherë aq tapë, sa vetëm në mëngjes ke ardhur në vete?
– Po.
– A ke kërcyer ndonjëherë mbi podiumin e një diskoteke?
– Po.
– A ke bërë ndonjëherë sherr të madh me goca?
– Po.
– A i ke bërtitur dikujt me të madhe “Të dua”?
– Po.
– A të ka ndodhur të hash diçka rrugës, sepse ishe me nxitim?
– Po.
– Të ka ndodhur të të propozojë një VIP dhe t’i thuash jo?
– Po. Meda… (Qesh)
– Të ka ndodhur të të dhurojnë lule dhe të mos i pranosh?
– Po.
– Të thyesh telefonin nga nervat?
– Po.
– Të shash me fjalë banale në mes të diskotekës?
– Jo.
– Të shikosh një telenovelë dhe të prekesh?
– Po.
– Të marrësh hak për një padrejtësi që të kanë bërë?
– Jo.
– Të shkosh në plazh e të rrish gjithë ditën mbyllur në dhomë?
– Po.
– Të bësh fushatë për një parti politike?
– Po.
Advertisement