– Jam Elsa, 35 vjeçe. Dua të di me saktësi si merret HPV, si mjekohet dhe a mund të merren masa parandaluese? Jemi në kohë plazhi dhe mua më ka zënë frika mos merret edhe në det. Faleminderit dhe pres një përgjigje.
Dr. Mehmet Rrodhe Patholog (Citolog): – HPV ose Virusi i Papilomës Njerëzore është një prej viruseve më të zakonshme që qarkullojnë e jetojnë në lëkurën e njeriut e mund të transmetohet nga njëri person te tjetri me anë të çdo prekjeje seksuale. Tipet e HPV-së ndryshojnë përsa i përket agresivitetit të tyre biologjik dhe llojit të dëmtimit që shkaktojnë në organizëm. Deri më sot, janë zbuluar rreth 100 tipe e nëntipe HPV. Sipas rrezikshmërisë së tyre, ato ndahen në dy grupe: HPV e tipit 6 e 11 që janë përgjegjëse për shkaktimin e lytheve gjenitale që hasen rreth organeve gjenitale femërore dhe mashkullore dhe tipet 16-18 (31, 33, 35, 39, 45, 51) si shkaktaret kryesore të 70 % të kancereve të qafës së mitrës te femrat. HPV kalon nga njëri person te tjetri me kontakt të drejtpërdrejtë dhe, në shumicën e rasteve, infeksioni transmetohet me kontakt seksual. Tipat e ndryshme të HPV-ve vendosen dhe janë të aftë të mbijetojnë vetëm në qelizat sipërfaqësore të lëkurës, të mukozes së qafës së mitrës, të vaginës, të anusit, të vulvës, të penisit, të gojës dhe grykës. Theksojmë se ato nuk rriten në pjesët e tjera të trupit e nuk infektojnë ose të përhapen në rrugët e gjakut apo limfës. Infektimi fillestar nuk mbron ndonjë infektim të mëtejshëm. Në rast se një femër konstaton se ajo ka lythe gjenitale, duhet të bëjë një vizitë te mjeku specialist për trajtimin e tyre dhe duhet të kryejë një Pap-test. Burri duhet të trajtohet nga mjeku specialist.
– Ato që rrezikohen më shumë nga infektimi me HPV janë: femrat që kanë filluar jetë seksuale nën moshën 18 vjeçe, femrat që kanë më shumë se një partner, femrat që kanë partner që kanë më shumë se një partnere, pirja e duhanit, gjendjet patologjike që dëmtojnë sistemin mbrojtës imunitar të organizmit, veçanërisht të sëmuret me AIDS, personat e infektuar nga virusi HIV, gratë që vuajnë nga diabeti, përdorimi për një kohë shumë të gjatë i kontraceptivëve (tableta që merren pa kontroll mjekësor), gratë me lindje të shumta, gratë me histori sëmundjeje SST (sëmundje seksualisht të transmetueshme) dhe dieta e ushqyerja e dobët etj. Theksojmë se HPV-ja nuk është i njëjtë me HIV sepse problemet dhe simptomat shëndetësore janë të ndryshme. Sot për mbrojtjen e femrave nga HPV ka dhe dy lloje vaksinash në qarkullim, cardasil cervarit dhe këto bëhen para se femra të fillojë marrëdhënien seksuale dhe me konsultën e gjinekologut. Por edhe këto nuk të mbrojnë nga tipet e tjera të HPV-së. Prandaj, çdo grua nga mosha 25 vjeçe e sipër deri në moshen 65 vjeçe, duhet të kryejë rregullisht Pap-testin. Për të shmangur infektimin me këtë sëmundje, duhet të bëni vizita periodike te mjekët specialistë, që duhet të jenë të detyrueshme kur keni të bëni me më shumë se një partner, keni bërë seks të pambrojtur, keni gjakrrjedhje gjatë marrëdhënies seksuale dhe dhimbje, kur periodat janë të çrregullta, kanë abuzuar mbi ju seksualisht, kur vëreni shenja në organet tuaja seksuale apo keni sekrecione, kur ju ndërpriten periodat etj. Prandaj u duhet kushtuar shumë vëmendje vizitave periodike për bërjen e pap testit dhe kontrollit të përgjithshëm shëndetësor.