Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë rënë dakord sëbashku të takohen më 10 nëntor, pasi bënë këtë pasdite një bisedë telefonike.
Ata ranë dakord se incidentet që shoqëruan ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri ishin tejet të padëshiruara.
Mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi, por ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t’u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve.
Prandaj, ata u morën vesh që të vazhdojnë dialogun e rëndësishëm që kanë nisur, si edhe për të siguruar që procesi i filluar në Berlin në 28 gusht, të shkojë përpara përmes punës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të tyre, rajonit dhe Europës si e tërë.
Për sa më sipër, dy kryeministrat ranë dakord që takimi i planifikuar midis tyre të mbahet në Beograd më 10 nëntor”, thuhet në deklaratën e Kryeministrisë.