Në vazhdën e konfliktit midis Hamasit dhe Izraelit, sektori i ekonomisë së këtij të fundit ka pësuar goditje të konsiderueshme. Sipas një raporti të fundit zyrtar nga Banka e Izraelit, lufta po i kushton shtetit rreth 600 milionë dollarë në javë, ose 6% të PBB-së javore. Arsyeja është rënia e fuqisë punëtore, pjesa më e madhe e së cilës është e mobilizuar në frontin e luftës. Një nga shpresat e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit është bujqësia dhe teknologjia bujqësore. Këta nënsektorë shquhen për serrat mjaft të përparuara dhe start-up-et inovative për metodat e reja dhe efikase të të korrave.
Bujqësia në Izrael mbështetet kryesisht në modelin “kibbutz”, përkufizimi më i saktë i të cilit mund të jetë “shoqëri revolucionare ku jetohet sipas një kontrate të caktuar, mbështetur në parime komunale të një kuadri shoqëror e ekonomik”, ose më thjesht e konkretisht, “komunitete të vendosura në zona ku jetesa dhe të ardhurat vijnë nga veprimtaria bujqësore”. Ky model ekziston vetëm në Shtetin e Izraelit, dhe është unik në llojin e vet. Kibbutz i parë në Izrael daton në vitin 1910, dekada para shpalljes së pavarësisë. Deri më sot, Izraeli numëron 270 kibbutz, me popullsi nga 100 deri në 1,000 banorë.
Me nisjen e luftës, mungesa e krahut të punës çoi në tharjen e perimeve dhe frutave, që përbënin një pjesë të konsiderueshme të sasisë për konsum e eksport. Pjesa më e ndikuar është toka që rrethon Rripin e Gazës, që cilësohet si “ngastra e madhe e Izraelit”, ku prodhohen 75% e perimeve, 20% e frutave dhe 6.5% e qumështit. Gjendja katastrofike në zonë ka çuar në largimin e forcës punëtore. Rreth 120 mijë vetë nga zona rreth kufirit të Gazës janë evakuuar pas sulmit të 7 tetorit. Shumë pjesëtarë të kibbutz-eve mbetën të plagosur ose të vrarë. Qeveria e Izraelit mori masa të menjëhershme për dhënien e lejes së punësimit 5,000 punonjësve të huaj, për të ekuilibruar punën.
Pavarësisht se bujqësia dhe bujqësia teknologjike janë ndikuar nga lufta, duket se “modeli i Izraelit” i ka themelet në kapacitetin njerëzor. Për Reuters, Juval Lipkin, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë së Izraelit, është shprehur entuziast prej vullnetarëve të shumtë që janë vetëofruar për të ndihmuar në mbledhjen e të korrave dhe asistim të mëtejshëm. Vullnetarët variojnë nga fëmijët e shkollave, qytetarë të Izraelit e deri te diplomatët e huaj, si Shtefen Zaibert, Ambasador i Gjermanisë në Izrael. Të shumtë janë edhe ata nga sektori publik i Izraelit, konkretisht specialistë të MASHAV – Agjencia Izraelite për Bashkëpunim e Zhvillim Ndërkombëtar. Nga ky i fundit, disa prej specialistëve dhe ekspertëve të bujqësisë janë rrëmbyer dhe vrarë, ndaj niveli i ekspertizës po ekuilibrohet nëpërmjet forcës së krahut.
Kujtojmë se MASHAV ka ofruar shërbimet e veta në Shqipëri prej vitit 1993 e deri më sot, duke trajnuar specialistë të sektorit publik shqiptar. Nga një takim i fundit mes Znj. Anila Denaj, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Sh. S. Galit Peleg, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Shqipëri, iu kushtua vëmendje përfshirjes së specialistëve të MBZHR në trajnimet e MASHAV.
Për modelin e Izraelit kjo nuk është thjesht punë, por ndjesia e të vepruarit dhe bashkësisë, pikërisht synimi i një “kibbutz”.
Në foto, specialistë të MASHAV të angazhuar në Kibbutz.