Regjisori i mirënjohur Vladimir Doda, ka vënë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental, Turbina, salla e vogël dy ditë rresht, 18 dhe 19 prill 2022, duke u parë si vepër e dalluar për origjinalitetin, dhe gjuhën e përdorur. Në të luajnë aktorë të mirënjohur si:
Suela Bako
Amos Muji Zaharia
Alessia Xhemalaj
Deljana Topulli
Xhejni Fama
Jaho Guma
Marvin Tafaj
Mimoza Marjanaku
Greta Cani
Vladimir Doda
Princesha e Dyrrahut
Një shfaqje e Commedia dell’Arte)
Tipizimi i karaktereve dhe qartësia e raporteve mes tyre e bën publikun të ndjej afërsi me maska të kodifikuara që prej disa shekujsh si tipologji sociale por që karakterizohen nga xhestualiteti, zëri apo edhe dialekti.
Ngjarjet zhvillohen në Dyrrahun e shek. XII. Periudha historike në të cilën ambjentohet ngjarja edhe pse mund të duket e largët për ne, përmban gjithë elementet e shoqërisë tonë moderne. Nëse një personi që ka jetuar në atë periudhë do t’i flisnim për universitete, banka, siguracione, garanci apo taksa, do të na kuptonte fare mirë sepse janë elementë që lindin dhe marrin formë pikërisht në atë periudhë me rilindjen e qyteteve mesjetare. Një histori e inspiruar nga personazhi i Ana Komnenas, princeshë e Bizantit dhe e bija e Perandorit Aleksi i I. Në fakt Komnena, një grua ambicioze dhe inteligjente që provon të komplotoj edhe kundër të vëllait perandor, ka lënë dëshmi si historiane edhe për sa i përket Dyrrahut, dhe zonës së Arbërisë apo Arbanonit.
Jemi në Dyrrahun e vitit 1122. Doktor Nicefori, që është udhëheqësi i qytetit dhe është i dashuruar me Lukrecian një zonjë aristokrate dhe e nderuar por me një të kaluar të fshehtë. Doktori jo vetëm është i dashuruar me të por edhe e ndihmon vazhdimisht znj. Lukrecia duke i dhënë kredi. Kur Doktori kupton që i biri është i dashuruar me Klarisën, të bijën e Lukrecias, vendos ta dërgoj në Gjermani. Këto dy familje, ajo e Doktorit (Valerio, Hannelore – shërbetorja e Doktorit – bashkë me mercenarin Kapiten Katalan de Reus dhe shërbëtorin e tij Shan Hamallin) dhe ajo e Lukrecias (ku bën pjesë përvec Klarisës edhe Lenka, shërbëtorja) janë në qendër të ngjarjeve që tregohen në këtë shfaqe. Dy të rinj që hasin në vështirësitë për të kurorëzuar dashurinë e tyre sepse i përkasin dy familjeve me status social të ndryshëm, dhe dy të rritur që përpiqen të thurin intriga dhe shantazhojnë njëri-tjetrin ndërsa mendojnë për pushtetin. Doktori për të kryer punët e tij “të paligjshme” ka punësuar mercenarin Kapiten Katalan de Reus dhe Shan Hamallin, ndihmësin e tij. Ndërkohë disa nga personazhet fshehin më shumë se një identitet. Mes ndikimeve të ndryshme dhe eventeve “madhore ndërkombëtare” si luftra dhe Kryqëzatat, pritet të vijë në qytet edhe i Dërguari fuqiplotë i Perandorisë që do ndryshoj edhe ekulibrin e pushtetit. Kështu sipas traditës së Commedia dell’Arte, pjesa ndërthur evente dhe personazhe historike me elemente të fantazisë, duke trajtuar edhe fenomene aktuale ku më në fund veset ndëshkohen dhe të rinjtë kurorëzojnë dashurinë e tyre!
Këto emocione mund të përjetohen live vetëm përmes kimisë që përcjellin aktorët në skenë. Shfaqja është edhe sot më teatrin Kombëtar Eksperimental Turbina, salla e vogël. Ata ju presin në sallë!