Teatri po kalon në një fazë të vështirë të ekzistencës së tij dhe ky nuk është faj i aktorëve të vërtetë por i aktorëve politikë. Alessia Xhemalaj, aktorja simpatike e cila është pjesë e një prej shfaqejeve më të ndjekura “Boeing Boeing”, e cila është shfaqur plot 43 herë në skenë dhe ka nisur turin e saj nëpër Shqipëri, na tregon si ndihet për situatën e krijuar ndaj teatrit, shfaqjes, vetes dhe shumë e shumë gjëra të tjera të cilat Alessia po i tregon për herë të parë.

 Fabjola Kuburi:- Alessia, e di që ke një emër të veçantë e të bukur? Nga kush e ke “dhuratë”?

Alessia Xhemalaj:- Shumë faleminderit! Historia e emrit tim, me sa më kanë treguar është mëse e thjeshtë. Në vitet ’90, halla e mamit, e cila jetonte në Itali, prej shumë vitesh vinte për pushime në sezonin e verës dhe shprehu dëshirën që nëse do lindja vajzë, do ta vendoste ajo emrin. Sipas saj, emri Alessia në ato vite ishte shumë në modë në Itali. Derisa unë u rrita, u bë shumë në modë këtu (qesh).

“Shfaqja e avionëve” siç më pëlqen mua t’a quaj, “Boeing Boeing”, po bën namin në teatër. E sata herë është që rikthehet në skenë, dhe sa shfaqje keni dhënë deri më tani?

-“Boeing Boeing” ka qenë një surprizë! Filluam punë sëbashku me regjisorin Kiço Londo me seriozitetin dhe impenjimin që nis çdo shfaqje. Gjatë kohës së provave, u lidhëm aq shumë me njëri-tjetrin, sa ishte e pamundur që kjo kimi të mos ndihej apo reflektohej edhe në skenë. Kemi shkuar në shumë qytete, ku pritja ka qenë fantastike. Të tjera qytete na presin ende! Tashmë, në Tiranë kjo komedi numëron plot 43 shfaqje, me sallën e tejmbushur dhe çdo mbrëmje me karrige shtesë. S’besoj se ka gjë më të bukur për një aktor sesa një vlerësim i tillë nga publiku.

E prisnit këtë dashuri nga publiku?

-Kam përshtypjen se çdo projekt artistik nis me këtë pritshmëri. Çdo emocion që ne investojmë është një dashuri e madhe për këtë profesion dhe gjithë ajo dashuri finalizohet përpara spektatorit.Natyrisht, në rastin e “Boeing Boeing” ndihemi mëse të përkëdhelur.Nga prapaskena dëgjonim njerëz që debatonin se s’kishte vende në sallë. Nuk ka patur natë që njerëzit të mos na prisnin jashtë për të na përshëndetur, bërë fotografi apo dërguar mesazhe. Ajo dashuri që dhamë na u rikthye në mënyrën më të mirë.

Çfarë të dhuroi interpretimi në këtë shfaqje?

Përmbushje shpirtërore, eksperiencë dhe rritje profesionale.

Jeni aktorët më në zë të mbledhur bashkë. Kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja e suksesit?

– Gjysma e punës është skenari i mirë dhe përzgjedhja e aktorëve.Regjisori Kiço Londo është mjaft i kujdesshëm përsa i përket kësaj. Arriti të krijojë dhe të bëjë bashkë një kast aktorësh duke nuhatur kiminë që do lindte më pas. Besoj se suksesi nuk varet veç tek të qenurit “më në zë të momentit”, por tek sa investon tek ajo që bën. Ne u lidhëm shumë me njëri-tjetrin dhe e nisëm me shumë qejf, pasion e përkushtim.Rrjedhimisht, nëse punon fort, rezultati është suksesi.

Mesazhi që synon të përcjellë shfaqja?

– “Boeing Boeing” është një nga farsat më të çmendura franceze që ka hyrë në librin e rekordeve “Guinness” për sa u përket vënieve në skenë nëpër botë. Në këtë tekst brilant, hasesh me problemet që përjeton sot shoqëria, si poligamia (të cilën e ndeshim çdo ditë e më shumë).I jep një shuplakë realitetit përmes humorit të hollë dhe të bën të reflektosh mbi dashurinë, miqësinë dhe tradhtinë.

Ke hasur ndonjë vështirësi në këtë rol?

– Personazhi që unë interpretoj është stjuardesa franceze, Zhaklin, një vajzë plot jetë, shumë aktive dhe e mbushur me dashuri për të fejuarin e saj. Qëllimi i saj është familja, dhe ajo dëshiron të martohet sa më parë për të qenë në krahët e Bernardit. Bashkë me regjisorin jemi përpjekur ta sjellim personazhin me shumë elegancë, sharm dhe autoritet. Sigurisht që ka vështirësi, jo vetëm me këtë personazh, por me çdo figurë që merr përsipër të krijosh. Do futesh nën lëkurën e dikujt tjetër që s’je ti. Do përpëlitesh që të lindësh një krijesë të re, dhe s’ka asnjë mundësi ta bësh pa dhembje.

Ç’mendon për ngjarjet e fundit rreth teatrit?

– E kam përmendur dhe në intervista të tjera dhe vazhdoj ta përsëris; Mbase jam tepër e re për të cilësuar se kush kanë qenë ditët më të mira të teatrit. Ama si e diplomuar, shoh përqark vetëm të rinj që rrinë në kafe dhe presin një rol. Shoh të tjerë që punojnë, derdhin djersë në dy-tre projekte dhe shpërblimi nga shteti është mjeran. Shoh njerëz që vlerësimin për artin në këtë vend e shumëzojnë me zero. Shoh familjarë që nuk mbajnë dot veten e tyre, jo më familjen me art. Është momenti që artistët duhet të bëhen bashkë dhe të flasin për të drejtën e tyre. Një vend pa kulturë s’mund të ecë kurrë përpara. Ne duhet të kuptojmë që sëbashku jemi zëri më i fortë.

A është hijeshia një kusht për t’iu qasur aktrimit?

Nuk di nëse hijeshia është fjala e duhur apo jo. Por nëse i referohemi pamjes fizike, mbase edhe mund të ketë një plus, por edhe për këtë s’jam fort e bindur. Në profesionin tonë, kur hipën atje lart (në skenë) je komplet “i zhveshur”, dhe bukuria nuk është ajo për të cilën do të të duartrokasin njerëzit në fund.

Me çfarë matet suksesi i një aktori?

– Me punë, investim dhe veprat që lë pas.

Aktrimi ka qenë gjithnjë dëshira dhe pasioni yt?

Besoj se dëshira ka qenë brenda meje shumë herët, që në hapat e parë kur shfaqja veten para të tjerëve. Më kujtohet si nëpër mjegull që asgjë nuk më argëtonte më shumë sesa të organizoja një teatër me kukulla.I bëja vetë të gjithë personazhet dhe mërzitesha kur ziheshin personazhet që vetë sapo i kisha krijuar.Shumë herë nuk haja as bukë nëse motrat e mia nuk uleshin në fund të krevatit për të bërë teatër kukullash për mua.Mbase çdo fëmijë i ka kaluar këto, por mua më shoqëruan gjatë gjithë jetës.

Cila nga shfaqjet që ke qenë pjesë mendon se ka qenë ajo që të dha emër?

Nuk ka qenë asnjë nga ato shfaqje që ti e jep në mbrëmje dhe në mëngjes je e famshme.Me mua nuk ka ndodhur kështu. Unë këtë vit jam diplomuar, por më është dhënë mundësia nga Kiço Londo që të punoj rolin tim të parë që kur kam qenë ende studente, dhe ka qenë një fat shumë i madh për mua. Ngadalë-ngadalë jam përpjekur të rritem profesionalisht, dhe mbi të gjitha të jem me këmbë në tokë.Megjithatë, duhet pranuar që filmi të jep më shumë mundësi njohjeje sesa teatri, sepse filmi shkon kudo.Filmi “Bloodlands” me regji nga Steven Kastrissios, ku unë isha një nga protagonistet, ishte një ogur i mirë…

Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *