Në datat 2, 3 dhe 4 shtator kanë nisur pranimet e këngëve për festivalin Kënga Magjike dhe sapo u afrua kjo datë, pritej që të nisnin negociatat ndërmjet artistëve dhe producentëve të festivalit. Ishte vetë Arditi, i cili, pasi u përball me një situatë të tillë me një mikun e tij, iu parapriu të gjitha këtyre skenave, duke thënë: “Rregulli dihet: Kush ndërhyn për këngët që të pranohen, ato as nuk kalojnë pranë komisionit, por përjashtohen nga gara. Pak më parë, një i njohuri im, ndërhyn për dikë nga Zvicra dhe unë i them: Në uebsajtin zyrtar janë të gjitha rregullat e festivalit. Tashmë, nga Zvicra, nuk pushon zilja e telefonit. Sigurisht, unë nuk përgjigjem dhe ky status është për të lajmëruar publikisht të gjithë “miqtë” që nëse do të ndërhyjnë për të njohurit apo të afërmit e tyre duke më kërkuar favore, me mua nuk funksionon. Jemi në rregull, Arben?!”. Gjebrea, gjithmonë është dalluar për rreptësinë dhe seriozitetin maksimal që tregon në punë dhe ata që e kanë parë në prova në backstage, e dinë mirë si është të punosh me Arditin. Duket se këngëtarët këtë vit ndoshta do të përballen me rregulla akoma më të rrepta se vitet e tjera.
Advertisement