Ndahet nga jeta artistja e madhe e skenës së baletit shqiptar Ganimet Vëndresha, në moshën 88-vjeçare.
Komisioni i Artit dhe Trashëgimisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë shprehu ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të prima balerinës së Teatrit të Operas dhe Baletit, artistes së madhe Ganimet Vendresha, “Artiste e Merituar”.
Ganimet Vendresha lindi në Tiranë më 19 shtator 1934. Studioi balet klasik dhe koreografi në Akademinë e Baletit të Bolshoi Teatër të Moskës, ku dhe u njoh me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Xhemil Simixhiu.
Veprimtarinë artistike Ganimet Vëndresha e nisi në radhët e grupit të baletit të vogël, të ngritur pranë Teatrit Popullor të Tiranës. Pas përfundimit të studimeve profesionale në shkollën e baletit të Moskës, më 1956 filloi punën si soliste baleti pranë trupës së TOB, ku realizoi me dhjetëra role skenike dhe një veprimtari të pasur koncertore si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
Pas 6 vitesh studime, të dy, së bashku me tri balerinë të tjerë që kryen të njëjtin shkollim, u kthyen në Tiranë dhe hapën Shkollën e Parë të Baletit në Shqipëri. Më pas ishin bashkëthemelues të Akademisë së Arteve, ku dhe punuan si pedagogë, dhe Teatrit të Operas dhe Baletit, ku punuan deri në fund të jetës së tyre.
Ajo ka mbi 140 role në shfaqjet e baletit. Realizimet e saj më të mira skenike, si: roli i Hajrijes (“Halili dhe Hajrija”, Tish Daija), Zaremës (“Zarema e humbur”, Asafiev), Fadetës (Delib), Luizës (“Kujdesi i kotë”, Hertel), Lolës (“Lola”, Vasilienko), Delinës (“Delina”, Çesk Zdeja), Zuljetës (“Romeo dhe Zhuljeta”, Prokofiev) etj., u dalluan për lojën elegante dhe shprehjen e spikatur lirike-poetike.
Krahas punës në teatër, Vëndresha ishte pedagoge pranë Shkollës së Baletit, në Tiranë (1957–1982). Ajo ishte një nga themelueset e Shkollës Koreografike në Tiranë (shkolla e mesme artistike), e themeluar në vitin 1957, ajo ishte gjithashtu një nga pedagoget e para që punuan në këtë institucion. Për aktivitetin e saj artistik, ajo mori titullin Artiste e Merituar nga autoritetet e Shqipërisë.
Ganimet Vendresha mban shumë çmime karriere, si edhe tituj të lartë, ndër to ‘Nderi i Kombit’, ‘Naim Frashëri’ dhe ‘Mjeshtër i Madh’.
Ganimet Vendresha la pas një thesar të madh në baletin shqiptar, themelet e një shkolle që vazhdon trashëgohet edhe sot dhe që e nderon vendin tonë kudo në botë.
Tek të gjithë ata që e njohën la pas kujtimin e një njeriu me shpirt të bukur e të mirë, gjithmonë fjalëmbël dhe e buzëqeshur.
Homazhet në nder të artistes së njohur, Ganimet Vendresha do të zhvillohen nesër në hollin e Teatrit të Operas dhe të Baletit nga ora 10:00 deri në 12:00, ndërsa ceremonia e varrimit po nesër në orën 13:00 në varrezat e Tufinës.