Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Teuta Selimi: Mjerisht, ka shumë pak këngëtare …

Këngëtaret shpesh premtojnë këngë hite, luk pasarelash, klipe që do të lënë pa fjalë… Në rastin e Teuta Selimit, gjithçka mund të jetë e konceptuar thjesht, por përmbajtja dhe vokali nuk zhgënjejnë asnjëherë. Pas një periudhe më se të ngjeshur me punë nga vera që lamë pas, këngëtarja kosovare i rikthehet ende pa marrë frymë një sezoni tjetër jo më pak të ngarkuar. E megjithatë, nuk ankohet për sa kohë që muzika është jo vetëm profesioni, por edhe pasioni i saj. Ne e kemi ftuar Teutën në këtë intervistë për ta njohur më nga afër, përtej asaj që ofron ekrani dhe, edhe pse intervista është bërë në rrugë elektronike, të duket sikur me Teutën je ulur në një kafe dhe po bën një bisedë të shtruar… Bëhuni edhe ju pjesë e saj…

Arjana Bregu: – Teuta, si është jeta për një këngëtare në Prishtinë?
Teuta Selimi: – Jeta në Prishtinë më pëlqen pasi këtu kam lindur dhe jam rritur, kam familjen dhe shoqërinë. Prishtina është një qytet i veçantë, plot energji, me njerëz kreativë dhe origjinal, ka hapësirë për artistë dhe ka njerëz të sinqertë e të talentuar, por njëkohësisht kërkon edhe diçka nga ti. Tashmë kemi edhe një kryetar të mirë Komune… (Buzëqesh)
– Ka mbaruar tashmë periudha e aktiviteteve të ngjeshura?
– Ka mbaruar njëra dhe po fillon tjetra.
– Të paturit e të njëjtit profesion me bashkëshortin, i bën gjërat më të lehta apo më të vështira?
– Për mua i bën gjërat më të lehta sepse kuptohemi më mirë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin.
– Mendon se sot ka më shumë këngëtare apo performuese?
– Mjerisht, ka shumë pak këngëtare dhe më vjen keq që është kështu. Shpresoj që një ditë të këndohet më shumë live dhe të ketë më shumë këngëtare dhe grupe që performojnë live, pa marrë parasyssh se çfarë lloj muzike.
– Të bën të pasur ky profesion?
– Mund të të bëjë…
– Çështja e shitblerjeve të like-ve apo heqjes së klipit nga Youtube, ka ndodhur të të ketë prekur edhe ty?
– Nuk më ka ndodhur të blej like apo diçka të tillë dhe s’e kam ndërmend ta bëj. Më ka ndodhur të më ripostohen këngët në Youtube, pasi kam bërë kontratën me Acromax dhe Arkiva shqip. Kanë pasur më shumë klikime dhe është dashur që të fshihen, për t’i ripostuar prapë.
– E diela është punë apo pushim për ty?
– Zakonisht, kthehem prej ndonjë udhëtimi dhe pushoj.
– Në një shkallë nga 1 në 10, sa emocionuese është jeta jote tani?
– 9. (Buzëqesh)
– Po përgatit diçka, ndërkohë?
– Po, jam gjithnjë në përgatitje e sipër.
– Nëse nuk do të ishe përfshirë në këngë, ku do ta gjeje veten sot?
– Në Arkitekturë ose shkrimtare, diku ku duhet kreativitet.
– Cilat janë çmimet që ruan Teuta në shtëpi?
– Çmimet që kam fituar me këngën “Çka po dojmë na po bojmë”.
– Sa me vend gjykon se janë vlerësimet artistike nëpër kompeticione apo shou të ndryshëm sot?
– Në fakt, nuk janë edhe aq me vend, po ç’t’i bësh?!
– Mund të të kemi pjesëmarrëse në ndonjë festival të mundshëm këtë vit?
– Me të tregu të drejtën, unë kam bërë njëfarë karriere dhe s’më duhet ta dëshmoj veten edhe aq shumë në festivale etj. Aq më pak nëse muzika është në rend të dytë si zakonisht dhe mbizotëron egoja apo oportunizmi i skajshëm.
– Kapërcimet nga njëra rrymë në tjetrën (nga regge në popullore), janë dëshmuese të dëshirës personale apo detyrimit për të ndryshuar për hir të publikut, që kërkon ndryshimin?
– Për mu, muzika është një. Me rëndësi është që atë që e bën, ta bësh mirë. Rrymat janë si gjuhët, aq më mirë nëse di sa më shumë dhe i flet mirë.
– Cili është publiku ideal për një këngëtar?
– Ai që vërtet të çmon dhe ka dëshirë të të dëgjojë duke kënduar.
– Çfarë të emocionon më shumë?
– Fëmijët e mi, muzika e mirë, bisedat me shoqëri, festat etj.
– Cila është mënyra më e mirë për të hedhur pas krahëve mërzinë?
– Ta pranosh të bësh diçka që të bën të lumtur dhe të ecësh përpara.
– Ç’gjë e bukur ka ndodhur së fundmi rreth teje?
– Djali i madh ka filluar parashkolloren. (Buzëqesh)
– Përveçse të këndosh, çfarë të pëlqen tjetër të bësh?
– Të lexoj, shopping, udhëtime etj.
– Një person me të cilin është kënaqësi të pish kafe…
– Me shoqet, koleget.
– Cili është tipi i personit me të cilin nuk do të doje të përballeshe kurrë në jetë?
– Me njerëz fallco.
– Ke bërë ndonjëherë diçka për të cilën je penduar?
– Sigurisht që po, por kjo është jeta. Me rëndësi është të mendosh për të ardhmen dhe t’i përballosh sfidat.
– Do të zgjidhje të bëje duet me një këngëtar (gjë që ta kërkojnë fansat), por që ti nuk e vlerëson?
– Jo, s’do ta bëja.
– Ke refuzuar ndonjë këngë që e ka marrë dikush tjetër më pas?
– Po, më ka ndodhur.
– Dueti më interesant…
– “S’mundem me u nda” me Adnan Dacin.
– Edhe pse ke kënduar këngë ritmike, duket sikur baladat me thyerje zemre, dashuri e tradhti brenda, janë gjinia jote e preferuar. Pse?
– Për shkak se baladat kanë më shumë hapësirë për vokal, janë më sentimentale, mund të tregosh më shumë cilësi…
– Publiku shqiptar besoj të ka fiksuar ndër të tjera, me këngën “Femër”, që në kohën kur u publikua, dëgjohej pa fund nëpër kanale muzikore dhe ku ti thua “S’ka më keq se të jesh femër”. Tingëllon paksa dëshpëruese e thënë nga një femër për gjininë së cilës i përket, apo jo? E mendon vërtet kështu? Cili është mendimi yt për femrën si nënë, grua, e dashur?
– Jo, është më shumë metaforë dhe pak ngacmuese për t’i zgjuar djemtë që t’i trajtojnë vajzat pak më mirë, sidomos në shoqërinë dhe në kohën tonë. Unë mendoj se femra duhet trajtuar në mënyrën e duhur dhe të respektohet më shumë nga meshkujt sepse femra është motra, nëna, gruaja dhe meriton e ka nevojë më shumë për fjalë të mira dhe dashuri.
– Si nënë e dy djemve, cili është shqetësimi yt i vetëm?
– Brenga e vetme është që të kenë shëndet dhe të jenë të lumtur.
– Të mungon një vajzë?
– Po, më mungon shumë. (Buzëqesh)
– Ruan mërira Teuta?
– Varet prej situatës, por zakonisht, jo.
– Vendi i fundit që ke vizituar dhe çfarë të ka pëlqyer prej tij?
– Në fakt, kam qenë në shumë vende, por në shumicën e rasteve vetëm kalimthi për në vend të caktuar dhe kthimi në aeroport. Herën e fundit kam vizituar qytetin Udine, në Itali dhe më ka pëlqyer shumë, sidomos pjesa e vjetër e qytetit ku pata mundësi të shijoj edhe kuzhinën e pastiçeritë udineze.
– Një figurë historike të cilën do të doje apo do të kishe dashur ta takoje?
– Nënën Tereza. (Buzëqesh)
– Vura re diku që të krahasonin me Xhesika Albën… Mendon se i ngjan?
– S’e di, ndoshta. Nuk e paskam dëgjuar këtë. Kush ta ka thënë ty?
– Sa vite t’u bënë me këngën si profesion dhe sa këngë të realizuara numëron deri tani?
– Në fakt, kam kënduar qëkur kam qenë fëmijë, në korin e Radio Prishtinës, kështu që kam goxha vite që këndoj, 25 përafërsisht edhe goxha këngë, po ashtu.
– Fjalët “Kurrë” dhe “Gjithmonë”, në cilin prej rasteve vlejnë?
– Kurrë mos u dorëzo përderisa ajo që bën është e mirë dhe e drejtë. Gjithmonë shpreso!
– Në fund…
– Në fund ju falënderoj juve tek “Intervista” që ma dhatë mundësinë që përmes jush të ndaj diçka nga vetja me adhuruesit e mi në Shqipëri, të cilët janë shumë të dashur për mua.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Do të mund të na zëvendësojnë pilotët automatikë?

Next Post

Jeni të stresuar nga koha që kalon?

Advertisement