“LUAJ BELIN LUAJ”, një ftesë PËR TË HARRUAR STRESET DHE PËR TË GËZUAR JETËN

Një këngë e re, një emocion që nis të jetojë… Me “Luaj Belin Luaj”, Albana Barçi vjen me një këngë që përcjell energji, pozitivitet dhe dëshirën për të shijuar momentin. E lidhur fort me traditën, me veshjen e Lunxhërisë dhe me emocionet që sjell muzika, Albana e sheh këtë projekt jo vetëm si një këngë të re, por si një pjesë të rrugëtimit të saj artistik.

Për Intervista.al, ajo rrëfen çfarë dëshiron të harrojë për disa minuta kur këndon, emocionin e veçantë të promovimit pranë Kishës Katolike, kujtimet nga xhirimet te Liqeni Artificial dhe lidhjen e saj me veshjen tradicionale të Lunxhërisë. Albana flet gjithashtu për pjekurinë artistike, guximin për të sjellë origjinalitet dhe ëndrrën që një ditë kjo këngë të bëhet hit e të prekë sa më shumë zemra.

-Albana, “Luaj Belin Luaj” tingëllon si një ftesë për të harruar për pak gjithçka dhe për t’iu dorëzuar muzikës. Kur e këndon ti, çfarë do të harrosh për disa minuta?

-Kur këndoj “Luaj Belin Luaj”, dua të shkëputem nga jeta e përditshme, nga streset dhe zhurma. Dua të humbas për pak çaste, të sjell gëzim në zemrën time dhe, nëpërmjet zërit tim, ta përcjell këtë pozitivitet te njerëzit që më dëgjojnë.

-E promovove këtë këngë në një ambient kulturor pranë Kishës Katolike. Sa rëndësi ka për ty vendi ku prezanton një këngë dhe a beson se disa vende i japin një emocion tjetër muzikës?

-Për mua ka shumë rëndësi, sepse është vendi i kishës, ku njeriu lutet, ku gjen paqen dhe mirësinë. Besoj se këto vende i japin një emocion të veçantë muzikës, e cila përcillet nëpërmjet transmetimit me ndjenjë dhe me forcën e Zotit te njerëzit.

-Nëse do të duhej ta përshkruaje “Luaj Belin Luaj” me një kujtim tëndin, cili do të ishte?

-Kjo këngë më lidh me xhirimet që u bënë te Liqeni Artificial, me kohën me diell dhe me veshjen tradicionale të Lunxhërisë, e cila mbart këngë dhe histori. Edhe mënyra se si më panë njerëzit, me buzëqeshje dhe dashuri, është një kujtim që nuk harrohet lehtë.

-Pas kaq elementesh produktivë në muzikë, këngë, klipe, çfarë ka ndryshuar te Albana e skenës dhe çfarë ka mbetur po ajo vajza që dikur ëndërronte të këndonte?

-Ndryshimi tek unë është pjekuria artistike dhe guximi për të sjellë origjinalitet, si dhe siguria që kam kur dal para publikut, me ballin lart dhe krenare.

-Ka këngë që bëhen hite, por ka edhe këngë që bëhen pjesë e jetës së artistit. Në cilën kategori do ta vendosje “Luaj Belin Luaj” dhe pse?

-E vendos te të dyja: edhe hit, edhe pjesë e jetës së artistit. Kjo këngë, sa herë e këndoj, bëhet pjesë e shpirtit tim. Do të doja të kthehej në hit, që të shpërndahej kudo dhe të gëzonte sa më shumë zemra.

-Sa herë që një artiste sjell një këngë të re, publiku sheh vetëm rezultatin final. Cila është pjesa e padukshme e kësaj kënge që ti e ke përjetuar më fort se të gjithë?

-Pjesa më e padukshme kanë qenë emocionet e përjetuara, përkushtimi dhe pasioni për këtë zhanër kënge, bashkë me veshjen aq të bukur të Lunxhërisë.

-Nëse “Luaj Belin Luaj” do të kishte një personazh, si do të ishte ajo grua: e dashuruar, e lirë, e fortë, nostalgjike apo pak nga të gjitha?

-Do të kishte pak nga të gjitha, por mbi të gjitha do të ishte e lirë dhe krenare.

-Ti ke zgjedhur të rikthehesh me një këngë që të fton të luash, të kërcesh dhe të jetosh momentin. A mendon se ne, si shoqëri, kemi harruar paksa të gëzojmë pa arsye?

-Po, e vërtetë. Jeta monotone na ka bërë të harrojmë të gëzojmë momentet e bukura, të cilat ikin e nuk vijnë më.

-Çfarë do të doje të thoshte një grua pasi ta dëgjonte këtë këngë: “Kjo këngë më kujtoi…”?

-Kjo këngë më kujtoi këngët e bukura, më bëri të buzëqesh, të jem e lirë dhe të kërcej siç e ndjej, pa frikë e ndrojtje. Nëse arrij t’i dëgjoj këto fjalë nga një grua, misioni im si artiste është përmbushur.

-… dhe po ta mbyllim me një dëshirë: nëse pas një viti do të shihje pas gjithë këtij rrugëtimi, çfarë do të doje të kishte sjellë “Luaj Belin Luaj” në jetën e Albanës?

-Nëse kjo këngë do të vazhdonte të këndohej dhe të gëzonte zemrat e njerëzve, do të isha njeriu më i lumtur dhe më me fat, sepse ëndrra ime në sirtar që në vogëli, për t’u bërë këngëtare, më është bërë realitet. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe bukuria e “Luaj Belin Luaj”: në faktin se pas saj nuk qëndron vetëm një këngë, por një ëndërr fëmijërie që unë vazhdoj ta jetoj përmes muzikës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here