Ka momente në jetë kur arti nuk kërkon më skenë, por merr frymë brenda nesh. Për Rexhina Çukon, koreografe dhe balerinë e njohur, viti 2026 nis me një kapitull të ri, ku krijimtaria takohet me mëmësinë dhe lëvizja merr kuptim të shenjtë. Në numrin e parë të Intervista.al për këtë vit, Rexhina vjen e butë dhe e fortë njëkohësisht, duke ndarë me ne emocionet e pritjes së ëmbël, projektet artistike ndërkombëtare dhe transformimin e thellë që vetëm ardhja e një jete të re mund ta sjellë. Një rrëfim i çiltër ku skena, familja dhe shpirti bashkohen në një koreografi të vetme.
-Rexhina, takohemi në numrin e parë të Intervista.al për vitin 2026. Do të na i tregosh të rejat që në nisje të intervistës?
-Vit të mbarë dhe të bekuar ju uroj. Po! Të rejat janë edhe nga puna, ku këtë vit kemi certifikimin ndërkombëtar, viti i dytë i “Performer Cup”, i cili do të finalizohet në Romë. Më të mirët e akademisë do të shkojnë për konkurrim mes shteteve në Stamboll. Të certifikuarit nga CID shkojnë në festival në Athinë dhe shumë evente të tjera… por ajo që më ka ndryshuar totalisht si grua është ardhja në jetë e djalit tim Alkan. Ndihem vërtet e bekuar për të gjitha arritjet profesionale dhe dhuratën hyjnore që Zoti më dha!
-Trupi yt ka folur gjithmonë përmes lëvizjes. Sot, kur brenda teje rritet një jetë, si ka ndryshuar dialogu yt me trupin?
-Sapo kam ndjerë lëvizjet e djalit për herë të parë, më ka kumbuar në vesh muzika e filmit “Gladiatori” – Now we are free – dhe më vonë, në muajin e shtatë, bëra një pjesë kërcimi me këtë muzikë, që djali ta ketë kujtim.
-Ka një ritëm të ri në jetën tënde. A ndihesh sikur po koreografon kapitullin më të bukur deri tani?
-Po, vërtet që më ka dhënë dritë në jetën time dhe ka ndryshuar aureolën e krijimtarisë.




-Familja është skena më e rëndësishme e jetës. Çfarë vlerash dëshiron të rriten bashkë me fëmijën apo fëmijët në të ardhmen?
– Gjithmonë kam qëndruar pro vlerave si në familje, ashtu edhe në profesion. Do të mundohem që djali të rritet me parime dhe të ndërtojë karakter dhe qëndrueshmëri emocionale, duke ndier që mami dhe babi do të jenë gjithmonë krah tij.
-Bashkëshorti dhe Rexhina, si ka ndryshuar dinamika e çiftit tuaj që prej pritjes së ëmbël? Çfarë po zbuloni për njëri-tjetrin në këtë fazë?
– Gjatë shtatzënisë kemi qenë të dy shumë të emocionuar, kuriozë për të parë fytyrën e tij. Frikësoheshim herë pas here… a do t’ia dalim si prindër?
-Çfarë vlerëson më shumë tek bashkëshorti yt në këtë periudhë të re të jetës suaj?
-Mbështetjen dhe dashurinë që më ka dhënë. Ka qenë pjesë e shtatzënisë dhe e ndryshimeve të mia emocionale, në çdo hap me mua.
-A ka një moment të vogël, të përditshëm, që sot të duket më i shtrenjtë se kurrë më parë?
-Po, zgjimi krah djalit çdo mëngjes, dielli ynë, frymëmarrja jonë… përqafimi dhe kërcimi të tre bashkë.
-Një cilësi e tij që sot të duket thelbësore?
-Dashuria e tij, që ma tregon çdo ditë, më bën të qesh edhe kur jam e rraskapitur.
-Një gjest i vogël që të bën të ndihesh e mbështetur?
-Përqafimet pas një dite të gjatë dhe të ngarkuar.
-Si artiste e disiplinës dhe përkushtimit, çfarë mendon se do të mësosh nga mëmësia, diçka që arti nuk ta ka mësuar ende?
-Të duash pa kushte, pa marrë dhe pa kërkuar asgjë në këmbim.
-Nëse do ta përshkruaje këtë fazë të jetës me një lëvizje baleti, cila do të ishte dhe pse?
-Është e vështirë të përshkruhet vetëm me një lëvizje baleti… kjo fazë është një koreografi.
-Puna jote ka qenë gjithmonë intensive. A ka ndryshuar mënyra se si e sheh suksesin tani që prioritetet po zgjerohen?
-Jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por e bukura është që tani më është shtuar dashuria për punën dhe fëmijët e akademisë, për të arritur suksese dhe synime më të larta.
-Nëse një ditë fëmija yt do të të shihte në skenë, çfarë do të doje të kuptonte pa pasur nevojë për fjalë?
-Dashurinë për të bukurën që arti të ofron.






Rexhina sot…
• Më shumë intuitë apo më shumë organizim?
Organizim.
• Skena apo shtëpia, ku e gjen qetësinë tani?
•Të dyja janë pjesë e Rexhinës; qetësi gjej në shtëpi, qetësi gjej edhe në sallë.
• Një zakon i ri që ke krijuar gjatë kësaj periudhe?
•Djali gjithmonë me mua, kudo ku shkoj.
• Një dëshirë e thjeshtë për muajt që vijnë?
Shëndet dhe mbarësi për muajt në vijim.
Pyetje që nuk bëhen zakonisht…
• A ka momente kur ndihesh më krijuese në qetësi sesa në lëvizje?
•Krijimtaria vjen atëherë kur nuk e pret… shpesh krijoj në gjendje emocionale të rrëmujshme.
• Çfarë po të mëson durimi sot, që arti ta ka mësuar më herët?
•Disiplina artistike të ndihmon me durim të kalitur… po ka filluar tashmë.
• Çfarë do të doje të ndalej për pak, dhe çfarë të vazhdonte përgjithmonë?
•Të ndaleshin buzëqeshjet dhe përqafimet me djalin… jeta që po bëj tani.
Mëmësi & Art
• Nëse mëmësia do të kishte një muzikë, si do të tingëllonte?
•Ninullë e ëmbël dashurie dhe mirësie, aromë parajse.
• Çfarë po ruan më shumë: energjinë apo emocionin?
•Të dyja.
• A ka ndryshuar mënyra si e përkufizon fjalën “forcë”?
•Po. Tashmë ndiej që forcë, dashuri, do të thotë NËNË!
• Një premtim i heshtur që i ke bërë vetes këtë vit?
•Edhe pse u bëra nënë, do të vazhdoj me të njëjtin ritëm për të arritur objektivat! Premtim!







