Të dashur lexues! Unë që po ju shkruaj jam një vajzë që kam pak kohë që kam gjetur dashurinë e vërtetë. Për një kohë të gjatë, nuk u lidha me askënd. Nuk ishte periudhë e bukur si kjo që po jetoj tani, por të paktën isha e qetë shpirtërisht. Se pse, do ta kuptoni pasi të lexoni historinë time…
Unë kam patur fat në jetë. Këtë e them për shumë arsye. Jam rritur nga një familje e rregullt ku mbizotëronte dashuria, si mes prindërve, ashtu dhe mes ne fëmijëve. Edhe jashtë familjes jam ndjerë gjithmonë mirë, kam patur shoqëri, ndoshta nga vetë natyra ime shumë e qetë dhe e dashur. Pas përfundimit të shkollës, gjeta menjëherë punë, me ndihmën e disa shokëve të babait. Aty u njoha me shoqen time më të mirë. Jo se nuk kam patur shoqe të mira më parë, por me Lindën m’u përputhën të gjitha mendimet dhe dëshirat. Edhe puna jonë e përbashkët na lidhte më tepër. E vetmja gjë që nuk ishte në përputhje ishte mosha. Unë tashmë isha 28 vjeçe, ndërsa ajo ishte 39, ishte e divorcuar dhe kishte një fëmijë. Me burrin ishte ndarë prej disa vjetësh dhe jetonte me qira. Ishte e vështirë për të të përballonte jetën, por ajo ishte gruaja më e fortë që kisha parë ndonjëherë. Miqësia jonë ishte e pastër dhe mjaft e sinqertë.
Ajo kishte shumë kërkesa që të lidhej me meshkuj, por nuk po kërkonte aventura; donte një burrë të mirë dhe të denjë e madje edhe të kishte një punë të mirë që ta ndihmonte në përballimin e jetesës. Kishte dalë me disa, por nuk i përshtateshin. Kështu si gjithë të tjerët kishte përdorur Facebookun për ta zgjidhur këtë poblem. Kishim dëgjuar se shumë veta që janë njohur në këtë mënyrë kishin arritur edhe të krijonin familje e tani jetojnë të lumtur.
Të gjithë ata që i njihte në Facebook m’i tregonte mua dhe më kërkone mendim për ta. Disa ishin aq të mirë, sa të bënin të dyshoje nëse ishin të vërtetë apo jo. Ndonjë ishte i mirë nga paraqitja dhe nuk i përputhej në bisedë. Më në fund, dukej sikur po i ecte me një të huaj.
Ai jetonte në Gjermani dhe ishte i divorcuar. Ishte 43 vjeç dhe mjaft simpatik. Kishte një fëmijë, i cili jetonte me gruan e rrallë takohej me të. Biseda e tyre ishte shumë e këndshme. Shkëmbyen numrat e telefonit dhe kështu, u njohën mirë bashkë. Ai i kërkoi të shkonte ta vizitonte në Gjermani, sepse ai nuk shkëputej dot nga puna. Ajo mori leje në punë dhe u nis.
Ndenji disa ditë dhe kur u kthye, ishte shndërruar në tjetër njeri. Ndjehej shumë e gjallë dhe sikur kishte marrë jetë nga ai njeri dhe nga ko lidhje.
Më tregoi të gjitha dhe unë, sigurisht, u ndjeva shumë e gëzuar për shoqen time. Ajo ishte një shoqe e mirë dhe shumë besnike, por edhe një njeri shumë i mirë.
Erdhi vera dhe i dashuri i saj gjerman erdhi t’i bënte një vizitë këtu në Shqipëri. E pritëm në aeroport. Të dy u përqafuan me shumë mall dhe dukej qartë se duheshin shumë. Isha e kënaqur për këtë (po e theksoj shumë se isha e kënaqur që, kur ju ta lexoni historinë deri në fund të mos më akuzoni se atë që bëra e bëra nga xhelozia për shoqen, por thjesht se rashë në dashuri). Pastaj, ajo e prezantoi me mua. Ishte një burrë shumë i pashëm, i gjatë e pak bjond, si gjithë gjermanët, me sy jeshilë dhe me trup të formuar, si një model. U nisëm nga aeroporti e shkuam në shtëpinë e shoqes. Atje ajo ishte vetëm. Të birin e kishte çuar tek i ati se nuk e dinte se si do ta priste ai njohjen e nënës së tij me një tjetër burrë e aq më shumë, me një të huaj. Unë nuk ndenja shumë, sepse doja t’i lija bashkë. Dukej se i kishte marrë shumë malli për njëri-tjetrin. Më vonë, shoqja më mori në telefon dhe më tha se do të shkonin në Jug të Shqipërisë për pushime dhe ajo më kishte ftuar edhe mua.
– Faleminderit Linda, por më mirë shkoni bashkë, pse duhet të vij edhe unë?! – i thashë.
– Kam qejf të jemi bashkë.
– Po i dashuri yt? Do ta marrë për keq, do të thotë se ke marrë badigard…
– Mos u merakos për këtë. E pyeta dhe ai është dakord.
Nuk ia prisha dhe fillova të bëja gati rrobat. Të nesërmen u nisëm. Ai i kishte kërkuar shoqes që t’i bënte një dhuratë të shtrenjtë. Donte t’i blinte një makinë, pasi e dinte që e kishte punën larg. Shoqja, sigurisht që e donte një makinë, pavarësisht se atij i kishte thënë që nuk mund ta pranonte një dhuratë kaq të kushtueshme. Por, ai kishte këmbëngulur dhe kështu, ne u nisëm me makinën e re. Meqë shoqja kishte kohë që e kishte marrë patentën dhe nuk kishte patur asnjëherë makinë, i dha ai makinës. Rruga ishte gjatë, por edhe e bukur. Ia kaluam shumë mirë. Morëm në hotel dy dhoma; një për mua dhe një për ata. Çdo gjë po shkonte shumë mirë. Më pas shkuam në plazh. Deri këtu çdo gjë ishte në rregull, por kur unë isha me rroba banjoje, më shqetësonin shikimet e fshehta të të dashurit të shoqes. E doja shumë shoqen time, kështu që bëra sikur nuk kisha kuptuar gjë, por ditën tjetër dolëm për vrap. Shoqja nuk kishte dëshirë të vraponte, kështu që do të na priste në një kafe aty afër. Në fillim nuk doja të pranoja të shkoja vetëm me të, por ngaqë do të lija vend për nënkuptime, shkuam të dy për vrap. Gjatë rrugës, ai më tha:
– A e di arsyen e ardhjes sime në Shqipëri?
– Sigurisht, – i thashë – për Lindën.
– Po, ashtu është, sepse ajo është një grua e rrallë, por unë, qëkur të kam parë në fotografi, e ndjeja se ti je gruaja që unë kërkoj. Linda është pak e vjetër për mua.
– Ju lutem! Ç’po thoni kështu? A e dini se Lindën e kam më shumë se shoqe, e kam si motër?!
– E di, por ndjenjat nuk komandohen.
– Ju lutem edhe një herë, ju ndaloj të më flisni kështu! – e ngrita tonin dhe e shtova hapin që të ecja më shumë e të mos e kisha në krah. Ai nuk nxitoi të më arrinte, madje u ul në një shezlong dhe më tha:
– Po ju pres këtu!
Eca edhe pak dhe u ktheva. Ai po më priste aty ku më tha. U ulëm te kafja ku na priste Linda. Edhe ajo e kuptoi se diçka kisha.
– Jam mirë – i thashë shkurt.
Të nesërmen i thashë se më morën në telefon dhe duhet të kthehesha. Ajo në fakt e kuptoi se diçka nuk shkonte, por unë nuk i thashë se çfarë. Kur mbaruan pushimet dhe u kthyen, ne u takuam. Në momentin e parë që mbeta vetëm me të dashurin e saj, ai më tha:
– Mos mendo se unë do të heq dorë nga ti. Unë të dua, ndjej shumë për ty.
Unë nuk iu përgjigja, por që t’jua them shkurt e të mos zgjatem se sa herë unë i refuzova, ai erdhi edhe disa herë të tjera e me shumë sforcime bëri të mundur të më kishte të vetën. Nuk diskutohet se ai nuk e bëri këtë me forcë, sepse ai është me shumë edukatë, por e arriti duke bërë shumë gjëra për mua. Ma mori mendjen dhe bëri që të dashurohesha me të. Herën e parë që u puthëm ishim te shtëpia e shoqes. Ajo ishte në banjë dhe nuk kuptoi asgjë. Më pas filluam të dilnim pa shoqen dhe ende nuk i kishim thënë gjë. Ai ishte burri ideal për mua, por nga ana tjetër, shoqja kishte filluar të vinte re një zbehje të dashurisë së tij.
– Më duket se po më tradhton – më tha një ditë.
Në atë çast, nuk e desha veten. Për momentin, para saj, nuk reagova, por pas pak minutash shkova në tualet dhe pashë fytyrën time në pasqyrë. Ajo i ngjante fytyrës së një njeriu të vdekur.
Mendova: “Si po ia bëja këtë shoqes sime? A do më falte ajo ndonjëherë mua?”. Ndjehesha shumë në siklet dhe desha që t’ia thoja menjëherë, por kur dola dhe e pata përballë, nuk e mora guximin t’ia thoja.
– Nuk ma merr mendja – i thashë. – Ai duket se të do shumë!
– Në fillim, ai ishte ndryshe. Ishte i përkushtuar tërësisht pas meje. Tani nuk më merr në telefon po nuk e mora unë.
– Po nëse të tradhton, ç’do të bësh? – e pyeta dhe isha shumë në ankth për përgjigjen.
– Nuk e di ç’do t’i bëja atij, por për mua do të ishte fundi.
Kjo për mua ishte një bombë.
– Mos thuaj kështu. Çdo gjë e ka një zgjidhje. Jeta ka pengesa gjithmonë.
– E kujt i thua? E harrove se çfarë kam hequr unë para se të bashkohesha me të? Jo vetëm nga ana financiare, por edhe që nuk kam arritur të gjej një njeri që të më dojë tamam.
Pas kësaj bisede, e mora në telefon të dashurin tim dhe i thashë se do të ishte e pafalshme po t’ia bëja shoqes këtë. Ai më tha se asgjë nuk mund të kthehej ashtu siç ishte më parë. Në të vërtetë, ashtu ishte. Lidhja jonë kishte përparuar dhe të dy çmendeshim për njëri-tjetrin.
Edhe pse e dija se çfarë do t’i shkaktonte kjo lidhje shoqes sime, e bëra këtë gjë, por nuk ia thashë ballë për ballë. Ai ia kishte thënë këtë pasi i kishte blerë një shtëpi dhe ia kishte mobiluar. I kishte hapur një llogari në bankë, e kishte rregulluar nga ana ekonomike dhe pastaj i kishte thënë që kishte rënë në dashuri me mua, shoqen e saj më të mirë.
Ajo më mori mua në telefon. Herën e parë nuk ia hapa sepse e dija çfarë do të më thoshte. Por ajo më çoi një mesazh ku më thoshte se e meritonte një shpjegim. Ia hapa telefonin dhe ndjeva se sa tirane isha treguar. Çdo fjalë e saj, pavarësisht se shumë e hidhur, ishte e merituar, megjithatë, unë prapë e dua si më parë shoqen time. E di se kam gabuar, por ne duhemi aq shumë e po ia kalojmë aq mirë të dy bashkë sa do të ishte mëkat po të mos e kishim bërë këtë. Megjithatë, u them të gjitha femrave: Kujdes!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *